Zgjedhjet 2025

Mërgimtarët shfrytëzuan të drejtën e votës nëpër përfaqësi diplomatike e konsullore

votim

Foto: Donika Gërvalla/Facebook

Me mijëra shtetas që jetojnë në mërgim e kanë shfrytëzuar të shtunën të drejtën e votës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës. Për ta ushtruar këtë të drejtë, një numër i madh syresh kanë udhëtuar me qindra kilometra për në përfaqësi diplomatike e konsullore të Kosovës. E disa prej atyre që votuan në Bruksel, e kualifikuan këtë si sakrificë që ia vlen

Qindra shtetas të Kosovës kanë votuar gjatë ditës së shtunë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.

Është kjo hera e dytë që shtetasit e Kosovës mund të votojnë nëpër përfaqësi diplomatike dhe konsullore jashtë vendit. Për këtë, ata është dashur të regjistrohen më herët.

Një numër i konsiderueshëm ka votuar edhe duke i dërguar fletëvotimet me postë.

“Mendojna na gjithmonë për vendin tonë, edhe pse jemi knejna. Edhe sakrifica e krejtve këtyne bashkëatdhetarëve, normal, nuk është e lehtë se ne jemi ardhë gati 200 kilometra për këtë. Do të thotë ia vlenë... S’ka ma kënaqësi. I kam ba disa vite në kurbet, kjo është hera e dytë që votoj”, ka thënë një qytetare.

Shumë qytetarë që kanë votuar gjatë ditës së shtunë në Bruksel janë shprehur të lumtur se tash e kanë një mundësi të tillë.

Pak më pak se 20 mijë veta janë regjistruar dhe konfirmuar për të votuar në 24 përfaqësi diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës nëpër botë.

Më së shumti votues të regjistruar në qytetet evropiane ka pasur në Dusseldorf të Gjermanisë, ku janë regjistruar 2 mijë 231, dhe në Cyrih të Zvicrës të regjistruar 2 mijë e 114.

Shumë votues ka pasur edhe në qendrat si Stutgart dhe Munich të Gjermanisë, dhe në Gjenevë të Zvicrës, ndërsa më së paku në Budapest dhe në Romë, ku janë regjistruar për të votuar më pak se 50 qytetarë.

Votimi në përfaqësi diplomatike është praktikë e shumë vendeve evropiane, sidomos e atyre që kanë diasporë të madhe.

Disa vende, si Kroacia dhe Italia, i kanë të rezervuara edhe vendet e caktuara në Kuvend për deputetët nga diaspora.