Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e pyetur për vizitën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti në Mitrovicë dhe atmosferën e tensionuar pasi në atë lagje u kundërshtua vizita e tij nga disa qytetarë, deklaroi se personat e veshur me pushtet do të duhej të ishin të vëmendshëm se si angazhohen në mbështetjen e kandidatit të tyre.
Pamje jo të këndshme e quajti edhe reagimin e ministrit të Brendshëm në detyrë Xhelal Sveçla ndaj një aktivisti të LDK-së në Prishtinë.
“Secili është e natyrshme të angazhohet për fitore aty ku garon. Është shumë e rëndësishme mënyra se si angazhohet. Është shumë e rëndësishme të mos ketë intimidim, të mos ketë frikësim, të mos ketë abuzim të pushtetit. Nejrëzit që janë të veshur me fuqi politike, institucionale duhet të jenë shumë të vëmendshëm si e manifestrojnë atë pushtet që e kanë. Kemi parë disa pamje jo të këndshme edhe në Prishtinë, përveç se janë të vrazhda, përveç se nuk i shërbejnë demokracisë do të duhej të ishin të dënueshme nga secili. Qytetarët duhet të lihen të lirë që të vendosin vet për kë duan të votojnë”, deklaroi Çitaku në konferencën për media.
Tutje ajo tha se procesi zgjedhor deri më tani në përgjithësi ka shkuar mirë përveç disa ankesave në disa komuna ku janë penguar të votojnë personat me aftësi të kufizuar. Gjithashtu sipas Çitakut, interesimi i qytetarëve për të votuar po rritet nga ora në orë.
Rritje të interesimit të qytetarëve deri më tani është parë vetëm në Mitrovicë të Jugut, Mamushë e Junik. Te komunat e tjera në përgjithësi ka rënie.