OpEd

5 libra për një verë

Çfarë duhet të lexoni? Kjo është punë private e secilit. Megjithatë, në vijim një prezantim i shkurtër i pesë librave që nuk do t’jua ndryshojnë jetën tuaj, por gjithsesi do t’jua pasurojnë së paku këtë verë. Ose vitin

1. Fatos Lubonja: Jetë burgu

Fatos Lubonja mbetet disidenti i përjetshëm i Shqipërisë. Besimi i tij në vlera humane, lufta e tij për një Shqipëri ku sundon ligji dhe ku debati publik nuk është zhurmë, por garë e argumenteve më të mira – të gjitha këto e bëjnë Fatos Lubonjën një personalitet të rëndësishëm të demokracisë së gjymtë shqiptare. Libri i tij “Jetë burgu” meriton vëmendje të shtuar nga shumë lexues në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. Në këtë libër ai, përmes portreteve të njerëzve që ka njohur në burgjet komuniste, përshkruan ferrin e diktaturës. Lexuesi njoftohet, për shembull, me Ferit Lopën. I thoshin Ferit Lopa sepse kishte vjedhur një lopë në kooperativë. Për këtë e kishin futur në burg. Dhe në burg kishte vazhduar vjedhjen. U vidhte çdo gjë të burgosurve. Njëherë e futën në birucë – sepse kishte vjedhur diçka. Aty gjeti dy të burgosur të tjerë, të cilët për të kaluar kohën kishin gdhendur në dhogat (dërrasat) e dyshemesë një fushë shahu. E kishin bërë këtë me bisht të lugës apo me ndonjë gozhdë të futur fshehurazi në birucë. Figurat e shahut të burgosurit i kishin sajuar nga tuli i bukës. “Për t’i dalluar të zinjtë nga të bardhët, brumi i tyre përzihej me hirin e cigareve”, shkruan Lubonja. Një ditë Ferit Lopa, meqë s’kishte çka të vidhte në birucë, hëngri figurat e shahut – këtë e bëri derisa dy të burgosurit e tjerë po flinin. Një portret tjetër që të ngrin gjakun është ai i doktor Nuriut. Ai kishte mbaruar mjekësinë në Pragë, ishte kthyer në Shqipëri, ndërsa e dashura e tij çeke Vllasta, kishte mbetur në Çekosllovaki. Por ata do të takoheshin së shpejti, sikur Shqipëria të mos ndërpriste marrëdhëniet me të gjitha vendet e bllokut sovjetik. Nuriu tentoi të largohej nga Shqipëria përmes liqenit të Ohrit. Nuk ia doli. E futën në burg. Dhe kështu ia shkatërruan jetën. Kur ra komunizmi, Vllasta e ftoi Nuriun në Pragë. U takuan. U xhirua edhe një dokumentar për ta. Vllasta ishte martuar me dikë tjetër, ashtu siç e kishte porositur Nuriu nga burgu në Shqipëri – përmes një të burgosuri kosovar që pas vuajtjes së dënimit ishte kthyer në Kosovë. Një ditë Nuriu, tani burrë në të gjashtëdhjetat, vendosi t’i jepte fund jetës së tij. U hodh nga dritarja e katit të pestë të spitalit të Pragës.

2. Ala al-Asvani: Republika e ëndërrimtarëve

Ala al-Asvani është shkrimtari më i njohur bashkëkohor egjiptian. Dentist me profesion. Ka qenë njëri nga udhëheqësit e lëvizjes opozitare Kifaja (Mjaft). Në romanin e tij “Republika e ëndërrimtarëve” Ala al-Asvani përshkruan dështimin e revolucionit demokratik në Egjipt në vitin 2011. Është një kundër-rrëfim që sfidon të vërtetat zyrtare, që demaskon moralin e rrejshëm të jetës publike dhe private të shoqërisë egjiptiane, me protagonistë të llojllojshëm, studentë, xhelatë të sistemit, përkrahës të diktaturës, imamë hipokritë, njerëz të botës mediale që për interesa të ngushta ndërrojnë frontet.

3. Christiane Schlötzer: Stambolli – një ditë dhe një natë. Portret i një qyteti me 24 takime

Christiane Schlötzer ka qenë korrespondente shumëvjeçare e gazetave “Süddeutsche Zeitung” dhe “Tages Anzeiger” në Stamboll. Nga metropoli turk ka shkruar për zhvillimet në Turqi dhe Greqi. Përmes 24 portreteve të shkruara me shumë ndjeshmëri ajo ofron një panoramë politike, sociale, kulturore dhe religjioze të Stambollit. Flasin për jetën në Stamboll gruaja e një imami, Osman Kavala (filantropi turk, tashmë i dënuar me burg të përjetshëm nga “drejtësia” turke), Ethel Rizo (hebraike, greke, turke), një kuzhinier që është kthyer nga Gjermania në kërkim të zanafillës së shijes, një avokat që raporton me dëshpërim nga labirinti i burokracisë turke. Dhe shumë e shumë të tjerë. Një libër origjinal. I bukur.

4. Karl Schlögel: Vendimi në Kiev

Ky libër është botuar më 2015. Është libër profetik. Një vit pasi Vladimir Putini kishte pushtuar Krimenë (më 2014), historiani gjerman Karl Schlögel paralajmëronte Perëndimin se drama veçse kishte filluar dhe Ukraina do të shndërrohet në krizë botërore. Më 2022 ndodhi kështu. Libri i Karl Schlögel është ribotuar. Ka dalë në treg edhe si libër për ta dëgjuar. Përmes portreteve eseistike të qyteteve ukrainase, Schlögel prezanton një vend me kulturë e arkitekturë të pasur, me qytete që deri më sot nuk janë parë e njohur fare nga bota e jashtme (sepse këndvështrimi perëndimor ka qenë kryesisht injorant). Nga libri i Schlögel mësojmë se heterogjeniteti i një shoqërie nuk është patjetër mangësi, por mund të jetë përparësi.

5. Hans Peter Jost: Albania in Between. 1991–2021

Në vitet ‘60 Hans Peter Jost ishte djalë i ri dhe kishte ëndrra të mëdha. E dëgjonte në Zürich Radio Tiranën. Radio Tirana thoshte se shqiptarët jetojnë në parajsë. Radio Tirana emitonte emisione në mbi 20 gjuhë të ndryshme. Edhe në gjermanisht. Në Shqipëri, sipas Radio Tiranës, njerëzit ishin të lumtur, burrat e gratë të barabartë, socializmi triumfonte, ndërsa kapitalizmi në botën e urryer perëndimore gjendej para kolapsit. Shqipëria duhet të jetë një parajsë, kështu mendonte Hans Peter Jost. Në fillim të viteve ‘90, pas rënies së komunizmit, ai, tashmë fotograf i njohur zviceran, vizitoi Shqipërinë për herë të parë. Nuk e gjeti parajsën, por ferrin. Dhe fotografoi. Gjatë tri dekadave të ardhshme ai vazhdimisht ka dokumentuar përditshmërinë shqiptare, kaosin e viteve ‘90, piramidat e shembura financiare, njerëzit që duan vetëm të ikin diku në Perëndim. Këto fotografi janë dëshmi sa ka ndryshuar Shqipëria. Nuk është bërë vend i përsosur, as demokraci e përsosur, por kur e merr me mend se më 1991 njerëzit vuanin për bukë, ndërsa sot republika me dy dete (Jon dhe Adriatik) është një destinacion i preferuar për qindra-mijëra turistë nga Europa Perëndimore, atëherë ndryshimet (edhe pozitive) nuk mund të mohohen. Ka shpresë. Kjo është edhe porosia e fotografive të Hans Peter Jost.