Mbi 1000 garues morën pjesë në Kampionatin Evropian të karatesë për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21 që u mbajt në Limasol të Qipros në fundjavë.
Por jo edhe karateistët e Kosovës.
Kosova nuk u lejua të marrë pjesë me simbole shtetërore në Evropianin në Qipro. Pjesëmarrja pa simbole nuk ishte opsion.
Konfirmimin se karateistët e Kosovës nuk do të lejohen të garojnë të barabartë me garuesit e vendeve të tjera, Federata kosovare e mori javë më parë.
KOHA ka siguruar komunikimin që Federata e Karatesë e Kosovës ka pasur me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qipros, Federatën e Karatesë të këtij vendi dhe Federatën Evropiane të Karatesë.
Përfaqësueses së Kosovës nuk i është lejuar paraqitja me të drejta të barabarta dhe për këtë arsye është vendosur që karateistët të mos udhëtojnë për të marrë pjesë në ngjarjen kryesore kontinentale.
Ishte Qeveria e Qipros që vendosi se garuesit e Kosovës nuk mund të garojnë me simbole shtetërore në Evropian. Vendimi i Qeverisë së Qipros ishte pranuar nga Federata Evropiane e Karatesë dhe kështu karateistët kosovarë mbetën jashtë garës që nisi të premten dhe përfundoi të dielën.
Qiproja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe ka vendosur të vazhdojë me qëndrim diskriminues ndaj sportistëve kosovarë.
Në letrën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qipros bëhet e qartë arsyeja pse sportistët e Kosovës nuk mundën të merrnin pjesë me simbole shtetërore në Evropian.
“Republika e Qipros nuk e njeh pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës. Marrë në konsideratë këtë, Republika e Qipros nuk lejon përdorimin e simboleve që mund të nënkuptojë njohje”, shkruan në letrën e 16 janarit.
Komunikimi i sekretarit të përgjithshëm të Federatës kosovare, Nazmi Gashi, kishte nisur më 12 janar.
Gashi i kishte shkruar sekretarit të Federatës Evropiane të Karatesë, Davor Cipek, i cili ia kishte bërë të qartë se Kosova mund të marrë pjesë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga “ministria kompetente e Qipros”.
Më 20 janar, Federata kosovare pranoi letër nga president i Federatës së Karatesë të Qipros, Fotis Marathovouniotis.
Në letër shkruan se paraqitjen me simbole shtetërore të Kosovës, karateistëve nuk ua lejon qeveria e Qipros.
“Federata e Karatesë së Qipros duke iu përmbajtur në mënyrë strikte udhëzimeve dhe rregulloreve të Republikës së Qipros, nuk është në gjendje të shfaqë asnjë simbol, flamur apo himn kombëtar të Kosovës. Megjithatë, pjesëmarrja juaj mund të lejohet nën simbolin e Federatës së Karatesë së Kosovës, që nuk bie nën asnjë kufizim. Dëshirojmë të theksojmë se Federata e Karatesë e Kosovës është e mirëpritur të marrë pjesë normalisht në Kampionatin Evropian”, shkruan në letrën e Federatës së Karatesë të Qipros.
Tri ditë më pas Federata kosovare mori tjetër letër ku i bëhej me dije se nuk mund të marrë pjesë e barabartë me shtetet tjera në Evropian.
Kryetar i Komitetit Organizativ të Federatës Evropiane të Karatesë, Marton Falusi, i shkroi federatës kosovare më 23 janar se është e obliguar t’i respektojë ligjet e Qipros.
“EKF nuk ka luajtur asnjë rol në përcaktimin e këtyre kushteve ligjore dhe nuk ka autoritet për t’i ndryshuar ato. Objektivi kryesor i EKF mbetet të sigurojë pjesëmarrjen e garuesve sa herë që është e mundur, duke respektuar plotësisht rrethanat ligjore mbizotëruese. Në këtë kontekst, EKF kërkon t’i ofrojë Federatës së Karatesë së Kosovës dhe sportistëve të saj mundësinë për të garuar, dhe një zgjidhje e mundshme - nëse është e pranueshme për Federatën tuaj - do të ishte pjesëmarrja nën emrin dhe flamurin e Federatës së Karatesë së Kosovës. Qëllimi ynë mbetet të ofrojmë mbështetje dhe të ruajmë bashkëpunim konstruktiv. Presim përgjigjen tuaj pozitive”.
Por kjo mënyrë e pabarabartë e përfaqësimit nuk është pranuar nga drejtuesit e karatesë kosovare.
Kosova edhe tri vjet më parë nuk u lejua të paraqitej me të drejta të barabarta në Evropianin për kadetë, juniorë dhe për grupmoshën U21. Edhe ai Evropian ishte organizuar në Qipro.
Karateistët në vend se në arenë kishin qëndruar në tribuna.
“Nuk kemi dashur të shkojmë, të bëjmë shpenzime si në vitin 2023 dhe të kthehemi pa garuar. Kemi marrë vendim në bord ekzekutiv që pa simbole nuk do të marrim pjesë. Të njëjtin vendim e kemi miratuar edhe në Kuvendin e Punës. Pa simbole nuk kemi shkuar. Ashtu do të jetë edhe në Kampionatin Ballkanik për seniorë që do të mbahet në Banjallukë. Atje është organizatore Federata e Republika Srpskas të Bosnjë-Hercegovinës. Atje ku pretendojmë se nuk do të lejohet paraqitja me simbole shtetërore, kemi vendosur të mos marrim pjesë”, ka thënë Nazmi Gashi.
Ndryshe mendon selektori i Kosovës për seniorë dhe U21, Isak Curri. Ai vlerëson se Kosova duhet të paraqitet në ngjarjet kontinentale edhe kur nuk u lejohen simbolet.
“Rusia, si superfuqi, sot garon pa flamur dhe himn, nën emra neutralë si WKF ose EKF. Ndërsa ne, që mund të prezantohemi me emrin Kosovë, por pa flamur, zgjedhim mungesën totale. Kjo nuk i ndëshkon shtetet që nuk na njohin — kjo i ndëshkon sportistët tanë. Nëse vazhdojmë kështu, do të humbim jo vetëm gara, por edhe gjenerata, ëndrra dhe shpresa. Unë besoj se edhe pa simbole, prezenca jonë fizike është forma më e fortë e afirmimit të shtetit tonë. Prandaj bëj thirrje publike që sportistët tanë të mos privohen më nga kampionatet evropiane dhe botërore për arsye politike. Le të mos bëhet bojkoti praktikë. Uroj që Federata, Komiteti Olimpik dhe MKRS-ja të gjejnë një zgjidhje të mençur, të drejtë dhe mbi të gjitha në interes të sportistëve tanë”, shkruan Curri.