Tokio 2020

Distria shumë shpejt nis “sulmin” për suksese të reja në kategori të re

Xhudistja Distria Krasniqi ka filluar ta shijojë ndjenjën e triumfit në Lojërat Olimpike të Tokios. Para një jave, Krasniqi i solli Kosovës medaljen e parë të artë në Olimpiadën e Tokios. Ajo triumfoi në kategorinë deri në 48 kilogramë, kurse me padurim pret të kthehet në Kosovë për ta festuar edhe më mirë këtë sukses. Ajo ka thënë se nuk do të pushojë shumë, pasi menjëherë do t’i nisë stërvitjet për garat e tjera, në të cilat gjithashtu synon suksese të mëdha. Ndërsa, sa u përket Lojërave Olimpike të Parisit, që mbahen pas tre vjetësh, Distria ka synimet e qarta. Synon ta mbrojë medaljen e artë, apo të paktën të përfundojë në podium. Gjithashtu, Krasniqi, në një intervistë për KOHËN, ka zbuluar se pas suksesit në Olimpiadë do ta ndërrojë kategorinë. Ajo do të garojë në kategorinë deri në 52 kilogramë, pas pensionimit të Majlinda Kelmendit.

KOHA: Distria, është bërë një javë prej suksesit, si po ndiheni? Po besoj e përjetoni pak më ndryshe?

Distria Krasniqi: Po, tash po ndihem shumë më mirë, kam nisur ta ndiej shijen e fitores, sepse ditët e para kam qenë konfuze dhe nuk e kam ditur çfarë kam arritur, nuk kam ditur ta shijoj mirë. Tash kam filluar ta ndiej atë ndjenjën e fitores dhe besoj se kur të kthehem në shtëpi do të mund edhe të festoj më mirë.

KOHA: Mezi prisni të ktheheni në shtëpi, të pushoni. Ka qenë kohë shumë e gjatë me ngarkesë të lartë?

Distria Krasniqi: Kanë qenë vite me shumë ngarkesë këta pesë vjetët e fundit. Gjithmonë e kemi pasur mendjen te Tokio, te Lojërat Olimpike. Kemi pasur stërvitje shumë të rënda, përgatitje shumë të rënda. Tash është koha e pushimit dhe mezi pres të shkoj në Kosovë dhe besoj se do të na presin mirë atje. Do ta presin mirë suksesin tonë dhe normal vijnë pushimet dhe duhet t’i mbushim prapë bateritë për t’u kthyer sërish në gara.

KOHA: Nuk e keni ndërmend të pushoni gjatë, pritet t’u ktheheni garave shpejt brenda këtij viti, edhe pse ngarkesa ka qenë e madhe?

Distria Krasniqi: Ndoshta do të pushoj dy javë maksimum, sepse jam kthyer në kategorinë e re dhe duhet të kthehem sa më shpejt në stërvitje për t’i analizuar kundërshtarët e rinj. Tash i kam kundërshtarët krejtësisht ndryshe, është xhudo, është pak më ndryshe sesa në 48 kilogramë. Mezi pres që të kthehem sërish në gara. Shpresoj që të kthehem sa më shpejt dhe më e fortë sesa jam.

KOHA: Do të thotë është vendim përfundimtar që do të ktheheni në kategorinë deri në 52 kilogramë?

Distria Krasniqi: Po, është vendim përfundimtar për këtë vit, për një vit. Nëse gjithçka shkon mirë, ashtu siç e kam planifikuar, atëherë do të qëndroj në këtë kategori, po shpresoj.

KOHA: Cila besoni se është sfida më e madhe e ndërrimit të kategorisë?

Distria Krasniqi: Nuk besoj se do të jetë sfidë shumë e madhe. Personalisht unë mendoj se do ta kem më mirë. Në kategorinë deri në 52 kilogramë ndihem shumë më mirë, më me vetëbesim dhe më e fortë. I njoh pothuajse të gjitha kundërshtaret e mia. Mund të them që problem mund ta kem ndoshta vetëm me dy kundërshtare, francezen dhe japonezen Abe, që është një ndër xhudistet më të mira në botë. Por, mendoj që me shumë punë mund t’i mposhtë edhe ato. Kam shumë vetëbesim në kategorinë deri në 52 kilogramë.

KOHA: Kur ktheheni prapa dhe e analizoni ditën kur e morët të artën, çfarë mbani në mend më së shumti? Cili ka qenë momenti më i rëndësishëm i asaj dite?

Distria Krasniqi: E mbaj mend që prejse jam ngritur në mëngjes kam qenë shumë e qetë dhe nuk e kam menduar që janë Lojërat Olimpike, kam menduar se është si çdo garë tjetër. Kam qenë shumë e qetë, shumë me vetëbesim. Çfarë mbaj mend është që para çdo lufte kam dashur të hyj duke vrapuar, aq shumë energji kam pasur. Mezi kam pritur të dal e të luftoj. E mbaj mend edhe luftën finale, sekondat e fundit që më janë dukur si orë të tëra derisa kanë përfunduar. Ka qenë një luftë shumë e fortë, se me japonezen të luftosh në Japoni dhe të fitosh është një sfidë shumë e fortë dhe jam shumë e lumtur që e kam përfunduar ditën ashtu siç kemi pritur me vite.

KOHA: Ka bërë bujë suksesi, a jeni e kënaqur se si është pritur ky sukses, keni marrë shumë urime?

Distria Krasniqi: Po, kam marrë shumë urime. E kam pritur që do të jetë një lajm shumë i madh, por jo edhe aq shumë. Kam marrë mesazhe pafund, në telefon, thirrje, shumë urime dhe çfarë më ka bërë të ndihem shumë mirë është që të gjithë njerëzit kanë thënë që na ke bërë të qajmë, të kemi lot gëzimi. Është hera e parë për mua që e kam bërë aq shumë krenar vendin tim dhe sidomos familjen time, kështu që ndihem shumë mirë.

KOHA: Po besoj se do të na bëni krenarë edhe shumë herë. A jeni e gatshme dhe plot vullnet për suksese të tjera?

Distria Krasniqi: Tash kam shumë vullnet, sidomos për sfidën e re që do të dal, në 52 kilogramë. Mezi pres të kthehem sërish në gara edhe pse Toni po më thotë që duhet të pushoj më shumë e të kthehem në janar, por nuk besoj se do të mund të pres deri në janar për t’u kthyer në gara. Shpresoj që të mos kem lëndime dhe gjithçka të shkojë mirë dhe besoj shumë në vete, në punën e gjithë ekipit, punën e Tonit. Shpresoj shumë që edhe në Paris pas tre vjetësh në Lojërat Olimpike ta përsëris të njëjtin rezultat, ose të jem në podium.