Luftarake

Distria Krasniqi, xhudistja më e ranguar në botë

Distria Krasniqi

Medalja në Kampionatin Botëror ia ka mundësuar Distria Krasniqit që të dalë në pozitën e parë në ranglistën botërore të xhudos. Madje, ajo e ka numrin më të madh të pikëve prej të gjitha xhudisteve dhe të gjithë xhudistëve në botë.

Kjo vlerësohet e arritur shumë e rëndësishme.

Ranglista e re është publikuar të hënën, ndërsa ndryshimet janë të shumta pas Kampionatit Botëror që përfundoi javën e kaluar në Budapest të Hungarisë.

Në publikimin e kaluar, Distria ishte e dyta në kategorinë deri në 52 kilogramë me 5655 pikë. 5700 pikë i kishte francezja Amandine Buchard.

Medalja e argjendtë në Kampionatin Botëror ia ka siguruar xhudistes kosovare plot 1400 pikë. Dhe tani Distria udhëheq në ranglistën e kategorisë deri në 52 kilogramë me 7055 pikë. Buchard tani është e dyta në kategori.

Kampionia botërore, Uta Abe, avancoi për gjashtë pozita dhe tani është e pesta me 4352 pikë. Për medalje të artë, Abe, u “shpërblye” me 2000 pikë në ranglistë.

Ranglista botërore formohet bazuar në suksesin nëpër gara. Ka rëndësi të madhe për ta siguruar normën olimpike dhe për t’i përcaktuar bartësit nëpër garat e rëndësishme. Ka të bëjë edhe me rejtingun e xhudistëve, po ashtu.

Por, xhudistja kosovare, Krasniqi, nuk është e para vetëm në kategorinë e saj. Ajo është e para në mesin e xhudisteve nga të gjitha kategoritë. E dyta prej xhudisteve është francezja e kategorisë mbi 78 kilogramë, Romane Dicko. Ajo i ka 6650 pikë. Italiania Alice Bellandi e kategorisë deri në 78 kilogramë është e treta me 6595 pikë.

Distria ka pikë më shumë se edhe gjithë xhudistët. Pra, është e ranguara e parë në grupin e miliona xhudistëve nëpër botë.

I pari prej xhudistëve është rusi Inal Tasoev me 7000 pikë. Japonezi Sanshiro Murao, i kategorisë deri në 90 kilogramë, i ka 6895 pikë.

Medalje në Kampionat Botëror fitoi edhe Laura Fazliu. Ajo ishte e treta në kategorinë deri në 63 kilogramë dhe fitoi medalje bronzi. Fazliu nga vendi i gjashtë doli në të tretin në ranglistën e kategorisë deri në 63 kilogramë. Para saj janë Catherine Beauchemin-Pinard e Kanadasë dhe Haruka Kaju e Japonisë.