Kryetarët e komunave që aktualisht udhëhiqen nga Lidhja Demokratike, në aktivitetet e së dielës të fushatës janë krenuar me investimet që i kanë bërë, teksa kandidatët që garojnë për të marrë fronin për herë të parë, kanë bërë premtime të shumta.
Kryetari aktual i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka shpërndarë një video nga punimet e asfaltimit të rrugës tek ura në ish-kombinat. Sipas Muhaxherit, me këtë rrugë do të shkarkohet trafiku në këtë pjesë të qytetit.
“Një rrugë e re, një hap drejt Pejës moderne. Mobilitet më i lartë për qytetarët e Pejës. Ky është vetëm fillimi i transformimit të Pejës. Rrugë për qytetarët e je për premtime”, shkruan në klipin promocional që ka postuar Muhaxheri në Facebook.
E pak kilometra nga Peja, Ilir Ferati, i cili është kryetar i Istogut, ka promovuar kanalin e ujitjes, të ndërtuar në fshatin Lubozhdë.
Në Prishtinë, Përparim Rama që synon që më 12 tetor të rizgjidhet kryetar i komunës, ka thënë se është përpiluar strategjia e plotë, për kulturë dhe art.
“Për herë të parë kryeqyteti ka një strategji të plotë për kulturë dhe art me vizion afatgjatë deri më 2031. Me këtë po vendosim në qendër krijimtarinë, përfshirjen dhe qëndrueshmërinë kulturore. Sepse arti nuk është luks, është identitet, është e ardhmja që e ndërtojmë së bashku”, ka thënë Rama.
E Ekrem Hyesni, që e bën përpjekjen e dytë për t’u zgjedhur kryetar komune në Podujevë, ka premtuar mbështetje për të rinjtë gjatë një takimi që e pati me ta.
“Për ta pasur të ardhmen ashtu si kemi qejf duhet fuqizuar në çdo sferë rininë. Nga viti i dytë, bursa për të gjithë studentët, qendër trajnimi për IT, kodim dhe programim dhe do të jetë e sponsorizuar nga komuna”, ka theksuar Hyseni.
Visar Azemi, kandidat për kryetar të Ferizajt, ka dhënë një listë premtimesh për ta përmirësuar trafikun në qytet.
“Do të blejë 30 autobusë të rinj elektrikë dhe do të krijoj transport publik falas për qytetarët. Do të instalojmë semaforë inteligjentë në kryqëzimet kryesore. Do të krijojmë parkingje të menaxhuara me aplikacion për t’i liruar rrugët. Do të ndërtojmë rrugë të sigurta për fëmijë dhe korsi për biçikleta. Do të bëjmë shpronësime në rrugët e ngushta të kryeqytetit për t’i zgjeruar ato me korsi shtesë dhe do e ndërtojmë unazën e brendshme të qytetit që e lehtëson qarkullimin”, ka premtuar Azemi.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, që ka udhëhequr komunën në mandatin 2017-2021 ka thënë që në fshatin Reznik, nuk u investua më nga komuna që prej kur ai ishte kryetar.
“Në Reznik bashkë me Genta Rama Makiqi në 4 vite përfunduam ujësjllësin, mbeturinat, rrugët ndriçimin e kanalizimet e shumë projekte tjera. Cilën punë e bëri pushteti aktual në Reznik? Gjysëm trotuari! Pra askund nuk është ngecja e madhe e këtij pushteti se në Reznik. Por ngecja në Vushtrri përfundon me 12 Tetor”, ka shkruar Xhafer Tahiri.
E Gëzim Plakolli që kandidon për kryetar të Mitrovicës dhe Xhafer Gashi që synon rizgjedhjen në krye të Obiliqit, të dielën përkujtuan ish-ministrin e Mbrojtjes të qeverisë në ekzil, Ahmet Krasniqi.
“Në mesin e ushtarakëve që dikur ishin të gatshëm të japin jetën për liri, e ndjeva fuqinë e një amaneti të madh: liria nuk është dhuratë, por përgjegjësi. Detyra jonë sot është ta mbrojmë dhe ta forcojmë shtetin, por edhe ta zhvillojmë qytetin tonë, Mitrovicën. Një Mitrovicë që meriton punësim, investime, arsim, kulturë dhe sport, ashtu siç e kanë ëndërruar ata që sakrifikuan për të ardhmen tonë. Ky është vizioni i LDK-së, të rikthejmë krenarinë e Mitrovicës si qytet i arsimit, sportit, kulturës dhe zhvillimit”, ka thënë Plakolli.
Krasniqin e ka përkujtuar edhe Gashi.
“Me rastin e 27-vjetorit të vrasjes së ish-Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kolonelit Ahmet Krasniqi, së bashku me familjarë, Sami Krasniqi dhe nën udhëheqjen e komandantit Rrustem Berisha, në emër të veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, sot bëmë homazhe pranë varrit të tij, në nderim dhe kujtim të veprës së tij, në organizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Gashi.
