Zgjedhjet lokale

Cana dhe Hajdari kritikojnë qeverisjet lokale në Rahovec e Drenas

PDK - Drenas - Memli Krasniqi - Petrit Hajdari

Edhe të dielën, kandidatët e Partisë Demokratike për kryetarë komunash kanë përqendruar aktivitetet e fushatës në premtime dhe në kritika ndaj qeverisjeve lokale.

Edon Cana, që garon për kryetar në Rahovec, ka thënë se kryetari aktual, Smajl Latifi, ka udhëhequr pa vizion për më shumë se një dekadë. 

“Çdo projekt në komunën tonë, nëse e analizoni, është i dështuar. Ose nuk është kryer deri në fund, ose është shkëputur kontrata, ka rifilluar kontrata e re. Populli konsiderohet si numër, shikoni ku i ka interesat e veta elektorale ky kryetar edhe shikoni qysh ka investuar”, ka thënë Cana gjatë një tubimi në fshatin Fortesë të Rahovecit. 

Ai ka theksuar se çdo projekt i nisur gjatë 12 vjetëve të fundit ka dështuar dhe për një prej tyre Latifi është nën hetime, sipas tij.

“Ky kanal i Duhllos, tash u bë një kontratë e re nga Shtavica në Fortesë. A e dini pse i jepte zor kryetari dje, që s’donte të përgjigjej, sepse pikërisht për këtë kanal është nën hetime edhe prapë edhe një kontratë e ka bërë”, ka theksuar Cana.

Petrit Hajdari, kandidati për Drenas, ka kritikuar mënyrën se si komunën e ka drejtuar PDK-ja gjatë viteve 2021–2025. 

“Drenasi nuk ka nevojë për një kryetar që ua mbyll derën qytetarëve me arrogancë, që ndan favore për njerëzit e tij. Programi ynë nuk është shkruar në zyrë, por në terren bashkë me ju. Janë hallet dhe brengat tuaja që do të kenë zgjidhje. Qytetarët e Drenasit nuk kanë pse të paguajnë kostot e tekeve personale, ata meritojnë respekt dhe trajtim të barabartë”, ka thënë ai. 

Hajdari ka premtuar se programi i tij do të ndërtohet bashkë me qytetarët, duke përfshirë projekte për arsim.

“Do ta nis pilot-projektin për mësimin gjithëditor, do të mbështesim mësuesit, do të gjallërojmë jetën kulturore dhe sportive. Ne do të pasurojmë jetën kulturore që rinia të mos ketë arsye të largohet nga Drenasi. Do të kujdesemi për të moshuarit, për familjet e dëshmorëve dhe do t’i fuqizojmë gratë dhe vajzat e Drenasit”, ka thënë ai.   

Shaqir Totaj, kandidati për Prizren, ka premtuar mbështetje për nënat lehona dhe ka promovuar investimet e bëra në ndërtimin e çerdheve gjatë mandatit të kaluar. 

“Gjatë mandatit tonë të parë kemi dhënë përkrahje serioze për nënat lehona, si dhe kemi investuar në ndërtimin e çerdheve. Në këtë mënyrë kontribuojmë për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Në mandatin tjetër do të vazhdojmë me rritje të përkrahjes në mënyrë serioze për nënat lehona”, ka thënë Totaj. 

Uran Ismaili në Prishtinë ka adresuar kritika ndaj kundërkandidatëve të tij gjatë një tubimi në fshatin Bardhosh.

“Njerëzit të cilët i kemi në garë, nesër, pasnesër, i kanë qytetet e tyre. Disa do të ikin nga Kosova, ndoshta krejt, disa të tjerë kthehen në qytete të veta. Ne s’kemi qytet tjetër, ne prapë duhet të jetojmë këtu, neve këtu do të na rriten fëmijët”, ka thënë Ismaili.  

E në Mitrovicë, Arian Tahiri, njëherësh nënkryetar komune, ka premtuar ndërtimin e mijëra vendparkingjeve në rast se fiton besimin e qytetarëve.

“Një zgjidhje konkrete dhe afatgjate për mungesën e parkingjeve në qytet. Me ndërtimin e 2500 vendparkingjeve të reja në tri lokacione strategjike, ne do të ofrojmë hapësira të sigurta, të organizuara dhe funksionale për qytetarët tanë. Sistemi i ri i parkingjeve do të menaxhohet nga Komuna e Mitrovicës, duke siguruar transparencë, mirëmbajtje të rregullt dhe shërbim cilësor për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Tahiri.

Ferit Idrizi, që kandidon edhe për një mandat në krye të Vushtrrisë, ka publikuar një video të fasadimeve të disa objekteve në qytet. Ai ka thënë se investimet në objekte të përbashkëta banimi do të vazhdojnë. 

“‘Banesat e Bardha’ dita-ditës po marrin pamje të re dhe krejtësisht moderne. Edhe këtë premtim po e bëjmë realitet për banorët tanë dhe investimet do t'i vazhdojmë edhe në lagje të tjera, për të bërë transformimin e madh. Projekti përfshin renovimin, izolimin, fasadimin dhe rikonstruimin e çative dhe të bodrumeve”, ka shkruar ai.
 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e nëntë e fushatës

Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së nëntë të fushatës...