Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka premtuar se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të dyfishohet buxheti për bursa për studentët.
Kurti theksoi se studentët janë tregues i qartë i zhvillimit socio-ekonomik dhe kulturor të një vendi, duke vënë në pah mbështetjen që Qeveria ka dhënë gjatë mandatit aktual.
“Nuk ka kategori shoqërore që mund të tregojë më mirë se kah po shkon zhvillimi i një vendi sesa studentët e universiteteve. Gjatë këtij mandati qeverisës kemi ndarë afër 18 mijë bursa, me një buxhet të përgjithshëm prej rreth 20 milionë euro. Në mandatin e ardhshëm do ta dyfishojmë buxhetin për bursa”, ka shkruar Kurti.
Ai bëri të ditur se ndërmjet dy mandateve është iniciuar edhe Programi i Bursës së Mobilitetit për studentë, i cili ofron mbështetje shtesë për studentët që udhëtojnë për të ndjekur studimet jashtë vendbanimit të tyre.
Sipas Kurtit, aktualisht janë rreth 10 mijë përfitues nga ky program, ndërsa një grup prej tyre, së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, janë pritur sot në ambientet e Kryeministrisë.