Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka premtuar se do t’i dalë zot “edhe shehrit, edhe Barilevës”.
Ai të dielën ka shpalosur investimet që ka plan t’i bëjë në këtë fshat, në rast se zgjidhet kryetar i Prishtinës, përfshirë ndërtimin e sheshit të Barilevës, rregullimin e shtratit të lumit dhe stadiumit.
“Këto janë zotimet e mia për Barilevën: Ndërtimi i sheshit të Barilevës; Rregullimi i shtratit të lumit me shtigje të vrapimit; Rregullimi i stadiumit të Barilevës; Dyfishimi i subvencioneve për bujqësi dhe fond për mbrojtjen e bujqve në rast të fatkeqësive natyrore; Ndriçimi publik në të gjitha rrugët dhe hapësirat publike. Fshatrat e Prishtinës si Barileva janë pjesë e kryeqytetit dhe ato meritojnë kujdes e investime njësoj si qendra”, ka thënë Ismaili.
Ai ka marrë pjesë edhe në maratonën “Prishtina 2025”. Ismaili ka thënë se energjia me të cilën e nisi maratonën do ta përcjellë edhe si kryetar pas zgjedhjeve të 12 tetorit.
“Maratona është simbol i bashkimit. Është provë që bashkë mundemi me ba gjithçka. Unë jam këtu me ju jo vetëm si kryetar që doni, por si qytetar i Prishtinës. E nisëm këtë maratonë bashkë me dashni dhe energji për qytetin tonë dhe kështu do ta vazhdojmë edhe 4 vitet e ardhshme”, ka thënë ai.
Në Rahovec, Edon Cana ka kritikuar kryetarin aktual të Komunës, Smajl Latifi për, siç ka thënë, “punët që po i kryen pak para zgjedhjeve”.
“Kinse me para tona po ua kryen një favor, që ai t’i marrë votat. Kështu ka mbetur në pushtet për më shumë se një dekadë. Ju për atë jeni veç numra, se si ai të qëndrojë në pushtet. Nuk i intereson a zhvillohet fshati, a ka perspektivë fshati, apo s’ka. Por sapo të afrohen zgjedhjet, tash nëse e thirrni për ta rregulluar një rrugë, nesër në mëngjes bagerat i keni”, ka thënë Cana, që është kandidat i PDK-së për kryetar të Rahovecit.
Në Prizren kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, ka njoftuar për përurimin e asfaltimit të rrugës Medvec – Smaq dhe një aksi lidhës Medvec – Mamushë. Ai ka thënë se komuna ka investuar me 300 mijë euro në projektin e ujësjellësit të KRU “Radoniqi – Dukagjini”, i cili kalon përmes fshatrave Piranë, Zojz, Medvec dhe shkon deri në Mamushë, duke furnizuar kështu me ujë të pijshëm banorët e këtyre zonave.
Në Mitrovicë, kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, ka prezantuar projektin për rehabilitimin e shtratit dhe brigjeve të lumit Trepça.
“Ky projekt përfshin rehabilitimin e shtratit dhe brigjeve të tij, duke e transformuar hapësirën deri te ‘Tuneli i Parë’ në një zonë tërheqëse për qytetarët, me shtigje, hapësira rekreative dhe zgjidhje të qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit. Lumi ‘Trepça’ do të marrë pamje krejtësisht të re”, ka thënë ai.
Në Ferizaj, të dielën është përkujtuar “Epopeja e Jezercit” në 27-vjetorin e saj. Po ashtu, janë bërë homazhe te varri i Imri Ilazit, ish-komandant në këtë betejë, i cili vdiq vitin e kaluar. Në nderime morën pjesë kryetari i Ferizajt dhe kandidati për një mandat tjetër, Agim Aliu, si dhe kandidati për kryetar të Shtimes, Përparim Ramusa.
“Në 28 shtatorin e lavdisë e krenarisë kombëtare, përvjetori i 27-të i betejës heroike e të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - Epopesë së Jezercit si dhe në 1- vjetorin e kalimit në amshim të gjeneralit të vetëm e lavdiplotë të Ferizajt, Gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të papërsëritshmit dalzotës të atdheut, mikut tonë të çmuar, Gjeneral Imri Ilazi - Komandant Ferri, me homazhe e akademi përkujtimore nderuam kujtimin, sakrificën, veprën sublime për atdhe të Dëshmorëve të Kombit të Komunës së Ferizajt si dhe Gjeneralit Imri Ilazi – vepra e të cilit flet zëshëm në historinë tonë të lirisë duke frymëzuar sot e sa të jetë jeta ndër breza, për guximin e sakrificën, heroizmin e lavdinë, shtigjeve tona drejt lirisë”, ka shkruar Aliu në Facebook.
E veçmas, nderime për Epopenë e Jezercit ka bërë kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, njëherësh ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes.
