Showbiz

Will Smith akuzohet se përdori AI-në për ta shtuar turmën e adhuruesve

Will Smith

Will Smith

Foto: Associated Press

Artisti i njohur amerikan, Will Smith, është akuzuar se e ka përdorur inteligjencën artificiale në një video promovuese për turneun e tij veror, ka raportuar “The Independent”. Sipas shkrimit, dyshimet janë që me inteligjencë artificiale është rritur numri i fansave.

Aktori dhe reperi i njohur nisi pjesën e turneut në Britani “Based on a True Story” të dielën (24 gusht) në Scarborough, në mbështetje të albumit të tij më të ri.

Para koncerteve, në kanalin e tij zyrtar në YouTube u publikua një video me titull: “Pjesa ime e preferuar e turneut është kur ju shoh nga afër. Faleminderit që edhe ju më shihni mua”.

Mirëpo, pamjet kanë ngjallur dyshime. Në to shihen fytyra të deformuara të fansave, duar me gjashtë gishta, gjymtyrë të mjegulluara dhe detaje të tjera të çuditshme që shpesh ndodhin në imazhet e gjeneruara nga AI-ja.

Në një prej sekuencave, një burrë mban një pankartë ku shkruan: “‘You Can Make It’ më ndihmoi të mbijetoj kancerin. Faleminderit Will”.

Por ndërkohë, gruaja para tij duket sikur po i mban dorën, teksa shiritin e kokës së një tjetër gruaje prapa e ka të vendosur mbi dorën e saj, duke krijuar një imazh të pakuptimtë.

Adhuruesit kanë reaguar menjëherë në komente.

“Imagjino të jesh kaq i pasur dhe i famshëm dhe të përdorësh turma të rreme nga AI… Tragjike, vëlla”, ka shkruar njëri prej tyre.

Një tjetër kritikoi: “Videografët ekzistojnë, pse të heqësh dorë nga puna cilësore për këtë mbeturinë degjenerative?”

Të tjerë vunë në dukje detajet të tjera.

“Nuk dua të jem ai tipi, por: shumë njerëz në turmë duken me gjashtë gishta, sytë e mjegulluar, fytyra të deformuara. Kjo e vërteton që pothuajse të gjitha klipet e turmës janë gjeneruar nga AI”, ka shkruar një person.

Ndërkohë një tjetër ka shtuar se: “Hej Will, këta akrobat për rregullim imazhi nuk po shkojnë askund. Çfarë mendon, se jemi dele? Nuk mund të jesh kaq injorant, është turpëruese”.

Kjo polemikë vjen në kohën kur AI-ja është temë e nxehtë në industrinë muzikore.

Shumë artistë kërkojnë mbrojtje më të forta për veprat e tyre, ndërsa disa të tjerë kritikohen për përdorimin e saj.

Vetëm disa javë më parë, Rod Stewart u përball me reagime për një homazh që u quajt “mosrespektues” për Ozzy Osbourne, ku përdori një video me imazhe të AI-së që e tregonin Osbournein duke pozuar me yje të ndjerë si Tina Turner, Prince, Bob Marley, Michael Jackson e Kurt Cobain.

Albumi i Will Smithit, “Based on a True Story”, i publikuar në muajin mars, u prit me kritika të përziera. The Independent i dha dy yje, duke e quajtur “rep solid”, por me tekste “të cekëta, të gjysmë-përgatitura”.