Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar kthimin e partisë së tij në pushtet lokal në Klinë e Malishevë, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’u japin mbështetje kandidatëve Sokol Bashota e Gëzim Krasniqi. Ndërkohë, kandidatët e tjerë të PDK-së për kryetarë komunash shpalosën zotimet e tyre në Lipjan, Prishtinë e Rahovec
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka dhënë mbështetje kandidatit të partisë për kryetar të Klinës, Sokol Bashota, dhe atij për kryetar të Malishevës, Gëzim Krasniqi.
Në një tubim në Caravik të Klinës, të mërkurën, ai ka theksuar se shumica e projekteve të mëdha që e kanë transformuar Klinën nga një qytezë e vogël e të lënë anash, në një qytet të vërtetë, sipas tij, janë meritë e Bashotës, i cili ka mbajtur pozitën e kryetarit në mandatin 2013-2017.
Ai ka kërkuar nga të pranishmit në tubim të mobilizohen për rikthimin e Bashotës në krye të Komunës së Klinës.
“Më datën 12 tetor të bëhemi bashkë në mënyrë solemne e të organizuar, të shkojmë te kutitë e votimit dhe të votojmë për numrin 191, për PDK-në dhe për kandidatin tonë e kryetarin e ardhshëm Sokol Bashota”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka kërkuar nga të pranishmit të mobilizohen për rikthimin e Bashotës në krye të Komunës së Klinës.
E rikthim të PDK-së në pushtet, Krasniqi ka kërkuar edhe në Malishevë, gjatë një takimi me qytetarët.
Ai, të martën mbrëma, ka thurur lavde për kandidatin për kryetar komune, Gëzim Krasniqi.
“Doktor Gëzimi është shembull i një personaliteti me vlera të larta profesionale e kombëtare. Një pediatër që për mbi 20 vjet ka qenë pranë çdo fëmije e çdo shtëpie në Komunën e Malishevës. Një mjek që nuk është kursyer as ditën e as natën, që nuk ka shikuar orar, por vetëm ka shikuar nevojat e qytetarëve të kësaj komune. Një luftëtar i lirisë, që si student iu bashkua UÇK-së me zemër e pa llogari personale. Më 12 tetor, zgjedhja është e qartë për secilin qytetar që e do Malishevën me zemër: doktor Gëzim Krasniqi, numri 191 – Partia Demokratike e Kosovës”, ka theksuar lideri i PDK-së.
E kandidati për kryetar të Malishevës, Gëzim Krasniqi, ka theksuar se programi i tij është më i miri.
“Atyre që kanë dilema, tregojuni që programi i Partisë Demokratike është programi më gjithëpërfshirës dhe do ta prek secilin qytetar të Malishevës, pa dallim partie”, ka thënë ai.
Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, të mërkurën ka takuar biznesmenë lokalë. Ai ka premtuar se do të përmirësojë kushtet e të bërit biznes në Lipjan.
“Folëm për vizionin tonë për zhvillimin ekonomik lokal. Për zonat ekonomike moderne dhe për parkun industrial që synojmë ta zhvillojmë në Kërçevë, QMI e Babush. Diskutuam për mbështetjen që do t’u japim bizneseve të vogla, për një zyrë që do t’u ofrojë sipërmarrësve ndihmë financiare, ligjore dhe qasje në fonde ndërkombëtare. Po ashtu, për vizionin tonë për konferenca, platforma digjitale e inkubatorë biznesi që do të sjellin investime dhe ide të reja”, ka shkruar Buja në rrjetet sociale.
E Uran Ismaili që kandidon për kryetar të Prishtinës, ditën e pestë të fushatës ia ka dedikuar lagjes “Dardania”.
“Këto janë zotimet e mia për ‘Dardaninë’: Ju pres sonte në shkollën ‘Dardania’ në ora 19:00 ku do të flasim për projektet e mia konkrete për Dardaninë: rinovimi i të gjitha ndërtesave, riparimi i të gjithë ashensorëve, revitalizimi i Kurrizit dhe i hapësirës rreth Santesë, 2 parkingje nëntokësore, qendër multifunksionale me pishinë gjysmë olimpike, rreth 14 milionë € investime për 4 vite”, ka thënë Ismaili.
Kandidati i PDK-së për kryetar komune në Rahovec, Edon Cana, ka premtuar ndërtimin e unazës së qytetit, në rast se merr votat për t’u zgjedhur kryetar më 12 tetor.
“Rahoveci 2035 parasheh Unazën e Qytetit dhe kthimin e Rrugës së UÇK-së në rrugë të qytetit, që garanton një qytet funksional, të sigurt dhe të denjë për të ardhmen. Me tri akse të reja, do të largohet trafiku nga qendra, do të rritet siguria dhe do të hapet rruga për zhvillim ekonomik modern”, ka thënë ai.
