Zgjedhjet lokale

Lista Serbe shfrytëzon strukturat paralele për përfitim në zgjedhje

Lista Serbe ka shfrytëzuar strukturat paralele për të përfituar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Rasti i dy kandidatëve serbë në Ranillug, që janë përjashtuar nga komuna paralele e Kamenicës, ka nxitur reagime të mëdha. E Prokuroria në Gjilan ka njoftuar se veprat si kanosja, presioni e shantazhi do të ndiqen sipas detyrës zyrtare, porse nuk ndërhyn në punën e strukturave paralele. Në Institutin e Kosovës për Drejtësi kanë thënë se prokuroria duhet t’i marrë seriozisht pretendimet për ndërhyrje në garën zgjedhore

Institucionet nuk mund t’i trajtojnë rastet që kanë të bëjnë me organizim të brendshëm të strukturave paralele të Serbisë, por e kanë detyrim të mbrojnë qytetarët e Kosovës, kur ata kërcënohen, shantazhohen apo pengohen të marrin pjesë në zgjedhje lokale apo të përgjithshme, ka thënë drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Ai i është referuar rastit të dy politikanëve serbë, Ivan Petroviq dhe Ivan Ristiq, njëri kandidat për kryetar të Ranillugut e tjetri kandidat për asamblistë, të cilët e kanë akuzuar Listën Serbe për presion për të hequr dorë nga gara.

“Institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë nevojë t’i legalizojnë vendimet, veprimet apo mosveprimet e një organi jolegjitim, ilegal, një strukture paralele të Serbisë në Kosovë. Në anën tjetër, prokuroria e ka obligim sipas detyrës zyrtare që ta mbrojë secilin qytetar të Republikës së Kosovës, shqiptar, serb, ashkali, rom, nëse kushdo në Kosovë ia cenon të drejtën apo ia kufizon të drejtën qoftë për të marrë pjesë aktive apo pasive në zgjedhjet komunale apo në ato të përgjithshme”, ka thënë Miftaraj. 

Ivan Petroviq është pjesë e “Lëvizjes Kombëtare Serbe”, kurse Ivan Ristiq përfaqëson subjektin politik

“Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”. Të dy kanë akuzuar Listës Serbe dhe zyrtarin e saj Sasha Millosheviq për përjashtim të tyre nga puna në komunën paralele të Kamenicës. 

Sipas tyre, përjashtimi është bërë për t’i detyruar të heqin dorë nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit. 

Presionin e kanë denoncuar në Polici, por Prokuroria nuk ka hapur rast. 

Në një përgjigje me shkrim të Prokurorisë Themelore në Gjilan thuhet se Ristiq e Petroviq, “përveç presionit të ushtruar nga institucionet e Republikës së Serbisë, nuk kanë ofruar asnjë provë apo dëshmi për ndonjë vepër tjetër penale”. 

“Prokuroria Themelore në Gjilan nuk mund të ndikojë apo të hetojë arsyet e largimit nga puna në institucionet e Republikës së Serbisë, ndërsa sa u përket presioneve, kanosjes, shantazhit apo çfarëdo vepre që lidhet me procesin zgjedhor apo të ndonjë vepër tjetër penale, e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, bazuar në Ligjet e Republikës së Kosovës, ne do të veprojmë në përputhje me obligimet ligjore”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Pas përjashtimit nga komuna paralele e Kamenicës, Ristiq e Petroviq kanë mbajtur edhe grevë në Ranillug. 

Ata si fajtor kryesor kanë përmendur Sasha Millosheviqin, kryetar i Novobërdës, që i takon Listës Serbe, subjekt që ka 9 nga 10 ulëset në Kuvend, dhe që në zgjedhjet paraprake lokale ka fituar thuajse në të gjitha komunat me shumicë serbe. 

Millosheviq, në një përgjigje për KOHËN, tha se ka ngritur padi ndaj Ristiqit e Petroviqit për, siç u shpreh, “përhapje të gënjeshtrave”. 

“Kryetari i Komunës së Novobërdës, z. Sasha Millosheviq, ka ndërmarrë hapa ligjorë dhe ka ngritur padi kundër personave të përmendur për shkak të të pavërtetave dhe gënjeshtrave që ata i kanë thënë publikut. Ne besojmë se këto deklarata janë të pabaza dhe synojnë të dëmtojnë reputacionin si të kryetarit personalisht ashtu edhe të institucionit që ai përfaqëson”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Zyra e kryetarit të Novobërdës.

Por, Gjykata Themelore në Gjilan ka mohuar se ka ndonjë padi në sistemin e saj në emër të Sasha Millosheviqit kundër Ivan Ristiqit dhe Ivan Petroviqit. 
Presionin ndaj Petroviqit e Ristiqit nga Lista Serbe e kanë dënuar Zyra e BE-së në Prishtinë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka qenë shumë e qartë. Jemi të shqetësuar nga cilado përpjekje për ta kufizuar garën mes partive politike dhe për t’ua pamundësuar qytetarëve të Kosovës mundësinë e zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre. Të gjithë kosovarët – qofshin ata serbë, shqiptarë apo të cilitdo grup tjetër, pavarësisht përkatësisë partiake duhet ta kenë mundësinë e pjesëmarrjes së plotë në jetën politike dhe qytetare”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së. 

Në çdo palë zgjedhje, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë theksuar si problem mungesën e pluralizmit në komunat me shumicë serbe, në të cilat dominon Lista Serbe.  Ajo ishte në pushtet në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë deri në nëntor të vitit 2022, kur mori vendim për t’u larguar nga institucionet në katër komunat në veri, për shkak të një kërkese të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me ato të Kosovës.