Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Për të frenuar mikroplastikën, kërkohen zgjidhje më të qëndrueshme

Mikroplastika

Mikroplastika

Foto: Associated Press

Teksa gjërat që i përdorim çdo ditë, si kutitë plastike për ushqim apo shishet e ujit, lëshojnë grimca shumë të vogla plastike, publiku po e sheh këtë si “një problem pothuajse të pamundur për t’u zgjidhur”, thonë ekspertët e politikave për plastikën, ka raportuar The Wall Street Journal.

Nuk ekziston një zgjidhje e thjeshtë për të ndalur mikroplastikën, grimca mikroskopike që shkëputen nga produktet plastike, depërtojnë në mjedis, dhe përfundimisht në trupin tonë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithatë, komuniteti i biznesit dhe ligjvënësit duhet të veprojnë më shpejt për të reduktuar përdorimin e plastikës dhe për të gjetur alternativa, u tha në një konferencë të mbajtur javën e kaluar në Universitetin e New Yorkut.

Studimet mbi mikroplastikën, dhe grimcat edhe më të vogla, nanoplastikën, kanë shtuar shqetësimet për faktin se gjithçka, nga paketimet e ushqimit deri te mikrorruazat në produktet kozmetike, po lëshon grimca që mund t’i përtypim apo t’i thithim pa e ditur.

Sipas Daniel Schensul nga Bezos Earth Fund, shqetësimet shëndetësore për mikroplastikën kapërcejnë vijat politike, çka rrit mundësinë për ndryshime në politikat qeveritare dhe ato të korporatave.

“Do të dëgjoni nëna që flasin për ‘ta bëjmë Amerikën sërish të shëndetshme’, por edhe aktivistë mjedisorë, dhe jam i sigurt se gjithnjë e më shumë njerëz shqetësohen për ngrohjen e ushqimit në enë plastike në mikrovalë”, ka thënë ai.

Schensul ka përmendur edhe një projektligj dypartiak në Kongresin amerikan për të hetuar rreziqet shëndetësore të mikroplastikës.

“Ky mund të duket si një problem i pamundur. Është i padukshëm dhe tashmë global”, ka shtuar ai.

Mbi 400 milionë tonë plastikë prodhohen çdo vit në botë dhe vetëm rreth 10 për qind riciklohen, sipas të dhënave të United Nations Environment Programme.

Një studim i publikuar vitin e kaluar në revistën shkencore The Lancet e cilëson plastikën si “rrezik të madh, në rritje dhe të nënvlerësuar për shëndetin e njeriut dhe të planetit”.

Hulumtimet tregojnë se grimcat plastike qarkullojnë në zinxhirin ushqimor, në tokë, ujë dhe ajër. Përveç rreziqeve të mundshme për njerëzit, ato mund të dëmtojnë algat dhe të ndikojnë negativisht në prodhimet bujqësore.

Edhe pse nevojiten më shumë studime për dëmet e sakta, prodhuesit përballen me një sfidë serioze.

Sipas Alyson Fick nga ASTM International, kompanitë duhet të mendojnë që në fillim për mundësinë që produktet e tyre të lëshojnë mikroplastikë dhe të dizajnojnë produkte që minimizojnë dëmet gjatë gjithë ciklit të jetës së tyre.

“Shumë kompani kanë filluar të mendojnë në këtë mënyrë, dhe kjo duhet të jetë pjesë e procesit të kërkimit dhe zhvillimit që nga fillimi”, ka thënë ajo.

Jeff Weinhold, studiues në “Dow Chemical”, një nga prodhuesit më të mëdhenj të plastikës në botë, ka thënë se kompania po punon për të përmirësuar qëndrueshmërinë e materialeve.

Qëllimi është krijimi i produkteve më elastike dhe më të forta, të cilat edhe nëse dëmtohen, të mos shpërbëhen në grimca të vogla.

“Shtysa më e madhe për këtë ndryshim vjen nga konsumatorët. Kur ata thonë: ‘Dua paketim me më pak mikroplastikë’, kjo bën diferencë”, ka thënë ai.

Shumë konsumatorë në SHBA dhe Kanada tashmë shmangin produkte për shkak të paketimit plastik.

Disa kompani po përpiqen të përfitojnë nga kjo kërkesë.

Një prej tyre është “Anew Material”, e cila prodhon manikyr thonjsh dhe pretendon se nuk përmban petrokimikate dhe mikroplastikë.

Sipas themelueses Jiye Son, edhe produktet alternative të vogla mund të nxisin ndryshime më të mëdha në industri.

Megjithatë, gjetja e zëvendësuesve efektivë për plastikën është e vështirë dhe zakonisht më e kushtueshme sesa materialet me bazë fosile.

“Pyetja më e shpeshtë është: Kur do t’i shohim këto alternativa në treg dhe me çmim konkurrues?”, ka thënë Son.

Sipas Kidd Solomon nga New York City Economic Development Corp., alternativat duhet të përshtaten me sistemet ekzistuese të prodhimit që të mund të zëvendësojnë plastikën në mënyrë reale.

“Mund të kesh materialin më të mirë në botë, por nëse kushton 10 herë më shumë, askush nuk do ta përdorë”, ka thënë ai.