Zgjedhjet 2025

Abrashi: 630 milionë euro të humbura për dy vjet e gjysmë masa

abrashi3

Emir Abrashi nga Democracy Plus ka thënë se një shtet që varet shumë nga partneriteti me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të duhej ta binte punën që të hynte nën sanksione.

“Dëmi financiar që i është shkaktuar Kosovës në këto dy vite e gjysmë nga bllokimi i fondeve të Bashkimit Evropian është shumë më i madh, është rreth 630 milionë euro. Nuk janë vetëm 7.1 milionë euro që janë humbur si pasojë e tejkalimit të afateve. Dëmi ekonomik është shumë më i madh se kaq. Kosova nuk e ka luksin të humbas kaq shumë para”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kosova ka humbur edhe investitorë strategjikë.

“Për më tepër nuk janë vetëm 181 milionë euro nga plani i rritjes të cilat diskutohen më shpesh, janë të miratuara 2.1 miliardë euro investime në Ballkanin Perëndimor në të cilat Kosova është përjashtuar tërësisht. Janë të gjitha këto së bashku që i bëjnë shumë problematike sanksionet që i janë vënë Kosovës”, ka shtuar ai.


Abrashi: Politika e jashtme - dështim i madh, MPJD-ja shërbeu si ministri e diasporës

Emir Abrashi nga Democracy Plus ka thënë se puna e Ministrisë së Punëve të Jashtme ka qenë dështim i madh në raport me politikën e jashtme.

Abrashi i cili ka monitoruar punën e kësaj ministrie në pesë vitet e fundit, ka deklaruar në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” se MPJD-ja ka shërbyer ekskluzivisht si Ministri e Diasporës dhe se 90% të aktiviteteve të saj i ka fokusuar atje dhe jo në vendet që nuk e njohin Kosovën.

“Kur flasim për politikën e jashtme unë vërej se ka dështime të mëdha të Kosovës në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare. Nga ajo që kam monitoruar në këto pesë vitet, që prej se është fuzionuar Ministria e Punëve të Jashtme me Ministrinë e Diasporës, nën lidershipin veçanërisht të Gërvallës, Ministria e Punëve të Jashtme ka shërbyer ekskluzivisht si Ministri e Diasporës apo 90% e aktivitetit të saj është fokusuar te diaspora. Në anën tjetër nuk ka pasur fokus real në thellimin e marrëdhënieve me shtetet aleate apo edhe me ato të cilat nuk na njohin, ka pasur vizita shumë të pakta të përfaqësueseve institucional të Kosovës jashtë vendit veçanërisht jashtë kontinentit evropian. Kemi pasur një qeveri e cila ka qenë deri diku e bllokuar në SHBA, nuk ka pasur takime të nivelit të lartë, as kryeministri, as kryediplomatja e Kosovës”, ka thënë Abarashi.

Tutje Abrashi ka thënë se edhe heqja e masave së fundmi nga Bashkimi Evropian është meritë vetëm e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sepse sipas tij Ministria e Punëve të Jashtme nuk është marrë shumë me këtë çështje.

“Në anën tjetër Kosova për herë të parë që nga përfundimi i lufës është futur nën sanksione të cilat për fatin e mirë dhe falë angazhimit personal të presidentes së Kosovës, këtë duhet ta potencoj se MPJD-ja nuk është që është marrë aq sa duhet me këtë temë, këto masa janë hequr tash së fundmi”, ka potencuar Abrashi.


Kryeziu: Veprimet e Kurtit në veri, një dorë e hekurt - ka shtrirë sovranitetin

Taulant Kryeziu, jurist, ka thënë se Qeveria Kurti ka treguar sukses me politikat që ka ndërmarrë në veriun e Kosovës.

Ai ka theksuar se ajo qeveri ka pasur qasje më të “hekurt” drejt shtrirjes së sovranitetit në veri. Sipas tij, në atë pjesë të vendit ka ndodhur një ndryshim i realitetit që nuk ka ndodhur ndonjëherë me qeverisjet e kaluara.

“Qasja që ka pasur Qeveria Kurti në procesin e dialogut ka pasur një qasje më të hekurt në raport me mënyrën si iu ka qasë raportit me Serbinë duke tentuar ta vendosë Kosovën më shumë në suaza të barazisë, si dy subjekte të barabarta. Politika e tij karshi pjesës veriore është pjesa më e suksesshme në këto 5 vjetët e tij, që është përpjekja më serioze ndonjëherë për ta shtrirë sovranitetin në atë pjesë. Nëse shohim çka ka ndodhur prej targave, referendumin, zhbërjen e strukturave paralele, ndalimin e dinarit, hapja e bizneseve atje, mbyllja e disa rrugëve ilegale, etj. Pra ka një ndryshim të realiteti. Kjo është hasë me një presion nga BE”, ka thënë Kryeziu në “Zgjedhjet në Kohë”.

Kryeziu e sheh të drejtë politikën e Qeverisë sa i përket veriut. 

"Ka pasur një reflektim në politikën e jashtme sepse ka qenë një dorë më e hekurt, në momente të caktuara jo e koordinuar, në syrin tim e drejt sa i përket veriut".