Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së gjashtë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Memli Krasniqi kërkon mbështetje për fitoren pa balotazh të Totajt në Prizren

1 muaj më parë / 18 sht 2025 22:42 Nga: Rrezon Gashi
Memli Krasniqi - Shaqir Totaj

Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, ka kërkuar nga prizrenasit të enjten që qysh në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit të përfundojë gara për Prizrenin dhe që aty Shaqir Totaj të zgjidhet kryetar, pa balotazh. 

Gjatë një takimi në lagjen Bylbyldere të Prizrenit, Krasniqi ka thënë se Totaj duhet të përkrahet nga të gjithë qytetarët, pa dallime etnike.

“Ju ftoj, të dashur qytetarë të Prizrenit, pa dallime etnike, që ta lehtësoni edhe për veten e juaj, kryejeni me 12 tetor, të mos ketë nevojë për balotazh. Shqiptarë e turq e boshnjak e romë e ashkali e egjiptian e të gjithë qytetarët e Kosovës, bëhuni bashkë votojeni Shaqir Totajn dhe numrin 191”, ka thënë ai. 

Krasniqi ka theksuar se për Totajn, zgjedhjet e 12 tetorit janë më të lehta sesa ato të para katër vjetëve, shkaku se kësaj radhe flet puna e tij e bërë gjatë mandatit. 

Kryetari i PDK-së ka thënë po ashtu se falë Totajt, Prizreni është shndërruar në qendrën kryesore turistike në Kosovë.

“Punët e katër viteve të fundit në Prizren janë evidente, janë të prekshme. I sheh kudo që ecë, ka do që shkon. Prizreni është bërë vendi kryesor që kushdo që vjen ta shoh Kosovën nuk ka mundësi të mos ndaloj këtu. Është vendi me të cilin mburremi të gjithë”, ka theksuar ai. 

E Totaj, i cili e synon mandatin e dytë si kryetar i Prizrenti, është shprehur i bindur në fitore, porse ka kërkuar që kundërshtarët të mos nënvlerësohen. 

“Garën asnjëherë nuk duhet ta nënçmojmë, gara është garë. Unë e di vet, si ish-basketbollist, nëse e nënçmonim dikë, më i dobëti të mundte, kur të bie bilbili i fundit atëherë ka përfunduar loja, meqenëse se jemi në Bylbyldere”, është shprehur ai. “Mandatin tjetër do të vazhdojmë me punë aty ku kemi mbete, i kemi disa projekte që nuk kanë mundur të finalizohen për shkak se s’kemi pas mundësi. Teleferikun do ta përfundojmë, do ta adresojmë çështjen e parkingjeve, do ta ndërtojmë një ndërtesë të re të Komunës”.

Për PDK-në, Totaj ka thënë se pas zgjedhjeve të 12 tetorit është rrugës për t’u rikthyer në pushtet edhe në nivel kombëtar.

“Nuk jemi këtu të shkojmë në punë, ta marrim nga një rrogë dhe të rregullojmë diçka. Ne, Partia Demorkatike kemi një mision, misioni ynë shkon përtej një performance lokale. Ne kemi mision ta japim kontributin tonë që ta ndihmojmë PDK-në në nivel nacional”, ka theksuar Totaj. 

Ai i ka përmendur edhe punët që i ka kryer gjatë mandatit si kryetar.

“Kemi bërë shumë punë të mira, kemi bërë shumë projekte infrastrukturore, i dimë, i kemi parë e i kemi reklamuar. E kemi zhbllokuar rrugën e tranziztit, e kemi rregulluar lagjen Bazhdarhane, e kemi rregulluar Shadravanin, trotuaret, kemi punuar në kulturë, sport”, ka thënë Totaj.

PDK-ja pati fushatë edhe në Fushë-Kosovë. Aty kryetari i partisë, Krasniqi e ka shprehur të nevojshme ndërrimin e kryetarit ndërsa kandidatin e PDK-së për këtë post, Rrahim Tërnava, e ka kualifikuar si person të duhur. E Tërnava e ka shpalosur vizionin e tij për transformimin e qytetit. 

Në Prishtinë, kandidati i PDK-së për kryetar, Uran Ismaili, e ka vazhduar fushatën e takimeve me qytetarë në lagjen “Ulpiana”. Ai me këtë rast e ka shpërndarë një video, në të cilin ka thënë se si ministër i Shëndetësisë ka arritur ta ndalë korrupsionin dhe ta eliminojë listën e pritjes për vendosje të stentave.

Berisha e akuzon Muhaxherin për mospunë në Pejë

1 muaj më parë / 18 sht 2025 21:58 Nga: Arianita Hoti
Ali Berisha

Personalitet të ndershëm, me përvojë dhe me lidership që e gëzon besimin e qytetarëve e ka kualifikuar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës së Shtimes, Ramë Bislimi. 

Tek e ka prezantuar Bislimin para qytetarëve të enjten, Haradinaj ka thënë se AAK-ja edhe në të shkuarën ka mbështetur projekte konkrete në infrastrukturë dhe ujësjellës. 

“Shtimja ka potencial të madh në zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme. Ne kemi dëshmuar që dimë të qeverisim dhe do ta vazhdojmë këtë drejtim,” ka shtuar ai.

AAK-ja fushatë ka bërë edhe në Pejë. Aty kandidati i kësaj partie për kryetar komune, Ali Berisha, e ka akuzuar qeverisjen aktuale për mungesë të përkujdesjes për qytetarët dhe për mungesë të investimeve në infrastrukturë.

“Shikoni se si e kemi transitin e qytetit. Kjo është kompetencë e qeverisë së këtij, ta shfrytëzojnë qytetarët e tu. Ti duhet të interesohesh. Duhet çdo derë të shkosh dhe të shikosh se si ta rregullosh këtë çështje, e jo ta lësh qysh e kemi sot. Shikojini këto kapacitete që i kemi në Rugovë e në Radavc. A investohet ndonjë gjë prej Komunës së Pejës? Asnjë gjë. Do të thotë, kjo rruga kryesore që qarkullon për Rugovë duhet të shikohet në bashkëfinancim me qeverinë, me krejt kapacitet. Duhet të shfrytëzohen në mënyrë që të jetë një shërbim ndaj qytetarëve. Në pjesën e Radavcit kushedi sa kohë nuk është investuar tamam qysh duhet, ndërkohë që është pjesë që vizitohet prej krejt Kosovës,” ka thënë Berisha.

E në Rahovec kandidati për kryetar, Smajl Latifi, ka bërë homazhe te Kompleksi Memorial i Dëshmorëve të UÇK-së në Landovicë, me rastin e përvjetorit të rënies së dëshmorit Skënder Gashi nga Sopniqi. Ai me këtë rast e ka kualifikuar përkujtimin e dëshmorëve si udhërrëfyes për brezat e rinj.

“Sot nderuam një atdhetar të palodhur, një luftëtar të lirisë dhe një simbol të sakrificës për Kosovën. Skënder Gashi la pas mirëqenien në Austri për t’iu përkushtuar idealit të çlirimit të atdheut, duke udhëhequr me guxim e nder njësitin e UÇK-së në betejat e lavdishme për liri. Edhe pas luftës, si komandant i logjistikës në TMK në Sallagrazhdë, ai dëshmoi përkushtim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Një dorë tinëzare ia mori jetën më 18 shtator 2000, por vepra e tij mbetet e pavdekshme,” ka thënë Latifi.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Drenasit, Beqir Kiqina, ka shprehur kritika për Partinë Demokratike (PDK), duke e akuzuar për keqpërdorim të emrit të komandantëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. 

“Mendoj se PDK-ja duhet me humbë Drenasin. Besoj Aleanca, nëse vlerësohet në mënyrë objektive, duhet me qeverisë Drenasin, për arsye se në shumicën e komunave ku qeverisim jemi kampionë, si në Klinë, Gjakovë e Therandë. Jemi model i mirë i qeverisjes lokale. Madje edhe ne si Aleancë mendoj se kemi qenë objektivë, nuk kemi parë vetëm zi në qeverisjen lokale. Shpeshherë kemi përkrahur dhe unë jam shumë krenar – asnjë pikë e asnjë presje nuk e heq për gjithçka kam votuar në favor të qytetarëve,” ka deklaruar ai.

Në Prizren, kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës, Besnik Krasniqi, e ka hapur zyrtarisht fushatën me një takim të mbajtur me përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta. Para tyre ai e ka paralajmëruar krijimin e një bordi të përbashkët me Komunën, si dhe ndërtimin e një qendre të re për kategoritë e luftës.

E në Gjilan kandidati për kryetar, Nazim Gagica, e ka prezantuar kandidatin për asamble komunale,  Mustafë Rexhepi.

Meholli premton transport urban e park dyhektarësh në Vushtrri

1 muaj më parë / 18 sht 2025 21:09 Nga: Marigona Brahimi
Sylejman Meholli - LVV - Albin Kurti

Votë për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Vushtrri, Sylejman Meholli, ka kërkuar të enjten kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, gjatë fushatës në këtë qytet. 

Në ecjen nga zyrat e LVV-së deri te Shtëpia Kulturës, Kurti dhe Meholli janë shoqëruar nga një numër simpatizantësh. E për qytetarët e kësaj komune, Meholli ka numëruar disa zotime, mes të cilave rregullimin e transportit urban dhe ndërtimin e parkut të qytetit në një sipërfaqe prej dy hektarësh. 
“Furnizim me ujë, stacion të autobusëve, rregullim të transportit urban, qendër të zejtarëve tradicionalë të Vushtrrisë, parku i qytetit në sipërfaqe prej dy hektarësh, 0.10 cent për litër qumësht e kështu me radhë janë disa prej premtimeve tona kryesore”, ka thënë Meholli.

Në Prishtinë kandidati i LVV-së për kryetar, Harullah Çeku, ka bërë vizitë në Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, ku është zotuar për përkrahjen e qytetarëve të kësaj kategorie. Ai ka thënë se në qendër të programit e ka angazhimin për hapësira publike të qasshme, duke përfshirë lirimin e trotuareve, qasjen në shërbime, transport publik funksional dhe punësim të barabartë. 
Edhe në Mitrovicë kandidati për kryetar, Faton Peci, ka bërë vizitë në selinë e organizatës së personave me aftësi të kufizuara e atyre u ka premtuar të ndërmarrë hapa konkretë drejt garantimit të gjithëpërfshirjes dhe mundësi të barabarta.

“Nga kjo vizitë u zotuam për hapa konkretë që do të sigurojnë: logopedë, psikologë e punëtorë socialë; rregullimin e infrastrukturës për qasje në çdo hapësirë publike, në çdo shkollë dhe institucion; mundësi për punësim dhe trajnime profesionale, qasje të plotë në komunë”, ka thënë ai. 

E kandidati për kryetar të Lipjanit, Ilir Qeriqi, ka shprehur ankesë se në këtë komunë ka drejtorë shkollash “partiakë dhe joprofesionalë”. Ai ka premtuar se arsimi do të jetë prioritet i veçantë gjatë mandatit të tij. Në 6-mujorin e të parë të qeverisjes, ai është zotuar se do ta bëjë vlerësimin e performancës së punës së drejtorëve, teksa e ka paralajmëruar shkarkimin e atyre që nuk e meritojnë pozitën. 

“Do të fillojmë me projektin e qëndrimit gjithëditor të nxënësve në shkolla, do të investojmë në kabinete me mjete dhe teknologji moderne. Nxënësit me nevoja të veçanta do të kenë fokus të veçantë për ne. Do të ndërtojmë një shkollë të re në qytetin e Lipjanit dhe do të rinovojmë shkollat aty ku ka nevojë. Do të ndërmarrim hapa konkretë për të lehtësuar barrët e çantave të fëmijëve. Do të sigurojmë transport publikë për të gjithë nxënësit e të gjithë fshatrave. Do të ndajmë bursa për studentë të dalluar, studentë të drejtimeve deficitare dhe për ata me kushte të rënda sociale”, ka thënë ai.

Në Kaçanik kandidati i LVV-së për kryetar, Jeton Raka, ka premtuar parking nëntokësor që do ta çlirojë qendrën e qytetit nga mbingarkesa e veturave.

“Qendra e qytetit tonë do të bëhet funksionale dhe korzoja do të lirohet nga mbingarkimi me vetura, me parkingun e ri nëntokësor. Siç edhe ju kam premtuar, projekti është gati dhe pas 12 tetorit, 120 parkingjet e reja në këtë nënkalim do ta lirojnë qendrën dhe do t’i japin fund mungesës 25-vjeçare të hapësirave për parking”, ka thënë ai.

E në Gjilan kryetari aktual dhe kandidati edhe për një mandat, Alban Hyseni, ka bërë zotimin për ta vazhduar mbështetjen për bizneset, duke krijuar për to kushte më të mira pune.

E kryeministri në detyrë Albin Kurti në mbrëmje ka vizituar Mitrovicën, ku është takuar me Faton Pecin edhe Erden Atiqin, kryetarin e Mitrovicës së Veriut. 

"Nga jugu në veri, nga veriu në jug, për qytetin e Mitrovicës me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, për komunat me Faton Pecin dhe Erden Atiq", ka shkruar Kurti në Facebook. 

Ismaili prezanton planin për Hajvalinë

1 muaj më parë / 18 sht 2025 21:05
Uran Ismaili

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar zgjidhjet në lagjen në Hajvali. 

Ismaili tha se kjo lagje për shumë vite ka qenë simbol i harresës dhe braktisjes nga pushteti lokal. Sipas tij, ka ardhur koha që Hajvalia, si një nga lagjet më të rëndësishme dhe më të mëdha të kryeqytetit, të marrë trajtimin dhe respektin që meriton. Ai shtoi se qytetarëve të kësaj lagjeje duhet t’u mundësohet një jetë e dinjitetshme.

Në këtë tubim, Ismaili shpalosi platformën e tij me pesë zgjidhjet kryesore të problemeve të Prishtinës, si dhe projektet specifike për Hajvalinë, përfshirë ndërtimin e Unazës së Hajvalisë. 

Projekti parasheh zhbllokimin e trafikut të brendshëm të lagjes, hapësira publike përgjatë unazës, si dhe përfshirjen e komunitetit në dizajn dhe mirëmbajtje. Plani i Ismailit për Hajvalinë përfshin edhe: Formalizimin e pronave, zhbllokimin e kapitalit të qytetarëve dhe legalizimin; Ndërtimin e një çerdheje të re publike; Revitalizimin e qendrës së kulturës; Terrene sportive dhe aktivitete kulturore; Përmirësimin e kanalizimit dhe infrastrukturës rrugore; Ndriçim publik dhe sinjalizim rrugor.

“Pas 12 tetorit do të fillojë një kohë e re për Hajvalinë dhe për gjithë Prishtinën,” tha Ismaili.
 

Selmanaj premton ministadium modern për e-sporte në Prizren

1 muaj më parë / 18 sht 2025 20:10 Nga: Ardona Popova
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili garon për mandat të dytë në këtë detyrë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka njoftuar të enjten për riparimin e çatisë së Pallatit të Rinisë në kryeqytet. 

Ai, në një videoadresim të postuar në rrjetin social Facebook, ka theksuar se është evituar dëmi që ka shkaktuar rrjedhje të ujit në pallat, teksa ka siguruar që artistët do të jenë të sigurt. 
Tek ka folur në videoadresim për punën e tij si kryetar i Komunës, Rama ka deklaruar se ndryshimet për të mirë janë tanimë të dukshme në çdo lagje të Prishtinës. 

“Transformimi po ndodh me ndërtimin e arterieve kryesore, unaza e brendshme, lidhja e rrugës B me rrugën A dhe rrugës A me Veterrikun, e ishullin urban. Kurse të gjithë munden me lëvizë me biletë të integruar ku të ka qejf. Shëndeti s’ka orar, por Prishtina kujdeset… Qendra mjekësore 24-orëshe, vizita në shtëpi për të moshuarit, mbështetje për lehonat  e përtej… Nxënësit e Prishtinës përgatiten për botën e së nesërmes. Tabelat e mençura, mësim tërëditor, shujtat e ngrohta e kurrikula digjitale”, ka theksuar ai, në një tjetër videoadresim.

Fushatë LDK-ja ka pasur të enjten edhe në Fushë-Kosovë. Besnik Osmani, kandidat i LDK-së për kryetar të kësaj Komune, ka premtuar investime në edukimin parashkollor, duke përfshirë rritjen e mbështetjes për çerdhet dhe për kopshtet, si dhe krijimin e hapësirave të reja publike.

“Angazhimi ynë do të jetë rritja e mbështetjes për çerdhet dhe kopshtet, krijimi i hapësirave të reja publike dhe sigurimi i kushteve më të mira për edukatoret dhe stafin”, është shprehur ai. 

E në Lipjan, kandidati i LDK-së për kryetar të komunës, Imri Ahmeti, ka përmendur projekte të reja teksa është zotuar për zhvillimin e qytetit nëpërmjet investimeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

“Në qytetin e Lipjanit do të hapen dhe ndërtohen rrugë të reja, siç është në lagjen Mostina, nga rruga Bajram Curri deri te rruga Hajradin Bajrami. Projektimi, shpronësimi dhe ndërtimi i kësaj rruge do të fillojë në viti 2026”, ka thënë Ahmeti.

Jeton Mushkolaj, i cili është kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Deçanit, ka bërë vizitë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Strellc të Epërm, teksa ka premtuar se do ta shndërrojë këtë fshat në prioritet të qeverisjes së tij.

“Strellci i Epërm ishte ndalesa jonë e radhës, mes bizneseve e njerëzve që mbajnë veten e familjet e tyre, zotohemi sot para tyre se do të jemi pranë secilit që ka nevojë për mbështetjen e pushtetit të mirë, të cilën e ofron vetëm ne me ofertën tonë për qeverisjen e mbarë të Deçanit”, ka thënë Mushkolaj.

E në Prizren, kandidati për kryetar të Komunës, Driton Selmanaj, ka bërë zotimin për ta shndërruar qytetin në epiqendrën e së ardhmes digjitale. Ai e ka paralajmëruar ndërtimin e një ministadiumi modern për E-sporte, e cili, sipas tij, do të ketë kapacitet prej 200–500 vendesh, do të jetë i pajisur me PC gaming, konsola, ekrane LED dhe sistem audio të avancuar.

“Ky projekt nxit kulturën digjitale, zhvillon industrinë e lojërave si sektor i ri ekonomik dhe e promovon Prizrenin si qendër rajonale për E-Sports dhe ngjarje rinore ndërkombëtare. Me E-Sport Gaming Festival, rinia jonë do të ketë më shumë mundësi për të krijuar, garuar dhe shkëlqyer në skenën globale”, është shprehur Selmanaj. Në Viti, kandidati për kryetar të Komunës, Sokol Haliti, ka thënë se nuk do të kursejnë gjë për mbrojtjen e natyrës me qëllim që t’i jepet “frymë pyjeve, lumenjve e maleve” dhe për “t’ia kthyer qytetarit dinjitetin që e meriton”.

PSD-ja premton zhvillim në çdo fshat të Kamenicës dhe dy tregje në Prishtinë

1 muaj më parë / 18 sht 2025 20:06 Nga: Ardona Popova
Qëndron Kastrati

Kandidati për kryetar të Kamenicës nga Partia Socialdemokrate, Qëndron Kastrati, ka premtuar se do të angazhohet me gjithë qenien e tij për zhvillimin e Komunës. Ai ka premtuar se me zgjedhjen e tij, si në qytet ashtu edhe në fshatra, Komuna do të krijojë mundësi për çdo gjeneratë. 

E në Prishtinë, kandidatja e PSD-së për kryetare, Besa Shahini, ka premtuar ndërtimin e dy tregjeve, ku shitësit, sipas saj, do të kenë kushte shumë më të mira pune. Ajo ka akuzuar qeverisjen aktuale se këtë e ka dhënë si premtim, porse nuk e ka realizuar.

“Cilësi më e madhe e imja është që jam me fat që kam dhe gjithmonë gjendem në një ekip dhe shoqëri që kanë pasion dhe dashuri me zhvillu këtë vend, kështu që krejt ato tjerat vijnë si pasojë e kësaj. Faleminderit të gjithëve e faleminderit edhe zotit që jam pjesë e kësaj shoqërie dhe ekipi”, tha Kastrati.

“Para disa ditëve e filluam një aktivitet elektoral, i cili na kushtoi 650 euro, sa është edhe paga mesatare e qytetarëve të Prishtinës. Sidoqoftë, nga 300 euro që na mbetën, pasi që e kemi marrë këtë banesë me qira, tash i kemi 260 euro për pjesën tjetër të muajit. Kam shpenzuar rreth 40 euro, por paskam harruar të blej djathë”, tha Shahini.

 

Abdixhiku: Me Burim Krasniqin Rahoveci do të ketë kryetarin e punës konkrete

1 muaj më parë / 18 sht 2025 20:00
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti sonte tubim zgjedhor në Rahovec, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prezantoi kandidatin e kësaj partie për kryetar të Komunës Burim Krasniqin.

“Koha e mashtrimeve politike ka marrë fund. Ka ardhur koha e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ka ardhur koha e qeverisjes sonë. Ka ardhur koha e Burim Krasniqit”, tha Abdixhiku.
Ai premtoi mbështetje të drejtë për bujqësinë, investime në infrastrukturë, arsim e shëndetësi më cilësore, si dhe mundësi punësimi për të rinjtë.
“Burim Krasniqi është kandidati ynë. Është kandidati i Lidhjes Demokratike. Është njeriu i punës, i ndershmërisë dhe i përkushtimit. Ai nuk është larg qytetarëve, ai është në mesin e tyre, në fshatrat dhe lagjet e Rahovecit, pranë fermerit, pranë punëtorit, pranë çdo familjeje. Burimi është gjenerata e re e qeverisjes së përgjegjshme. Është njeriu që njeh çdo problem të këtij qyteti, sepse i ka parë dhe i ka jetuar bashkë me qytetarët. Është njeriu që sjell zgjidhje, jo vetëm fjalë. Është kandidati që Rahoveci e meriton. Me Burim Krasniqin, Rahoveci do të ketë kryetarin që nuk i mbyll sytë para problemeve, por i përballon ato. Do të ketë kryetarin që nuk ikën nga përgjegjësia, por e merr mbi vete. Do të ketë kryetarin që nuk premton me fjalë boshe, por zbaton me punë konkrete.
Abdixhiku më tej tha se Rahoveci meriton më shumë në infrastrukturë, duke shtuar se qeverisjet e kaluara e lanë qytetin pa rrugë të mira, pa kanalizime të rregullta, pa ujësjellës të qëndrueshëm.
“Me LDK-në dhe me Burim Krasniqin, rrugët e Rahovecit do të ndërtohen dhe rregullohen me standarde moderne. Fshatrat e Rahovecit nuk do të jenë më të harruara. Qyteti do të lidhet me çdo cep të Kosovës, sepse Rahoveci nuk mund të rritet i izoluar. Rahoveci rritet kur lidhet. Rahoveci meriton më shumë në arsim dhe shëndetësi. Me LDK-në, shkollat e Rahovecit do të jenë më moderne, më të pajisura, me mësim tërëditor si në Prishtinë, sepse edhe fëmijët e Rahovecit meritojnë të njëjtin kujdes. Me LDK-në, qendrat shëndetësore të Rahovecit do të kenë mjekë, do të kenë pajisje, do të kenë ilaçe. Nuk do të lejohet që qytetarët e këtij vendi të enden nëpër qytete tjera për një shërbim bazik. Shëndetësia do të jetë këtu, afër njerëzve, tha ai.
Abdixhiku theksoi se Rahoveci meriton më shumë në punësim dhe ekonomi lokale
“Qeverisjet e kaluara e lanë rininë e Rahovecit pa perspektivë. Të rinjtë e qytetit u detyruan të ikin jashtë, të kërkojnë të ardhmen larg. Me LDK-në, me Burim Krasniqin, do të ketë investime në biznese të vogla e të mesme, do të ketë hapësira për inovacion, do të ketë mbështetje për të rinjtë që duan të ndërtojnë jetën e tyre këtu. Sepse ky është vizioni ynë: të krijojmë kushte që rinia të qëndrojë, të jetojë e të zhvillohet në vendin e vet.
E dimë që rruga nuk është e lehtë. E dimë që përballë kemi propagandë, kemi sabotim, kemi pengesa. Por e dimë edhe një gjë tjetër: Rahoveci është më i fortë se propaganda. Rahoveci është më i fortë se dështimet. Rahoveci është më i fortë se e kaluara. Sepse Rahoveci ka njerëz të ndershëm, ka punëtorë të palodhur, ka fermerë të guximshëm, ka rini të mençur. Dhe kur këta njerëz bashkohen me LDK-në, me programin tonë, me Burim Krasniqin, atëherë asgjë nuk e ndal fitoren”, shtoi Abdixhiku.
 


 

Abdixhiku pret fitore të madhe të LDK-së në Suharekë

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në një takim me strukturat e partisë në Suharekë. 

Ai ka thënë se pret që me Ardian Shalën, LDK-ja të arrijë fitore në Suharekë në zgjedhjet e 12 tetorit. 

“Pritja e ngrohtë dhe mbështetja e fuqishme e qytetarëve treguan qartë se koha e fitores së LDK-së në Suharekë ka ardhur. Energjia dhe përkushtimi i strukturave tona janë dëshmi se asgjë nuk mund ta ndalë këtë ndryshim. Dr. Ardian Shala është figura që gëzon besimin e qytetarëve dhe që padyshim do të jetë kryetari i ardhshëm i Suharekës. LDK në Suharekë po hyn në këtë garë me besim, me vizion dhe me një mbështetje të madhe qytetare. Fitore e madhe na pret! Suhareka është me LDK-në. Suhareka është me Dr. Ardian Shalën”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. 
 

AAK-ja premton “dritë” për Shtimen

1 muaj më parë / 18 sht 2025 19:00
AAK-ja premton “dritë” për Shtimen

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka premtuar “dritë” për komunën e Shtimes. Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka vizituar të enjten këtë komunë në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të tetorit, duke premtuar shndërrimin e Shtimes në një komunë të zhvilluar e me perspektivë për secilin qytetar.

AAK-ja aty garon me Ramë Bislimi.  

“Ai gëzon besimin e komunitetit dhe sjell përvojë e përkushtim për zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe qeverisje transparente. Përkrah tij, në listën e Aleancës janë figura të respektuara nga fusha e arsimit, shëndetësisë dhe biznesit, të cilët do ta përfaqësojnë denjësisht qytetarin në Asamble”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kryetari i AAK-së ka thënë se Shtimja ka potencial të madh në bujqësi dhe blegtori, në përpunimin e produkteve vendore, në zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme. Ka thënë se n të kaluarën, qeverisja e Aleancës ka mbështetur projekte konkrete për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe të ujësjellësit në Shtime.

“‘Dritë për Shtimen’ do të jetë dritë e punës, angazhimit dhe avancimit të resurseve që ofron kjo komunë. Ky është drejtimi që ne duam ta vazhdojmë, kjo është Aleanca jonë!” ka përfunduar ai.

Albin Kurti pritet me thirrje “Hashim Thaçi” në Vushtrri

1 muaj më parë / 18 sht 2025 18:41 Nga: Marigona Brahimi
Albin Kurti - Sylejman Meholli

Kryeministri në detyrë Albin Kurti është pritur me thirrje “Hashim Thaçi” në Vushtrri të enjten. 

Disa shkollarë nisën thirrjet “Hashim Thaçi, Hashim Thaçi” në momentin kur Kurti po ecte me ekipin e tij në rrugët e Vushtrrisë. E pati reagime nga një pjesë tjetër, që nisi thirrjet “Albini, Albini”. 

Kurti bashkë me kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli, kanë ecur nga zyrat e Lëvizjes deri tek Shtëpia e Kulturës “Hasan Prishtina”. 

Meholli në një prononcim ka përmendur disa prej premtimeve të tij. 

Ka përmendur rregullimin e furnizimit me ujë, stacionin e autobusëve, rregullimin e transportit urban, qendrën e zejtarëve tradicionalë të Vushtrrisë, parkun e qytetit, e po ashtu ka përmendur edhe ndihma për fermerët. 
 

Buja premton stacion të ri të autobusëve në Lipjan e transport publik falas për nxënësit

1 muaj më parë / 18 sht 2025 18:09
Shukri Buja

Shukri Buja, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Lipjanit, ka premtuar stacion të ri të autobusëve në këtë komunë e transport publik falas për nxënësit.

Në një postim në Facebook ai ka thënë se qytetarët e Lipjanit përballen me vështirësi të transportit. Ka premtuar edhe lidhje të rregullta mes qytetit e fshatrave.

“Sot, në udhëtimin tim me autobus drejt Prishtinës, u ula pranë nxënësve që çdo mëngjes nisen herët për në shkollë, pranë punëtorëve që rendin drejt punës dhe pranë qytetarëve që çdo ditë e përballojnë vështirësinë e transportit. Ata më treguan për vonesat, për mungesën e lidhjeve të rregullta dhe për nevojën e madhe për një zgjidhje moderne. Dhe unë u thashë: kjo nuk do të mbetet vetëm bisedë, por zotim ynë i përbashkët. Stacion i ri i autobusëve në Lipjan; Lidhje të rregullta mes qytetit dhe fshatrave; Transport publik falas për nxënësit. Autobusi i mëngjesit nuk ishte vetëm udhëtim, por një takim i vërtetë me jetën reale të qytetarëve të Lipjanit”, ka shkruar ai.

Buja ka qenë në të kaluarën kryetar i Lipjanit.

Prej vitit 2013 këtë komunë e udhëheq Imri Ahmeti.

Osmani premton investime në çerdhet në Fushë-Kosovë

1 muaj më parë / 18 sht 2025 17:38
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani,

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ka premtuar investime në edukimin parashkollor.

Ai është zotuar për rritje të mbështetjes për çerdhet e kopshtet dhe krijimin e hapësirave të reja publike.

“Sot vizituam dy çerdhe private në qytet me kapacitet rreth 350 fëmijësh. U vlerësua lartë puna profesionale e edukatoreve dhe menaxhmentit, që po krijojnë një ambient të sigurt e të dashur për më të vegjlit. Këto kushte moderne na rikujtojnë rëndësinë e investimit në edukimin parashkollor. Prandaj, angazhimi ynë do të jetë rritja e mbështetjes për çerdhet dhe kopshtet, krijimi i hapësirave të reja publike dhe sigurimi i kushteve më të mira për edukatoret dhe stafin”, ka shkruar ai të enjten në Facebook.

Osmani synon t’ia sigurojë LDK-së edhe një mandat në këtë komunë. LDK-ja ka udhëhequr që nga paslufta në Fushë-Kosovë. Burim Berisha ka qenë kryetar i deritashëm, por është tërhequr pas disa mandatesh.

Krasniqi: Tërnava s’premton mrekulli për Fushë-Kosovën, zotohet për punë e ndershmëri

1 muaj më parë / 18 sht 2025 11:33
PDK-Fushë-Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se Fushë-Kosova ka nevojë për një kryetar të ri, i cili sipas tij e bashkon qytetin dhe nuk e ndan. 

Ai ka thënë se kandidati i PDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava, zotohet për punë dhe ndershmëri. 

“Për një kryetar që e njeh mundin e qytetarëve dhe i kthen ëndrrat e tyre në plane konkrete. Rrahim Tërnava është njëri prej jush, i rritur mes halleve dhe shpresave të këtij qyteti. Ai nuk premton mrekulli, por zotohet për punë e ndershmëri. Më 12 tetor, është koha të shkruajmë një kapitull të ri. T’i japim fund degradimit e improvizimit dhe ta bëjmë Fushë Kosovën qytet të organizuar, me dinjitet dhe me identitet”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.