Nëpërmjet portreteve të vajzave të reja xhudiste, që Anaïs Horn dhe Verena Walzl i quajnë monumentale, poezisë në stil japonez dhe elementeve të performancës, projekti rishqyrton figurën e heroit. Jo përmes narrativave tradicionale por përmes përditshmërisë së xhudos si praktikë sportive. Në qendër janë vajzat e reja që stërviten. Një brez që shkon duke u formuar dhe si imazh i së ardhmes si bartëse të sukseseve të tanishme të skenës vendore të sportit në arenën botërore. Si krenari në ardhje
Arti bashkëkohor dhe sporti janë takuar në një dialog të pazakontë në hapësirën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
“Butësia kontrollon fortësinë” e artisteve Anaïs Horn dhe Verena Walzl është prezantuar aty si projekt që ndërthur mediume të ndryshme artistike për të reflektuar mbi kuptimin e heroizmit, disiplinës dhe forcës në shoqëritë bashkëkohore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe fotografi statike e lëvizëse si dhe me performancë artistike janë eksploruar koncepte të ndryshme që mund të bartë butësia. E kuruar nga Blerta Hoçia, ekspozita sjell para publikut hulumtimin e dy artisteve, të përkthyer në vepra vizuale që iu shpalosën publikut të premten mbrëma.
Nëpërmjet portreteve të vajzave të reja xhudiste, që artistet i quajnë monumentale, poezisë në stil japonez dhe elementeve të performancës, projekti rishqyrton figurën e heroit. Jo përmes narrativave tradicionale por përmes përditshmërisë së xhudos si praktikë sportive. Në qendër janë vajzat e reja që stërviten. Një brez që shkon duke u formuar dhe si imazh i së ardhmes si bartëse të sukseseve të tanishme të skenës vendore të sportit në arenën botërore. Si krenari në ardhje.
Energjia dhe përkushtimi i këtij brezi bëhet metaforë e një heroizmi të ri.
Projekti ka lindur nga një bashkëpunim i gjatë midis dy artisteve. Sipas Verena Walzl, ideja ka marrë formë pas një periudhe rezidence artistike në Paris.
“Kemi filluar në një pikë komplet tjetër. Unë kam qenë në rezidencë në Paris së bashku me Anais. Atje kemi bërë shoqëri dhe pas shumë vitesh ajo ka ardhur në Kosovë të më vizitojë. Ajo ka punuar me fotografitë me adoleshentë dhe më ka pyetur se çfarë mund të punojmë në Kosovë sepse ka thënë se unë e di kontekstin”, ka thënë ajo duke shpjeguar idenë e trajtimit të praktikës së tyre në kontekstin e Kosovës. “Ka qenë interesante se medaljen e parë olimpike e ka marrë një femër. Pastaj kemi menduar për vajzat e reja të cilat janë duke ushtruar xhudo. Ashtu kemi nisur bashkëpunimin. Kemi kontaktuar klubin e xhudos dhe ashtu, procesi ka zgjatur shumë derisa kemi ardhur këtu në fund. Kam filluar të lexoj manualë për xhudon, shumë kam hulumtuar për filozofinë e xhudos sepse nuk kam ditur më parë”, ka thënë ajo në vazhdim të fjalës së saj.

Ajo është angazhuar në ekspozitë me pjesën e videove të shfaqur në disa ekrane në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës si dhe në poezinë e gravuar në një pasqyrë në të cilën gjithkush mund ta gjejë veten tek kombinon imazhin e vetvetes me vargjet e shkruara në stilin e haikut.
“Kam studiuar në Akademinë e Arteve në Vjenë me dy profesorë: njëri i specializuar për performancë bashkëkohore dhe tjetri për skulpturë tekstuale. Ashtu, jam duke shkruar, jam edhe poete dhe këtu kam kombinuar mediumet. I kam bërë tekstet dhe performancat. Ka edhe gravime në pasqyrë në formën e haikus që është formë e poezisë japoneze me tre rreshta. Bazohet në imazhet që kam marrë kur kemi qenë në Pejë për të takuar xhudistët”, ka thënë artistja dhe shkrimtarja, e diplomuar në Studime të Letërsisë Gjermane dhe Histori Arti në Universitetin e Grazit dhe në Skulpturë Tekstuale dhe Art Performativ në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë.
Sipas prezantimit, praktika e saj kombinon tekstin, instalacionin dhe performancën, duke eksploruar feminizmin, gjuhën, marrëdhëniet njeri-kafshë dhe strukturat e pushtetit përmes qasjeve poetike dhe politike.
Veprat ngrihet si një lloj instalacioni tekstili ku imazhet e xhudisteve të reja qëndrojnë të pavarura, por duke i parë në pozita të ndryshme të hapësirës, imazhet edhe kombinohen midis vete si rrjedhojë e transparencës nga materiali i hollë në të cilat janë printuar fotografitë. Ato janë realizuar nga artistja Anaïs Horn e lindur në Graz. Me sfond në letërsi dhe dizajn komunikimi, ajo u diplomua në shkollën “Friedl Kubelka” për Fotografi të Artit të Bukur në Vjenë.
Praktika multidisiplinare e saj lëviz rrjedhshëm nëpër media, duke krijuar ambiente intime, shpesh specifike për vendin. Sipas prezantimit të punës së saj, ajo gjurmon tensionin midis pranisë dhe mungesës, ku rrëfimet personale – fragmente autobiografike, biografitë e figurave historike – evoluojnë në reflektime më të gjera mbi ekzistencën bashkëkohore dhe se si kujtimet dhe historia/rrëfimet e saj jehojnë përmes objekteve dhe hapësirave.
Ajo tregon se bashkëpunimi me vajzat xhudiste kërkonte besim dhe kohë.
“E filluam këtë projekt për mbi dy vite më parë falë Verena Waltzl e cila ka bashkëpunuar me mua për shumë vite dhe erdhi me këtë ide sepse kemi punuar paraprakisht me projekte me vajza të së njëjtës moshë në Paris”, ka bërë me dije ajo.
Ndryshe nga projektet e mëparshme me balerina, këtë herë artistet vendosën të eksplorojnë energjinë e një sporti në rritje në Kosovë. Ajo e ndërton projektin mbi një qasje intime dokumentare.
“Nevojitej një lloj besimi që mund të bësh këto lloj portretesh intime dhe të zhvillosh këtë lloj intimiteti që është diçka që vjen nga puna jonë paraprake që është shumë e rëndësishme për mua. Është një lloj fotografie dokumentare, por duke u përpjekur të përfshijmë këto xhudiste. Puna shkoi mirë dhe bëmë fotografi gjatë seancave trajnuese, por gjithmonë duke u përpjekur të jenë në plan sa më të afërt që të ketë një lloj intimiteti. Nuk kishte lidhje mosha, por mbase më shumë kahu i karrierës së tyre i cili ende nuk është arritur, por është në lëvizje”, ka thënë Horn.
Fotografitë janë realizuar gjatë seancave të stërvitjes, në momente kur lëvizja, përqendrimi dhe lodhja krijojnë një intimitet të rrallë vizual.
Në imazhet e saj, trupat dhe lëvizjet duket sikur shkrihen me njëra-tjetrën, duke krijuar transparencë dhe butësi vizuale.
“Është një teknikë që e përdor shumë për këto tema sepse dua të fokusohem në gjendje të dyanshme. Shihni imazhe që shkrihen me njëri-tjetrin, që përzihen, sheh përtej tyre në transparencën e imazhit, butësi, lëvizjen që nuk do të ndodhte në një material më të fortë”, ka bërë me dije artistja.
E kuratorja Blerta Hoçia e ka lidhur titullin e ekspozitës me filozofinë e vetë sportit të xhudos.
“Është një fjalë që vjen nga kuptimi i përkthyer i vetë xhudos si sport. Ndoshta do të kishim nevojë në këtë moment për heronj që nuk janë vetëm të fortë, por edhe më të butë. Pikërisht për këtë arsye, fokusi i punës së dy artisteve ndalet tamam jo në heronj të përfaqësimeve kombëtare, por në vajzat e reja që ushtrojnë këtë sport. Si një premtim, por edhe si një shpresë për të ardhmen”, ka thënë ajo.
Ka paralelizuar fotografitë e vajzave në fotografi me imazhet e figurave të shquara në katin sipër Bibliotekës.
“Punët artistike që i shihni të varura si monumentale dhe këto fotografi, portretizojnë këto vajza të reja, i shohim pak si në avullim dhe po të vini re janë së bashku me portretet e baballarëve të kombit tonë. Pra, meqë ata janë të gjithë meshkujt, në këtë rast, artistet kanë dashur të vlerësojnë pak më shumë, jo vetëm femrat, feminitetin, por edhe rininë”, ka thënë ajo.
Ekspozita “Butësia kontrollon fortësinë” e artisteve Anaïs Horn dhe Verena Walzl mbetet e hapur deri më 15 maj.