Tri vaksina të reja po zhvillohen për ta luftuar llojin e rrallë të Ebolas që tashmë ka shkaktuar vdekjen gati 250 personave, raporton “BBC”.
Nisma Ndërkombëtare për Vaksinën kundër Sidas (IAVI), e cila po punon për një vaksinë, tha se shpërthimi po kërcënon të bëhet më i rëndi ndonjëherë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoUniversiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike Moderna po hulumtojnë gjithashtu vaksina kundër llojit Bundibugyo.
Koalicioni për Inovacione në Gatishmërinë ndaj Epidemive, i cili po financon secilin grup, tha se "çdo ditë ka rëndësi".
Tani ka më shumë se 1,000 raste të dyshuara në Republikën Demokratike të Kongos, me nëntë raste të konfirmuara në Ugandën fqinje.
Po rritet shqetësimi se ky shpërthim – i cili u zbulua vetëm pasi ishte përhapur në një zonë konflikti me burime të kufizuara shëndetësore – mund të arrijë përmasat e shpërthimit më të madh të Ebolas ndonjëherë në Afrikën Perëndimore në vitet 2014-16. Atëherë, gati 29,000 persona u infektuan dhe më shumë se 11,000 vdiqën.
"Mendoj se kjo qartazi po kërcënon të bëhet një shpërthim po aq i rëndë sa ai, në mos edhe më i keq, dhe zhvillimi i një vaksine, si dhe i masave të tjera kundërvepruese, është qartazi prioritet”, tha doktori Mark Feinberg, drejtues i IAVI-t.
Kjo pasqyron shqetësimet e organizatës humanitare mjekësore Médecins Sans Frontières (MSF), e cila tha se situata ishte "thellësisht alarmante" dhe se kurrë më parë nuk ishin regjistruar "kaq shumë raste" kaq shpejt.
Vaksinat duhet të zhvillohen për secilin lloj të veçantë të Ebolas – janë gjashtë të tillë, por vetëm tre dihet se shkaktojnë shpërthime.
Ekziston një vaksinë për llojin më të zakonshëm, Zaire, por ky shpërthim po shkaktohet nga një lloj tjetër, i quajtur Bundibugyo. Ai është parë vetëm dy herë më parë dhe nuk ka vaksinë të miratuar.
IAVI po punon në një version të modifikuar të vaksinës kundër Ebolas së llojit Zaire për ta luftuar Bundibugyo. Vaksina eksperimentale është testuar te majmunët, ku trajnoi me shpejtësi sistemin imunitar dhe siguroi mbrojtje afër 100%.
Feinberg tha se provat e deritanishme e bënin atë "optimist për potencialin", por aktualisht do të duheshin shtatë deri në nëntë muaj që vaksina të ishte gati për prova klinike – megjithëse ata po përpiqen t’i "përshpejtojnë këto afate".
Ndërkohë, kompania farmaceutike Moderna ka njoftuar se po përdor teknologjinë e saj mRNA – e cila u përdor për zhvillimin e shpejtë të vaksinave gjatë pandemisë së Covid-19 – për të punuar kundër Bundibugyo.
"Do të veprojmë me urgjencë dhe rigorozitet shkencor për ta mbështetur reagimin dhe për të ndihmuar që një vaksinë e mundshme të arrijë më afër komuniteteve që kanë më shumë nevojë për të”, tha Stephane Bancel, drejtor ekzekutiv i Modernas.
Dhe Universiteti i Oksfordit ka bërë të ditur tashmë se po punon me teknologjinë e vet të vaksinës, e cila gjithashtu shpëtoi jetë gjatë Covidit, për të zhvilluar një vaksinë të re kundër Ebolas.
Kjo duhet të jetë gati për prova klinike brenda dy deri në tre muajve.
Secila vaksinë synon të trajnojë organizmin që të njohë të njëjtën strukturë në sipërfaqen e virusit – të njohur si glikoproteina Bundibugyo. Megjithatë, secila përdor një teknologji të ndryshme për ta arritur këtë.
IAVI përdor një virus të gjallë, por të padëmshëm, i cili është modifikuar gjenetikisht në mënyrë që të ketë edhe glikoproteinën e Ebolas. Sistemi imunitar lufton virusin e padëmshëm dhe në këtë proces mëson të luftojë edhe Ebolan.
Vaksina mRNA dhe vaksina e Oksfordit dërgojnë në organizëm një fragment kodi gjenetik. Pasi hyn në trup, ai urdhëron ndërtimin e glikoproteinës Bundibugyo, të cilën organizmi e njeh si të huaj dhe fillon ta sulmojë.
Të gjitha këto do të thonë se sistemi imunitar ka një avantazh paraprak kur vjen puna te luftimi i një infeksioni të vërtetë me Ebola.
Megjithatë, ndryshimet në teknologji dhe në mënyrën se si ato trajnojnë sistemin imunitar mund të ndikojnë në nivelin e mbrojtjes ose në numrin e dozave të nevojshme. E gjithë kjo duhet të testohet në prova klinike.
Koalicioni për Inovacione në Gatishmërinë ndaj Epidemive (CEPI) po financon fazat e hershme të kërkimit
"Me virusin Bundibugyo që po përhapet me shpejtësi dhe pa vaksina të licencuara, çdo ditë ka rëndësi në garën kundër kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse”, tha doktori Richard Hatchett, drejtor ekzekutiv i CEPI.
E drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se “një vaksinë kundër Bundibugyos mund të ndihmojë kontrollimin e kësaj epidemie dhe ta forcojë gatishmërinë për shpërthimet e ardhshme”.