Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 23-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Agjenda e LVV-së:
Lëvizja Vetëvendosje mban tubim zgjedhor. Merr pjesë nënkryetari i Lëvizjes, Glauk Konjufca. (Shkolla Fillore "Ramiz Çokli" Shtërpcë, ora 18:00)
Lëvizja Vetëvendosje mban tubim zgjedhor. Merr pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti. (Parku "Xhevat Kasapi", Rahovec, ora 18:20)
Lëvizja Vetëvendosje mban tubim zgjedhor. Merr pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti. (Shtëpia e Kulturës "Ukë Bytyçi", Suharekë, ora 19:40)
Agjenda PDK-së
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Gjakovës. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. (Pallati i Kulturës “Asim Vokshi”, ora 18:00)
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me gratë e Komunës së Prizrenit. E pranishme do të jetë edhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku. (Restaurant “Andrra”, Parku i qytetit, ora 18:00)
Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Drenasit. (Shkolla Fillore “Arif Shala”, Korroticë e ultë, ora 20:30)
Agjendja e LDK-së:
E hënë, 6 tetor 2025
19:00, Lipjan (Vendi: Palestra e re sportive)
E martë, 7 tetor
18:00, Istog (Vendi: Palestra e Sportit “IBOS”)
Agjenda e PSD-së:
Kandidatja e PSD-së për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, do të prezantojë njërën nga pikat e programit në një konferencë për media. (Sheshi "Zahir Pajaziti", Prishtinë, ora 12:00).
Kransiqi: Me Edon Canën, Rahoveci ecë përpara
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar në Rahovec duke i ofruar mbështetje kandidatit për kryetar të kësaj komune, Edon Canës.
Krasniqi tha se Cana është kandidati larg më i përgatitur se të tjerët dhe garancia për një Rahovec më të zhvilluar.
“Edoni nuk po garon për pushtet në Rahovec, ai po garon për mundësi. Për mundësinë që Rahoveci të ecë përpara me dinjitet, me punë dhe me rezultate. Votoni për PDK-në, për numrin 191 dhe për Edon Canën kryetar, për një Rahovec që ecë përpara me besim, me guxim dhe me zemër”, ka thënë ai.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Rahovecit, Edon Cana ka falënderuar të gjithë për mbështetjen, duke u zotuar për transformimin e kësaj komune, me theks të veçantë zhvillimin e agroturizmit.
“Unë besoj në shpirtin e Rahovecit dhe ëndrra ime është që ky shpirt të ringjallet. E këtë mund ta bëjmë vetëm bashkë, me djemtë dhe vajzat ma të mira që i ka komuna jonë”, ka thënë ai.
Gjini thirrje garuesve: Shmangni fyerjet dhe etiketimet në fushatë
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, ka dhënë një mesazh si për mbështetësit e tij, ashtu edhe për kundërshtarët.
Ai ka bërë thirrje që të mos ketë fyerje ndaj njëri-tjetrit në kohë fushate.
“Kursehuni nga gjuha fyese dhe etiketimet ndaj njëri-tjetrit. Fushata dhe zgjedhjet përfundojnë shpejt dhe prapë duhet ta shohim njëri-tjetrin në sy. Jemi vend i vogël. Deri tash, Gjakova është shembull, ta ruajmë kështu”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Gjini po garon për një mandat të tretë në krye të kësaj komune.
Kurti kërkon mbështetje për Kelmendin: Pejës i duhet një kryetar që sjell ndryshim e zhvillim
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, derisa ka kërkuar votë për kandidatin për kryetar të Pejës në zgjedhjet e 12 tetorit, Taulant Kelmendi, ka thënë se këtij qyteti i nevojitet dikush që i trajton dhe gjen zgjidhje për problematikat e qytetarëve.
Ai ka vlerësuar se qytetarët e Pejës e kanë shumë të lehtë zgjedhjen për qeverisje.
“Peja ka potencial të madh zhvillimor. Qyteti dhe qytetarët të cilëve duhet t'iu kushtohen vëmendje e politika që nxisin zhvillimin, nuk kanë qenë në mendjen e kryetarit aktual. Prandaj kur nuk i ndryshohet mendja kryetarit, duhet ta ndryshojmë kryetarin e ta sjellim një të ri që me përkushtim e dije mendon dhe vepron për Pejën, sikurse zëvendësministri i Arsimit e kandidati ynë nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Taulant Kelmendi. Pejës i duhet Taulanti, si kryetar i cili qeveris me qytetarët e për qytetarët dhe trajton e gjen zgjidhje për problematikat e tyre. Andaj në këto gjashtë ditë të mbetura të fushatës, duhet të trokasim në çdo derë, të çdo shtëpie, rruge e lagjeje, të fshatrave e qytetit, që t’i bashkojmë të gjithë për ndryshimin që kaq shumë i duhet Pejës”, ka thënë ai.
Kurti në Facebook ka shtuar se Peja do të bëhet qytet i zhvillimit ekonomik dhe dinjitetit qytetar.
Çeku shpalos planin për fshatin: Do të bëhet pjesë e qytetit që funksionon, prodhon e zhvillohet
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka shpalosur planin e tij për fshatrat.
Ai ka treguar se me platformën “Prishtina 2035” ka krijuar një plan të qartë për ta lidhur fermerin-përpunimin-tregun.
“Fshatrat e Prishtinës kanë potencial të madh për bujqësi dhe agroturizëm, por ky potencial mbetet i pashfrytëzuar. Prodhimi është i vogël, i fragmentuar dhe pa qasje të qëndrueshme në treg. Me platformën tonë “Prishtina 2035” kemi krijuar një plan të qartë që lidh: fermerin – përpunimin – tregun. Mbështetje për fermerët me prona të vogla, zhvillim të agroturizmit që rrit ekonominë familjare dhe rrjete të reja për tregjet lokale me produkte vendore. Fshati bëhet pjesë e qytetit që funksionon, prodhon dhe zhvillohet!” – ka shkruar Çeku në Facebook.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.