Këngëtari, Harry Styles, dhe aktorja, Zoë Kravitz, po përjetojnë një romancë serioze, e cila, sipas burimeve, po bëhet gjithnjë e më e fortë.
“Harry dhe Zoë kanë një lidhje të vërtetë, kjo është dashuri. Aktualisht janë në fazën e muajit të mjaltit dhe pothuajse nuk ndahen fare”, ka thënë një burim për revistën The Sun.
Dyshja janë parë shpesh bashkë në vende të ndryshme të Evropës gjatë muajve të fundit. Ndërkohë, Kravitz pritet të kthehet në Londër për xhirimet e një filmi dhe, siç tregon burimi, “ajo do të qëndrojë tek Styles ndërsa është atje.
“Kanë kaluar një verë të mrekullueshme bashkë dhe marrëdhënia e tyre po bëhet çdo ditë më serioze”, ka thënë burimi.

Ky burim ka shtuar se Styles ka lënë përshtypje shumë të mirë edhe te babai i Zoës, rok ylli Lenny Kravitz, i cili miraton lidhjen e vajzës së tij.
“Zoë mendon që Harry është ‘cool’ pa u munduar aspak, dhe kjo është diçka shumë tërheqëse në Hollywood, ku shumica përpiqen me çdo kusht të bëjnë bujë ose të mbeten relevantë. Ai i trajton të gjithë njësoj, pa marrë parasysh nëse janë të famshëm apo jo, dhe këtë ajo e sheh shumë ‘cool’. Lenny është pikërisht ashtu, dhe duke u rritur me një baba të famshëm, Zoë ka mësuar që të jetë e sjellshme dhe të mos sillet si një divë,” ka shpjeguar burimi.

Në shtator, një tjetër burim për revistën People pati treguar se Lenny “e pëlqeu menjëherë Harryn” pas takimit të tyre të parë.
“Lenny e mbron shumë Zoën, por u duk qartë që i pëlqeu ta takonte Harryn. Miqtë e Lennyt thanë se ai e pa që Harry ishte i sjellshëm, i thjeshtë dhe vërtet i interesuar për ta njohur familjen. Ata qeshnin shumë gjatë drekës dhe Lenny vlerësoi ndjenjën e humorit që ka Harry. I pëlqen kur dikush di ta mbajë atmosferën”, ka thënë burimi.
Më tej, burimi pati shtuar se Lenny nuk është tip që i shpreh emocionet hapur.
“Duke parë mënyrën si u soll me Harryn, dukej qartë që ishte i qetë dhe i rehatshëm me të, dhe për Lennyn, kjo do të thotë shumë. Në fund të ditës, ajo që ka më shumë rëndësi për të është që Zoë të jetë me dikë që e vlerëson vërtet. Ai nuk ndërhyn në jetën e saj, dhe sipas miqve, nëse Harry vazhdon ta trajtojë kështu, Lenny është plotësisht pro kësaj lidhjeje”, ka thënë burimi.