Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Akuza të ndërsjella për “foton me autobusë”

autobus

Postimi i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se si do të duken 15 autobusë dhe dy tramë të rinj, ka nxitur reagime te pushteti qendror. Nga Qeveria thonë se nuk është ndjekur asnjë procedurë ligjore, nga Komuna e kanë quajtur bllokues një ministër në detyrë e njohës të qeverisjes lokale thonë se të dy palët kanë faj

Prezantimi i idesë për 15 autobusë dhe dy tramë përmes dy-tri fotove nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nxiti reagimin e pushtetit qendror me arsyetimin e mosndjekjes së procedurave ligjore.

Fillimisht Rama prezantoi se si do të duken 15 autobusët e rinj dhe 2 tramët, të gjithë elektrikë, por nuk tregoi se kur do të mbërrijnë në Prishtinë e as kur do të nisë operimi i tyre.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në këtë postim reagoi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, sipas të cilit Komuna nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon Ligji për Partneritet Publiko-Privat.

Murati bëri thirrje edhe për organet e rendit që, siç tha ai, të mos lejojnë të keqpërdoren paratë publike.

Menjëherë, Rama iu përgjigj Muratit, duke e quajtur “bllokues”.

KOHA bëri përpjekje të kontaktojë të dy palët, përmes e-mailit dhe telefonit, por as nga Ministria e Financave dhe as nga Komuna e Prishtinës nuk kthyen përgjigje gjatë së enjtes.

E Bekim Salihu nga Instituti GAP, njohës i qeverisjes lokale u shpreh kritik për të dyja palët.

“Ajo që ndodhi dje mes kryetarit të Prishtinës dhe ministrit Murati kishte dy kuptime. Së pari, z. Rama nuk tregoi as kur do të vijnë autobusët, as ku ndodhen aktualisht, e as si janë kontraktuar dhe paguar. Madje, ai e vlerësoi lart pamjen e tyre, pa treguar se si dhe nga kush është vendosur për atë pamje. Së dyti, z. Murati nuk do të duhej të reagonte pas çdo postimi apo investimi të Komunës së Prishtinës, sepse kjo nuk po duket se ka për qëllim institucionalizimin e bashkëpunimin, por konfrontimin dhe protagonizmin politik”, ka thënë Salihu.

Sipas tij, autobusët e rinj po përmenden vazhdimisht, por premtimi nuk po realizohet.

“Ka 10 vjet që ish-udhëheqësit dhe udhëheqësit e tanishëm të Prishtinës, së paku tri herë në vit, dalin e thonë se autobusët e rinj janë nisur, janë rrugës ose se shumë shpejt pritet të mbërrijë kontingjenti i ri. Mirëpo, kontingjenti i ri nuk ka ardhur asnjëherë, ndërsa përplasjet e vjetra kanë qenë të vazhdueshme”, ka theksuar Salihu.

Kryeqyteti është në pritje që nga viti 2022 të 30 autobusëve të rinj të “Trafikut Urban”, të siguruar me një kredi prej 10 milionë eurosh nga BERZH-i.