Vizita e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, mund të ilustrohet me një anekdotë mbi vitin 2055. Dhe një shikim në Mesjetë.
Është viti 2055, bota perëndimore flet ende për problemet klimatike për shkrirjen e akullnajave në alpe dhe për ndotjen e ambientit. Në Prishtinë temë e ditës më 14 qershor 2055 është lajmi se Komuna e Deçanit, pas Komunës së Kamenicës, ka blerë veturë elektrike për zyrën e kryetarit. Temë tjetër e madhe është kjo: më 2055 Bullgaria bllokon negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian me arsyetimin se Kosova nuk po e pranon ekzistencën e «pakicës bullgare» në Kosovë. Bullgaria thotë se prejse është kurdisur dynjaja, në Dragash e rrethinë s’ka jetuar etni tjetër përveç bullgarëve. Ndërkohë, një shoqatë goranësh me seli në Dragash thotë se në fakt paraardhësit e tyre kanë qenë ilirë. Në ndërtesën e shoqatës së goranëve është vendosur një pankartë e madhe: «Jemi ilirë, nuk jemi bullgarë».
Qeveria e Bullgarisë bllokon po ashtu hyrjen e Malit të Zi në BE me arsyetimin se Podgorica po refuzon të pranojë se gjuha malazeze është dialekt i Bullgarisë perëndimore. Historianët bullgarë thonë se kanë zbuluar gjurmë të një pakice bullgare në Gjirin e Kotorit. Paraardhësit e kësaj pakice në Mesjetë thuhet se kishin bartur xehe nga Novobërda e Kosovës në Dubrovnik, atëbotë Republika e Raguzës, dhe ishin kthyer prapa në brendi të Ballkanit me mushka, kuaj e gomarë të ngarkuar me kripë të blerë në pazarin e Dubrovnikut.
Në qarqet nacionaliste bullgare ka ende figura që janë të hidhëruara me mbretin e Malit të Zi, Nikollën, për shkak se ky kishte refuzuar që njërën nga vajzat e tij ta martojë në shtëpinë mbretërore bullgare. Nikolla i Malit të Zi njihet si «vjehrri i Europës» pasi vajzën e tij Jelenën e kishte martuar me princin italian të kurorës Vittorio Emanuele III., i cili më vonë u bë mbret i Italisë. Kur Roma fashiste pushtoi Shqipërinë më 1939, Vittorio Emanuele III. mori titullin «Mbret i Shqipërisë» (deri në kapitullimin e Italisë më 1943). Rrjedhimisht, Elena e Malit të Zi u bë edhe mbretëreshë e Shqipërisë. Një vajzë tjetër të tijën Nikolla e martoi me mbretin e mëvonshëm të Serbisë, Peter Karagjorgjeviqin, dy vajza të tjera të monarkut malazez u martuan në familjet perandorake gjermane dhe ruse.
Në vitin 2055, Shqipëria gjendet nën presionin e madh të Bullgarisë dhe pranon jo vetëm ekzistencën e «pakicës bullgare», por shpall edhe Pogradecin kryeqytet të krahinës bullgare mes Pogradecit, Korçës dhe Dibrës. Planifikohet që të formohet edhe bashkësia e komunave bullgare të Shqipërisë verilindore. Mes Shkupit dhe Sofjes shpërthen një konflikt pothuaj i armatosur mbi përkatësinë etnike të shkrimtarit Sterjo Spasse, i lindur më 1914 në fshatin Glloboçen (ose Gollomboç) pranë Liqenit të Prespës. Në Tiranë Shoqata e Shkrimtarëve të Shqipërisë, e cila nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet që nga organizimi i një mbledhjeje komemorative me rastin e vdekjes së poetit Dritëro Agollit në vitin e largët 2017, i drejtohet opinionit bullgar dhe maqedonas me njoftimin se Sterjo Spasse është shkrimtar shqiptar.
Për të zbutur qëndrimet bullgare ndaj Kosovës, qeveria kosovare në vitin 2055 ia ndryshon toponimin Novobërdës në Qyteti Vlladisllav, në kujtim të Vlladisllav Gramatikut (Владислав Граматик), historian, shkrimtar, murg e dijetar bullgar, i lindur në vitin 1456 në Novobërdë. Qeveria e Kosovës po ashtu premton se çdo vit, në qershor, do t’i mbulojë shpenzimet e ekskursionit në Kosovë për nxënësit e shkollës «Vlladisllav Gramatik», e cila e ka selinë në Sofje.
Në vitin 2055, shteti dikur i Maqedonisë, i cili nën presionin grek e kishte ndërruar emrin në Maqedoni e Veriut, gjendet nën presion të ashpër të Sofjes për të ndryshuar emrin në Republika e Pirinit, bazuar në toponimin e kodrave në jugperëndim të Bullgarisë.
Më datën 13 qershor 2055 një gazetë gjermane citonte presidentin e Serbisë, Zhivorad Zhivadinoviq, duke thënë: «Është e vetëkuptueshme se unë jam kryetar i një shteti për të cilin është më e rëndësishme të flasë me kancelarin gjerman se sa do të ishte me rëndësi që kancelari gjerman të fliste me mua». Kancelari gjerman i vitit 2055 e ka emrin Helmut Hohl. Në raportin e tij gazetari gjerman i gazetës gjermane përkujtonte se në bazë të të dhënave arkivore, presidenti i dikurshëm serb Aleksandar Vuçiq kishte dhënë të njëjtën deklaratën më 10 qershor 2022, kur Beogradin e kishte vizituar kancelari i atëhershëm gjerman Olaf Scholz.
Si Vuçiqi dikur edhe Zhivadinoviqi i dha leksione kancelarit gjerman Helmut Hohl se nuk është dashur të kërkojë nga Serbia njohjen e pavarësisë së Kosovës. Presidentja e Francës Marion Maréchal, mbesë e popullistes djathtiste, Marine Le Pen, vazhdonte të bllokonte liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Si pasojë e emigrimit shumëvjeçar, numri i banorëve të Kosovës më 2055 ka rënë në 800 mijë. Jo më pak dramatike është gjendja në vendet e tjera të rajonit: Mali i Zi numëron 250 mijë banorë, Republika e Pirinit (ish-Maqedonia e Veriut) 900 mijë, Shqipëria 1,5 milion, Serbia 3 milionë.
Më 15 qershor 2055 kryeministri i Shqipërisë shkon për vizitë në Katmandu, në kryeqytetin e Nepalit, për të nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e këtij shteti aziatik për rekrutimin e punëtorëve të kualifikuar dhe të pakualifikuar, të cilët kërkohen urgjentisht si kamerierë dhe vjelës të dredhëzave në Shqipërinë e Mesme. (Në Shqipëri edhe në vitin 2055 dredhëzave ende u thonë luleshtrydhe).
Gjatë vizitës në Nepal, kryeministri i Shqipërisë rastësisht takoi kryeministren e Kosovës (në vitin 2055 Kosova për herë të parë ka në krye të qeverisë një grua). Kryeministrja ishte pjesë e një grupi bjeshkatarësh që për dy javë rresht ishin ngjitur në kodrat e Nepalit. Në vitin 2055 hiti i ri muzikor në viset shqiptare është një hit i vjetër: «Halle, halle kjo dynja».