OpEd

Ukraina, lufta dhe korrupsioni i harruar

Në indeksin global të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, Ukraina gjendet në vendin 122 – mes Nigerit dhe Zambisë dhe vetëm pak vende para Rusisë (136). Gjykata Evropiane e Auditorëve në një raport shkruan se dhjetëra miliarda të dhuruara nga BE-ja nuk kanë pasur kurrfarë efekti në reformimin e Ukrainës. Megjithatë, presidenti Vollodomir Zelenski minimizon problemin e korrupsionit, ndonëse në pushtet ka ardhur me agjendën antikorrupsion. Çfarë ka të bëjë krejt kjo me Ballkanin?

Në indeksin global të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, Kosova gjendet në vendin e 87-të (bashkë me Maqedoninë e Veriut). Shqipëria ndodhet në vendin e largët 110, Serbia 96, Mali i Zi (64) qëndron më mirë se Kosova dhe vendet e tjera të rajonit. Të gjitha vendet e Ballkanit janë para Ukrainës sa i përket perceptimit të korrupsionit, ndonëse edhe këtu ka dallime të mëdha, për shembull mes Shqipërisë dhe Malit të Zi apo edhe Kosovës.

Nga ana tjetër: Ukraina gjendet në vendin 122 – mes Nigerit dhe Zambisë dhe vetëm pak vende para Rusisë (136). Megjithatë, Komisioni i BE-së ka propozuar që Ukrainës t’i jepet statusi i vendit kandidat. Këtë javë pritet që vendimin definitiv ta marrin kryeministrat dhe presidentët e 27 shteteve anëtare të BE-së. Tri shtetet me ekonomitë më të fuqishme (Gjermania, Franca dhe Italia) kanë paralajmëruar se nuk do të bllokojnë shpërblimin e Ukrainës me statusin e vendit kandidat.

Ukraina është viktimë e agresionit rus. Ky vend ka nevojë për ndihmë nga BE-ja, nga mbarë Perëndimi. Ndihma nënkupton: armë, armë, armë për t’i rezistuar pushtuesit rus. Por a i ndihmohet këtij vendi edhe me premtimin për hyrje në BE? Në prononcimet e tyre politikanët ukrainas krijojnë përshtypjen se korrupsioni është një lëngatë gjithëbotërore. Po, korrupsion ka gjithkund. Por kur ministri i Jashtëm ukrainas thotë (në një intervistë për mediat gjermane) se tema e korrupsionit në Ukrainë është e mbivlerësuar, atëherë kjo tingëllon tepër arrogante dhe është mbyllje e syve para realitetit.

Jo vetëm Transparency International e ka notuar keq Ukrainën. Në shtator të vitit të kaluar Gjykata Evropiane e Auditorëve në një raport arriti në përfundimin se dhjetëra miliarda të dhuruara nga BE-ja nuk kanë pasur kurrfarë efekti në reformimin e Ukrainës. Sipas kësaj Gjykate, korrupsioni masiv dhe kapja e shtetit në kuptim të interesave private janë të përhapura gjerësisht. Gjykata kritikoi Komisionin e BE-së se shpeshherë ka qenë “tepër zemërgjerë” në vlerësimin e Ukrainës.

Pesë ditë pas fillimit të sulmit barbar rus kundër Ukrainës, presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski iu drejtua europarlamentarëve në Bruksel me këto fjalë: “Ne po ashtu po luftojmë për të qenë anëtar i barabartë i Evropës. Dëshmojeni se jeni në anën tonë. Dëshmojeni se jeni vërtet evropianë”. Zelenski, i cili ka ardhur në pushtet me agjendë antikorrupsion, kërkon që evropianët të tregojnë se janë evropianë. “E kemi merituar këtë të drejtë”, pra statusin e kandidatit, tha Zelenski të enjten që shkoi.

Përballë agresionit rus këto deklarata të Zelenskit nuk janë kritikuar. Por sa më të mëdha kërkesat pothuaj ultimative të Kievit për hyrje në BE, aq më këmbëngulës mund të jetë rezistenca brenda BE-së. Shumë shtete janë skeptike. Portugalia frikësohet se me hyrjen në BE të një vendi si Ukraina, edhe më shumë para do të shkojnë në këtë shtet dhe kësisoj do të vuajnë shtete të pjesës jugore si Portugalia. Vende të tjera të BE-së janë skeptike për shkak të qeverisjes së keqe shumëvjeçare të Ukrainës dhe rrezikut që Ukraina në BE do të jetë vetëm një “Bullgari tjetër”, por kësaj radhe shumë më e madhe me territor dhe popullsi.

Revista gjermane “Der Spiegel” citon një diplomat evropian të nivelit të lartë, i cili thotë: Zelenski “është Justin Bieber i politikës ndërkombëtare, një popstar, një hero serialesh. Të gjithë ne jemi vetëm statistë në një seri, të cilën e ka shkruar ai”. Përkrahësja më e flakë e integrimit të Ukrainës është kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila e ka urdhëruar aparatin e saj të burokratëve që t’i ndihmojnë Ukrainës në plotësimin e katalogut me pyetje nga Brukseli. Ky katalog përmban mijëra faqe. Von der Leyen beson (në mënyrë naive) se Ukraina falë digjitalizimit do të luftojë korrupsionin.

Shpejtësia me të cilën po shpërblehet Ukraina ka ngjallur zemërim në Ballkan – me të drejtë. Maqedonia (e Veriut) pret që nga viti 2005 për të nisur negociatat për anëtarësim. Ky vend e ka ndërruar edhe emrin pas presionit grek. Pastaj Bullgaria ka vënë kushte të tjera ndaj Shkupit, një kohë të gjatë ka bllokuar edhe Franca (dhe do të shihet së shpejti nëse do ta heqë bllokadën). Ndërsa Ukraina dhe Moldavia propozohen të jenë shtete kandidate për hyrje në BE, Kosova nuk gëzon as liberalizimin e vizave (një e drejtë që ukrainasit dhe gjeorgjianët e kanë nga viti 2017). Në asnjë mënyrë Ukraina dhe Moldavia nuk qeverisen më mirë se Kosova. Përkundrazi.

Në fund të fundit gjithçka është politikë, gjeostrategji dhe gjeopolitikë. Agresioni rus kundër Ukrainës i ka rrëzuar shumë parametra që nga BE-ja konsideroheshin të shenjta. Rrjedhimisht, BE-ja do të duhej t’u ofronte tani diçka edhe vendeve të Ballkanit e sidomos Kosovës. Nëse trajtimi i Ukrainës si nxënëse shembullore do të vazhdojë, frustrimi mbi BE-në në Ballkan do të rritet edhe më shumë.