Nvidia ka njoftuar një çip të ri për kompjuterët personalë, ndërsa po hyn në tregun e konsumatorëve për pajisje të integruara me teknologjinë e inteligjencës artificiale, raporton "BBC".
"Kjo rishpikje e kompjuterit është po aq e rëndësishme sa rishpikja e telefonit në atë që sot e njohim si telefonat e mençur”, tha drejtori ekzekutiv i Nvidias, Jensen Huang, teksa prezantoi çipin RTX Spark.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoHuang e bëri njoftimin të hënën gjatë një fjalimi kryesor përpara hapjes së panairit teknologjik Computex në Tajvan.
Ndërkohë, të dielën, SHBA-ja shtrëngoi rregullat për shitjen e çipave më të avancuar të Nvidias për kompanitë kineze.
RTX Spark është "një superçip i ri... për epokën e agjentëve personalë të inteligjencës artificiale – duke ofruar një klasë të re kompjuterësh që kalojnë nga mjet pune në bashkëpunëtor", tha Nvidia në faqen e saj zyrtare.
Ai do të përfshihet në një linjë të re kompjuterësh Windows të prodhuar nga Lenovo, HP, Dell, Microsoft Surface, Asus dhe MSI. Këta pritet të jenë në dispozicion në vjeshtë, ndërsa modele nga Acer dhe Gigabyte do të pasojnë më vonë.
Ky hap përbën një sfidë për emra të njohur në tregun e kompjuterëve personalë si Apple dhe Intel.
Lenovo, HP, Dell dhe Apple përbënin pothuajse 75% të tregut botëror të kompjuterëve personalë në tre muajt e parë të këtij viti, sipas kompanisë kërkimore Gartner.

Nvidia tradicionalisht është përqendruar në krijimin e Njësive të Përpunimit Grafik (GPU) – çipa të specializuar të projektuar fillimisht për të përpunuar me shpejtësi grafikat kompjuterike për videolojëra, por që tani përdoren gjerësisht edhe për t’i fuqizuar sistemet e inteligjencës artificiale.
Charlie Dai, nënkryetar dhe analist kryesor në kompaninë kërkimore teknologjike Forrester, tha se njoftimi tregon se Nvidia po bën një ndryshim nga një "furnizues komponentësh" në një "pronar të arkitekturës" në tregun e kompjuterëve personalë.
"Kjo do të sfidojë drejtpërdrejt Intel, AMD dhe Qualcomm dhe do të rrisë presionin konkurrues në performancë, efikasitet dhe integrimin e inteligjencës artificiale", tha ai.
Një pjesë e njoftimit është përqendruar në partneritetin me Microsoftin për të ofruar atë që Nvidia pretendon se do të jetë një "platformë e fuqishme dhe e sigurt Windows" e fuqizuar nga çipi RTX Spark për agjentët e inteligjencës artificiale – programe autonome softuerike si OpenClaw të drejtuara nga inteligjenca artificiale.
"Qëllimi ynë është të sjellim inteligjencë të pakufizuar në çdo shtëpi dhe në çdo tavolinë pune me Windows”, tha Satya Nadella, kryetar dhe drejtues i Microsoftit. "RTX Spark shënon një përparim të vërtetë drejt këtij vizioni”.
Rritja e madhe e qendrave të të dhënave, që fuqizojnë inteligjencën artificiale, e ka ndihmuar Nvidian të bëhet kompania më e vlefshme në botë, me një vlerë tregu prej më shumë se 5 mijë miliardë dollarësh.
Të dielën, SHBA-ja ndërmori hapa për të mbyllur një boshllëk të mundshëm për dërgimin e çipave si procesorët Blackwell të Nvidias.
Udhëzimet e publikuara nga Departamenti i Tregtisë, Byroja e Industrisë dhe Sigurisë (BIS), sqaruan se kërkohet licencë për eksportin e çipave më të avancuar të inteligjencës artificiale te degët e kompanive kineze të vendosura jashtë Kinës.
Washingtoni është përpjekur të ndalojë kompanitë kineze të blejnë çipat kompjuterikë të nivelit të lartë që nevojiten për zhvillimin e teknologjive kyçe të inteligjencës artificiale.