OpEd

Kosova dhe efektet e 24 shkurtit

Agresioni rus kundër Ukrainës ka ndryshuar qëndrimet e BE-së dhe disa shteteve të BE-së ndaj Kosovës. Ky momentum duhet të shfrytëzohet nga pala kosovare.

Lajmi i fundit është ky: Parlamenti Europian miratoi sot një rezolutë ku theksohet se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet “të bazohet në njohjen të ndërsjellë”. 14 vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve të BE-së përmendet njohja e ndërsjellë.

Agresioni rus kundër Ukrainës ka ndryshuar qëndrimin jo vetëm të Parlamentit të BE-së, por edhe të disa shteteve të BE-së ndaj Kosovës. Ky momentum duhet të shfrytëzohet nga pala kosovare.

Ndonëse nuk ka dhënë ndonjë shenjë se do të pranojë shtetësinë e Kosovës, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, deklaroi më 24 qershor se Spanja do të pranojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sipas rekomandimit të Komisionit Europian. Qeveria e Kosovës dhe të gjithë akterët politikë që merren me avansimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare duhet të shtojnë përpjekjet për të vendosur kontakte me Spanjën. Nëse kjo nuk është e mundur në nivel të lartë politikë, së paku duhet të tentohet në nivele të tjera - përmes parlamenteve, shoqërisë civile, organizimit të ndonjë aktiviteti kulturor.

Ky vend ka mbajtur me vite qëndrim të ngurtë ndaj Kosovës. Në të kaluarën politikanë të grekëve qipriotë madje kanë thënë se nuk do ta pranojnë Kosovën edhe nëse këtë e bën Serbia. Tani Qipro ka sinjalizuar se do mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Këtë javë ministri i Jashtëm i Qipros u takua me kryeministrin e Kosovës gjatë një forumi të mbajtur në Greqi. Hapi i ardhshëm do të duhej të ishte shkëmbimi i ndonjë vizite me Kosovës dhe Qipros. Ndërsa në të kaluarën deputetë sllovakë shquheshin me qëndrime tejet të ashpra kundër pavarësisë së Kosovës, agresioni rus kundër Ukrainës që nisi më 24 shkurt, duket se ka pasur efekt edhe në Bratisllavë. Në fillim të qershorit kryeministri i Kosovës takoi ministrin e Jashtëm të Sllovakisë. Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Kosovës kanë arritur një nivel normalizimi që para disa vitesh as që mund të merret me mend. Ky proces ka filluar para sulmit rus kundër Ukrainës, por është intensifikuar dukshëm muajve të fundit, përfshirë vizitat e nivelit të lartë të politikanëve grekë në Kosovë dhe të atyre kosovarë në Greqi.

Përballë tensionimit të raporteve me Turqinë, Athina duket se është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira me shtetet fqinje në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Ky realizëm i politikës greke është kontribut i madh në stabilizimin e rajonit. Në vitin 1999 mijëra grekë solidarizoheshin me Serbinë dhe protestonin kundër sulmeve të NATO-s. Më 1995 një njësi mercenarësh grekë kishte marrë pjesë madje në sulmin e forcave serbe ndaj Srebrenicës. Këto lajme duken sikur të jenë nga një epokë e shkuar. Në këtë numërim shtetesh dhe institucionesh të BE-së që po japin sinjale të ndryshme, por pozitive ndaj Kosovës, mungon Rumania. Politikanët e këtij shteti nuk kanë provokuar me deklarata toksike ndaj Kosovës, por as nuk kanë treguar ndonjë interes të zbusin qëndrimin ndaj Kosovës. Duket se me këtë situatë disi është adaptuar edhe pala kosovare, së paku nuk shihet ndonjë përpjekje për të krijuar kontakte me qeverinë në Bukuresht.

Rezoluta e Parlamentit Europian për domosdoshmërinë e njohjes së ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës si dhe deklaratat pozitive të Spanjës dhe Qipros për çështjen e vizave sipas të gjitha gjasave nuk do të ndodhnin pa agresionin rus kundër Ukrainës. Në kohëra të kthesave të mëdha politike, edhe pozicionet ridizajnohen. Në këtë frymë duhet parë edhe deklaratën e kancelarit gjerman në Beograd se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e pranuar Kosovën. Deklaratë të tillë të qartë pala gjermane është dëgjuar ndoshta para një dekade, kur ministër i Jashtëm ka qenë (tashmë i ndjeri) Guido Westerwelle, i cili si në Beograd si në Prishtinë pati thënë se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës kufijtë në Ballkan janë skicuar përfundimisht.

Lëvizjet e fundit të institucioneve dhe shteteve të BE-së ndaj Kosovës, megjithatë, nuk duhet të mbivlerësohen. Mbetet ende shumë për të bërë sidomos nga ana e institucioneve të Kosovës. Nuk është ende e sigurt nëse Franca do të heq bllokadën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Një marrëveshje definitive mes Serbisë dhe Kosovës nuk duket askund në horizont. Ndonëse ambasadori amerikan në Kosovë nga mesi i majit tha se "beson në arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi gjatë mandatit të Kurtit e Vuçiqit". Por, shtoi ai, të dyja palët duhet të veprojnë "me urgjencë". Pala kosovare do të përballet me presione. Guri më i rëndë mbi shpatullat e Kosovës është "bashkësia e komunave serbe". Ky projekt politik është shpallur pjesërisht kundërkushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por vetëm pjesërisht, jo tërësisht. Rrjedhimisht, kjo qeveri, herët apo vonë, duhet të merret me këtë projekt që e ka trashëguar nga pushtetet e kaluara. Siç duhet të merret edhe me vendimin e drejtësisë kosovare për disa hektarë që parashihet t'i jepen Manastrit të Deçanit, bazuar në një vendim të një gjykate arbitrare serbe të marrë në fund të viteve 90-të.