Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Gjiganti i mendimit filozofik që nuk heshti për Kosovën

Jürgen Habermas duke mbajtur ligjëratë në Fakultetin Teknik në Universitetin e Dresdenit, më 9 dhjetor 1998

Jürgen Habermas duke mbajtur ligjëratë në Fakultetin Teknik në Universitetin e Dresdenit, më 9 dhjetor 1998

Qe një nga mendimtarët më me ndikim të shekullit të 20-të dhe i tillë mbeti deri në vitet e fundit të jetës. U bë edhe zë i Kosovës. “Në kulmin e luftës në Kosovë, Habermas u përfshi në debatin intelektual mbi legjitimitetin e intervenimit të NATO-s kundër Serbisë”, ka kujtuar ndër të tjera profesori universitar i filozofisë, Blerim Latifi. “Në planin shoqëror dhe politik, Habermasi ishte një zë i rëndësishëm publik, duke u shprehur shpesh për çështje që lidhen me demokracinë, sferën publike dhe integrimin evropian. Në vitin 1999 Habermas ishte pjesëmarrës në debatin për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s ndaj Serbisë duke e mbrojtur këtë intervenim”, ka thënë profesoresha e përkthyesja e gjermanishtes, Blertë Ismajli

Ikja nga kjo botë e Jürgen Habermasit tingëllon si mbyllje e një kapitulli të mendimit evropian. Megjithatë vepra e tij është e përjetshme tashmë. Me vdekjen e filozofit të shquar u shua një nga zërat më të fuqishëm të botës akademike bashkëkohore. Filozofi konsiderohet institucion më vete i mendimit kritik e edhe mbrojtës i dinjitetit njerëzor. Sikur kur ngriti zërin kur filozofia e tij u lidh me fatin e shqiptarëve më 1999 kur u përfshi në debatin ndërkombëtar mbi legjitimitetin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe duke argumentuar në favor të saj. Ai vdiq të shtunën në moshën 96-vjeçare.

Qe një nga mendimtarët më me ndikim të shekullit të 20-të dhe i tillë mbeti deri në vitet e fundit të jetës. Ai nuk ishte asnjëherë indiferent ndaj çështjeve politike. Ishte intelektual me plot kuptimin e fjalës duke marrë pjesë në debate politike evropiane për dekada të tera. Demokracia e identiteti ishin ndër tematikat që e preokuponin. Edhe në rastin e historisë së Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zëri i arsyes për të drejtën e shqiptareve

Filozofia e tij u lidh drejtpërdrejt edhe me fatin historik të shqiptarëve të Kosovës në vitin e fundit të shekullit të kaluar. Në kulmin e luftës në Kosovë kur vendi përballej me brutalitetin e regjimit serb, Habermasi u bë edhe zë i Kosovës. Nuk heshti në një kohë kur shumë intelektualë hezitonin. Argumentoi publikisht në favor të ndërhyrjes për të ndaluar katastrofën humanitare.

“Nëse nuk ka rrugë tjetër, fqinjët demokratikë duhet të jenë në gjendje të ndërhyjnë shpejt për ndihmë emergjente të legjitimuar sipas ligjit ndërkombëtar”, ishte shprehur ai. Sipas tij, ndërhyrja ishte moralisht e justifikuar sepse synonte mbrojtjen e një popullate që ishte bërë objekt i dhunës dhe spastrimit etnik.

Ky qëndrim i tij e lidh fort emrin e filozofit të shquar me kujtesën politike të vendit. Filozofia u ngrit në mbrojtje të dinjitetit të Kosovës.

Profesori universitar i Filozofisë, Blerim Latifi, ka thënë se me këtë, Habermas argumentonte se të drejtat e njeriut kanë përparësi në raport me të drejtat sovrane të shteteve.

“Në kulmin e luftës në Kosovë, Habermas u përfshi në debatin intelektual mbi legjitimitetin e intervenimit të NATO-s kundër Serbisë. Në artikullin e tij të famshëm ‘Egërsia dhe humaniteti’ ai argumentonte se ndërhyrja e NATO-s kundër Serbisë, edhe pse nuk mbështetej në legalitetin e ligjit ndërkombëtar, moralisht ishte e justifikuar për arsye se bëhej për të mbrojtur një popullatë që ishte bërë cak i dhunës dhe spastrimit etnik”, është shprehur Latifi për KOHËN.

Sipas tij, ky është “argument i përpunuar gjatë në filozofinë perëndimore që thekson të drejtat natyrore të njeriut si të drejta të pacenueshme nga pushteti sovran i shtetit”.

Blertë Ismajli, profesoreshë në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, duke u bazuar në këto fakte, e ka konsideruar filozofin gjerman si zë të rëndësishëm publik.

“Në planin shoqëror dhe politik, Habermasi ishte një zë i rëndësishëm publik, duke u shprehur shpesh për çështje që lidhen me demokracinë, sferën publike dhe integrimin evropian. Në vitin 1999 Habermas ishte pjesëmarrës në debatin për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s ndaj Serbisë duke e mbrojtur këtë intervenim”, ka thënë ajo për KOHËN.

Pikërisht Ismajli ishte ajo që bëri që vepra e fundit e filozofit të shquar të fliste edhe në shqip. Në qershor të 2023-tës, në kuadër të Panairit të 23-të të Librit në Prishtinë pati promovuar përkthimin në shqip të veprës “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative”.

Profesoresha Ismajli e ka vlerësuar Jürgen Habermasin si “një nga filozofët dhe teoricienët socialë më me ndikim të kohës sonë, i cili në veprën e tij ndërthur filozofinë, sociologjinë, shkencat politike dhe teorinë e gjuhës dhe lidhet ngushtë me traditën e Teorisë Kritike të Shkollës së Frankfurtit”.

Kritiku i “zhurmës së zëshme” të mediave sociale

“Veçanërisht e rëndësishme është teoria e veprimit komunikativ (Theorie des kommunikativen Handelns), në të cilën Habermas argumenton se mirëkuptimi shoqëror nuk arrihet përmes pushtetit apo veprimit strategjik, por përmes komunikimit racional dhe shkëmbimit argumentues të ideve. Në këtë mënyrë, gjuha bëhet mediumi kryesor i integrimit shoqëror. Pikëpamja e tij optimiste për historinë, për një epokë moderne gjithnjë më racionalizuese që po i përafrohej përmbushjes, u errësua përsëri në vitet e fundit të jetës së tij. Shkatërrimit të sferës publike nga ‘zhurma e zëshme’ e mediave sociale ai në vitet e fundit i kushtoi një ese kritike”, ka shpjeguar Ismajli.

Sipas saj, Habermasi konsiderohet si një nga mendimtarët qendrorë të teorisë moderne të demokracisë, kjo ngase, siç ka thënë, filozofi i shquar tregon se arsyeja publike, komunikimi dhe debati kritik janë kushte themelore për funksionimin e një shoqërie demokratike.

Filozofi e sociologu i përmasave botërore vdiq në qytetin Starnberg pranë Mynihut, ku jetonte që prej vitit 1971. Lajmin e ka bërë të ditur shtëpia botuese gjermane “Suhrkamp”.

Iluministi i emancipimit të njeriut

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, drejtuar fëmijëve të filozofit të ndjerë, ka thënë se humbja e Habermas është humbje e një mendimtari të thellë iluminist që ka përshkuar kontradiktat e modernitetit.

“Ai na mësoi etikën e diskursit demokratik dhe vendosi emancipimin e njeriut si një qëllim të domosdoshëm. Për shumë dekada, Jürgen Habermas ka formuar, pasuruar dhe avancuar diskursin shkencor dhe politik në vendin tonë dhe shumë më gjerë. Puna e tij kombinoi saktësinë teorike, fuqinë analitike, vetëreflektimin kritik, fuqinë e gjuhës dhe ndërhyrjen republikane në një mënyrë të pagabueshme”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur fushatën e filozofit për të rrënjosur lirinë, barazinë dhe dinjitetin njerëzor në komunitetin gjerman.

“Ai dha një kontribut të rëndësishëm në hapjen intelektuale të vendit tonë ndaj kulturës politike të Perëndimit pas Luftës së Dytë Botërore në rrugën e suksesshme drejt një demokracie të konsoliduar. Ai bëri fushatë me pasion për kapërcimin e nacionalizmit, për Bashkimin Evropian si një mësim nga lufta, gjenocidi dhe sundimi totalitar. Së fundi, duke pasur parasysh situatën dëshpëruese politike globale, ai i bëri thirrje Evropës të bëhet aq e aftë për të vepruar si një akter politik global sa mund të pretendojë se merret seriozisht”, ka thënë më tej presidenti gjerman.

Pos në rastin e Kosovës, ai gjithashtu pati mbrojtur të drejtën e azilit gjatë krizës së emigrantëve në vitin 2015.

Mendimtari i forcimit të një identiteti evropian

Sipas biografisë, Jürgen Habermas u lind në Düsseldorf në vitin 1929. Që i ri ishte i interesuar në çështjet sociale dhe pasi studioi filozofi, ekonomi dhe letërsi gjermane, fillimisht punoi si gazetar i pavarur.

Ai mori doktoratën në filozofi në Bon në vitin 1954. Teza e tij postdoktorale e vitit 1961 me titull “Transformimi strukturor i sferës publike” mbetet një vepër inovative që eksploron evolucionin dhe rëndësinë e opinionit publik dhe sferës publike në shoqëritë demokratike. Po kjo vepër flet edhe në shqip.

Autori i saj u rrit në hijen e nazizmit, përvojë kjo që la gjurmë në veprën e tij e cila shtronte pyetje se si mund të parandalohej një përsëritje e Holokaustit. Misioni i tij ishte të ushqente modele komunikimi përmes të cilave anëtarët e një shoqërie mund të synonin të balanconin interesat e tyre të ndryshme.

Habermas e përpunoi më tej konceptin e tij të sferës publike pasi u zhvendos në Starnberg pranë Mynihut për t’u bërë bashkëdrejtor i institutit “Max Planck” në vitin 1971. Atje ai botoi veprën e tij kryesore me dy vëllime “Teoria e veprimit komunikues” më 1981 në të cilën ai propozonte që gjuha dhe komunikimi duhet të jenë themeli i një shoqërie në të cilën debati i hapur dhe opinioni publik i arsyetuar nxisin progresin shoqëror.

Profesori universitar i filozofisë, Blerim Latifi, ka thënë se Habermasi është padyshim një nga filozofët më me ndikim në filozofinë e shekullit të 20-të.

“Veprat e tij kanë influencuar jo vetëm debatet filozofike të këtij shekulli, por edhe debatet akademike në shkencat sociale dhe po ashtu debatet e mëdha politike, sidomos ato mbi demokracinë dhe Bashkimin Evropian. Habermasi ishte një mendimtar i forcimit të një identiteti evropian përtej dallimeve nacionale. Kuadri teorik i filozofisë së tij ishte teoria kritike e shoqërisë dhe vazhdimi i projektit iluminist të racionalizmit”, ka thënë Latifi.

Sipas tij, Habermas në fakt ishte “mbrojtësi më konsekuent i këtij projekti në shekullin e 20-të. Në rrafshin akademik ai është ndër tre a katër mendimtarët më të cituar bashkëkohorë. Kjo tregon peshën dhe influencën e filozofisë së tij”.

Fakt interesant se pse atë e ngacmonte kryesisht tema e komunikimit gjatë gjithë jetës së tij është fati i tij të lindte me buzë të çarë dhe ngacmimi që i ishte bërë për këtë si fëmijë.

Habermas u vlerësua me Çmimin Gjermano-Francez të Medias në vitin 2018 dhe pasi mbushi plot nëntë dekada jetë një vit më pas, botoi veprën “Also a History of Philosophy” me dy vëllime dhe me plot një mijë e 700 faqe. Vepra, sipas shpjegimit, është vështrim mbi evolucionin e racionalitetit dhe arsyes njerëzore që kritika e quajti “një kryevepër erudicioni dhe sinteze”.

Pasi ka marrë çmime të rëndësishme ndërkombëtare gjatë gjithë karrierës së tij, përfshirë çmimin ndërkombëtar “Memorial Holberg” më 2007 që kishte vlerë rreth 520 mijë euro, në vitin 2021 ai pranoi dhe më pas refuzoi një çmim prej 225 mijë eurosh nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai vendosi se ishte gabim të pranonte çmim nga monarkia e akuzuar për shtypje ngase e shihte se me këtë binte ndesh me parimet e tij të lirisë së mendimit dhe debatit të hapur demokratik.

Si përfaqësues i Shkollës së Frankfurtit, njihet veçmas për punën e tij lidhur me konceptin e modernitetit, ndërsa puna e tij përqendrohet edhe në themelet e epistemologjisë dhe teorisë sociale, analizën e kapitalizmit dhe demokracisë së përparuar e disa çështje të tjera. Sistemi teorik i tij i kushtohet zbulimit të mundësisë së arsyes, emancipimit dhe komunikimit racional-kritik të fshehur në institucionet moderne dhe në kapacitetin njerëzor për të menduar dhe ndjekur interesa racionale.

Shoqata e Filozofëve të Kosovës e konsideron Habermasin si filozof me ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin bashkëkohor në shkencat sociale dhe mendimin politik perëndimor si trashëgimi e mendimit iluminist.

“Filozofi gjerman u bë emër i madh në filozofinë perëndimore sidomos pas botimit të magnum opus-it të tij ‘Teoria e Veprimit Komunikativ’ në dy vëllime – që krijoi një sfond të ri konceptual në mendimin filozofik e sociologjik perëndimor. Ndër të tjera, Habermas, në vitin 1999 ishte i rreptë në argumentimin dhe mbrojtjen publike të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s ndaj Serbisë”, shkruhet në reagimin e Shoqatës për vdekjen e filozofit botëror.

Më 24 prill të 1999-s – fiks një muaj pasi NATO nisi fushatën e sulmeve ajrore ndaj forcave serbe – u zbulua një asteroid nga NASA. Më 13 prill të 2006-s do të emërtohej sipas Jürgen Habermasit për të nderuar trashëgiminë e tij si mendimtar i madh. Edhe pas vdekjes së tij, ky asteroid qëndron si shkëmb në hapësirë, sikurse rri stoik emri i kolosit të mendimit bashkëkohor në botën e filozofisë dhe përtej.