Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, nuk do të mbajë një vit burgim për dënimin për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Dënimi me burgim atij i është zëvendësuar me gjobë.
“Duke vendosur në kërkesën e mbrojtjes së të dënuarit, Milorad Dodik, për ta zëvendësuar dënimin me burgim, me gjobë, në përputhje me rregullat ligjore, Gjykata vendosi që propozimi të pranohej dhe dënimi i Dodikut u zëvendësua me gjobë”, thuhet në njoftim të Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës.
Dodiku pos burgimit ishte dënuar edhe me gjashtë vjet përjashtim nga aktiviteti politik.
Ai duhet të paguajë gjobën prej rreth 18 mijë eurosh për 30 ditë.