Sporte të tjera

Ferizaj, Mitrovica, Prizreni, Istogu... “harta” e ekipeve me trofe të çmuar

Sport

Drita e Gjilanit e festoi të dielën titullin e kampionit të Kosovës në futboll, të cilin e kishte siguruar shumë javë më parë. Prishtina të enjten e fitoi Kupën e Kosovës në futboll. Të njëjtën natë, Rahoveci e fitoi titullin e kampionit të Kosovës në hendboll. Një ditë më herët, të mërkurën, Trepça u shpall kampione e Kosovës në basketboll.

Kështu, tashmë janë përcaktuar të gjithë kampionët dhe fituesit e kupës në katër sportet kryesore ekipore në të dy konkurrencat. Kampionati dhe kupa janë garat kryesore në vend. Ka edhe gara të tjera, por që për nga rëndësia nuk krahasohen me kampionat dhe me kupë.

Falë dominimit në volejboll, më së shumti trofe të rëndësishëm kanë përfunduar në qytetin e Ferizajt – gjithsej pesë. Për bazë janë marrë vetëm sukseset në nivelin e të rriturve, në futboll, basketboll, hendboll dhe volejboll.

Klubi i volejbollistëve Ferizaj e fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Te volejbollistet, kampion u shpall klubi Fer Volley, po ashtu nga Ferizaj. Ndërkohë Kupën e Kosovës e fitoi klubi i volejbollisteve Ferizaj.

Ndërkohë hendbollistët e Kastriotit e fituan Kupën e Kosovës. 

Mitrovica është qyteti i dytë me më së shumti trofe të çmuar – tre. Basketbollistët e Trepçës kanë fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Ndërkohë futbollistet e Mitrovicës u shpallën kampione të Kosovës.

“Ne kemi fituar edhe Superkupën, që në basketboll ka vlerë shumë të madhe, dhe për herë të dytë rresht kemi mbledhur gjithë trofetë. Kjo është dëshmi që klubi ynë funksionon si duhet. Secili i kryen me përgjegjësi detyrat që i takojnë ndërsa përkrahja nga tifozët dhe i gjithë qyteti është e jashtëzakonshme. Dëshmi për këtë është palestra vazhdimisht e stërmbushur me shikues. Sukseset e viteve të fundit janë mburrje, por edhe përgjegjësi për të ngritur edhe më shumë nivelin profesional. Tani kërkojmë hapa tutje në Evropë dhe natyrisht të vazhdojmë me dominim në basketbollin kosovar”, thotë Izet Tahiri, drejtor i klubit të basketbollit Trepça.

Te basketbollistet, dy trofetë e mëdhenj i fitoi Bashkimi i Prizrenit. Bashkimi po ashtu shquhet për organizim dhe seriozitet.

“Ndihemi krenarë për dominimin e klubit tonë në tre vjetët e fundit. I kemi fituar gjithë trofetë. Vazhdimi i dominimit nuk ishte i lehtë, por kemi krijuar strukturë të duhur dhe në fund të gjitha u shpaguan”, ka thënë Rrahman Perteshi, kryetar i klubit të basketbollisteve Prizreni.

Falë klubit të hendbollisteve, pjesë e hartës së sukseseve është edhe Istogu. KHF Istogu ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Ka vazhduar dominimin në vend, ndonëse ka shumë vjet që sfidohet shumë seriozisht. Palestra në Istog është mbyllur për shkak të një rinovimi të cilit nuk po i duket fundi. Ndeshjet si vendas, Istogu i luan në Banjë, dhjetëra kilometra larg.

“Mungesa e palestrës na penalizon shumë, por kjo i bën edhe më me vlerë sukseset që i kemi arritur dhe po i arrijmë. Jemi të lumtur që qytetin e bukur të Istogut e kemi futur në hartën e qyteteve të suksesshme, përkatësisht me trofe të çmuar të fituar. Shpresojmë që palestra të rinovohet shpejt dhe të kthehemi në shtëpinë tonë që të vazhdojmë me suksese të reja dhe paraqitje gjithnjë e më të mira në Evropë”, ka thënë Faruk Shala, trajner i KHF Istogut.

Në hendboll, kampion te meshkujt për herë të dytë rresht u shpall Rahoveci. Te ky klub kanë premtuar se ky është vetëm fillimi.

Në futboll, për dallim nga tri sportet e tjera, trofetë kanë përfunduar në katër klube të ndryshme. Titulli i kampionit te futbollistët shkoi në Gjilan falë Dritës. Kupa e Kosovës u fitua nga Prishtina, që kështu ruajti nderin e kryeqytetit. Një trofe i vetëm megjithatë vlerësohet pak për Prishtinën, duke ditur përqendrimin e sportistëve në kryeqytet dhe investimet e mëdha.

Kampione te futbollistet është Mitrovica, ndërsa fitues i Kupës te futbollistet për herë të parë është Dukagjini i Klinës.

Qytete të rëndësishme si Peja e Gjakova, por edhe qytete të tjera më të vogla kanë mbetur pa trofe të rëndësishëm në edicionin 2024/2025, në katër sportet kryesore kolektive në vend.

Futboll

Drita (kampione)

Prishtina (fituese e Kupës)

Mitrovica (kampione - f)

Dukagjini (fitues i Kupës – f)

Basketboll

Trepça (kampione)

Trepça (fituese e Kupës)

Bashkimi (kampion – f)

Bashkimi (fitues i Kupës – f)

Hendboll

Rahoveci (kampion)

Kastrioti (fitues i Kupës)

Istogu (kampion – f)

Istogu (fitues i Kupës – f)

Volejboll

Ferizaj (kampion)

Ferizaj (fitues i Kupës)

Fer Volley (kampion – f)

Ferizaj (fitues i Kupës – f)

Qytetet me më së shumti trofe të rëndësishëm në katër sportet kryesore

Ferizaj – 5

Mitrovica - 3

Prizreni - 2

Istogu – 2

Gjilani - 1

Prishtina – 1

Rahoveci -  1

Klina - 1