Sport

Bayerni në presion, shpreson në golat e Kanet për Champions

Bayern Munichu i Harry Kanet pret Manchester Unitedin në nismë të kampanjës, në garën që ka rëndësi tejet të madhe për ekipin gjerman. Kjo ndeshje zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Allianz Arena” prej orës 21:00 dhe i takon Grupit A të Ligës së Kampionëve.

Pavarësisht dominimit në Gjermani, që e ka parë Bayernin të fitojë 11 titujt e fundit të Bundesligës, klubi bavarez e gjykon veten me paraqitjet në Ligën e Kampionëve. Që kur fitoi në Lisbonë në vitin 2020, Bayerni është eliminuar në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve tre vjet radhazi. Këto eliminime të hershme çuan në largimin e trajnerëve Hansi Flick dhe Julian Nagelsmann. Trajneri aktual i Bayernit, Thomas Tuchel, i cili mori drejtimin ekipit nga Nagelsmanni që kishte fituar tetë duelet e Championsit - është i vetëdijshëm se bavarezët këtë edicion duhet të paktën të arrijnë në gjysmëfinale.

Derisa ky synim nuk është i ri për Bayernin, shpenzimi i madh për transferimin e sulmuesit të Anglisë, Kane, e bën triumfin të Champions pothuajse të detyrueshëm.

“E kemi parasysh presionin dhe sigurisht që synojmë të shkojmë në paktën deri në gjysmëfinale për të mos thënë finale në këtë edicion në Champions. Nuk do të jetë aspak lehtë, por mendoj se kemi skuadër për të arritur këtë”, ka thënë Tuchel, i cili ndaj Unitedit do ta udhëheq ekipin nga tribunat për shkak të suspendimit.

Tuchel e njeh mirë Ligën e Kampionëve, garë të cilën e ka fituar një herë. Në vitin 2021 ai doli kampion i Evropës me Chelsean, ndërsa një vit më herët u mposht në finale me Paris Saint-Germainin. Tuchel ka pranuar se Bayerni është favorit, por ka shtuar se Manchester Unitedi është kundërshtar që nuk duhet nënçmuar, pavarësisht formës që ka treguar këtë edicion në Premier League.

Pas pesë ndeshjeve të luajtura deri më tani në kampionatin anglez, Unitedi ka tubuar vetëm gjashtë pikë dhe renditet në pjesën e poshtme të tabelës. Ndërsa Bayerni ka tubuar 10 pikë në Bundesligë pas tri fitoreve dhe një barazimi këtë edicion.

“Bazuar në formën aktuale mund të them se jemi favoritë, por mos të harrojmë se përballë kemi një ekip si Manchester Unitedi. Do të jetë një përballje e fortë dhe shpresoj që ekipi ta vazhdoj formën e mirë që e ka treguar në Bundesligë”, shtoi Tuchel.

Bayern theu rekordin e tij të transferimit për të joshur Kanen nga Tottenhami në verë, duke paguar 100 milionë euro për kapitenin 30-vjeçar të Anglisë. Me titujt e Bundesligës dhe Kupat e Gjermanisë që janë të zakonshëm për bavarezët, transferimi i Kanet ka rritur gjasat e Bayernit për të kapur trofeun e Championsit.

Vetëm duke fituar Championsin, vendimi i Kanet për t’u larguar nga Anglia do të shihet si sukses për sulmuesin. Kane nuk ka shfaqur shumë vështirësi në përshtatjen e tij te Bayerni, pasi ka shënuar katër gola në katër ndeshjet e para në ligë. Ai me padurim po e pret debutimin në Champions me ekipin e ri dhe përballja me Unitedin do të jetë e veçantë pasi më herët ishte pranë kalimit te ky ekip anglez.

Starti i Bayernit në Champions tradicionalisht është i furishëm, duke pasur parasysh se ka fituar ndeshjet hapëse në 19 edicionet e fundit. Bayerni dhe Unitedi janë dy nga klubet më të suksesshme në historinë e futbollit dhe kanë një rivalitet të madh mes veti, i forcuar nga fitorja e jashtëzakonshme e minutës së fundit të “Djajve të Kuq” në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 1999.

Unitedi në këtë ndeshje do të jetë pa Aaron Wan-Bissakan e lënduar, ndërsa mesfushori Sofyan Amrabat pritet të debutojë për ekipin anglez ndaj Bayernit. Amrabat, i cili iu bashkua Unitedit nga Fiorentina në ditën e fundit të afatit kalimtar, ende nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje për shkak të lëndimit, prej të cilit tashmë është rikuperuar.

“Bayerni përfundimisht është njëri prej favoritëve për ta fituar Championsin këtë edicion. Duke e pasur këtë parasysh, ne duhet të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të tregojmë karakterin tonë të vërtetë”, ka thënë trajneri i Unitedit, Erik ten Hag.

Në kuadër të xhiros së parë të fazës së grupeve në Champions, të mërkurën zhvillohen edhe shtatë ndeshje të tjetra, ku dy prej tyre startojnë në orën 18:45. Në këtë orar luhet dueli tjetër i Grupit A, ndërmjet Galatasarayt dhe Copenhagenit.

E mërkurë

Grupit A

Galatasaray – Copenhagen (18:45)

Bayern M. – Man. Utd (21:00)

Grupi B

Arsenal – PSV Eindhoven (21:00)

Sevilla – Lens (21:00)

Grupi C

Real Madrid – U. Berlin (18:45)

Braga – Napoli (21:00)

Grupi D

Benfica – Salzburg (21:00)
R. Sociedad – Inter (21:00)