Arbëri

Rrëfimi i Gjakovës për trajtimin çnjerëzor nga UDB-ja

Agim Gjakova

Poeti Agim Gjakova ka rrëfyer në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi se si është përballur me torturat dhe trajtimin çnjerëzor në qelitë e UDB-së në Beograd në vitet ’60.

“Më futën në nëntokë, në podrum... Nuk di kur ishte nata, kur dita. Vinin dhe më prishnin gjumin orë pa orë, më goditën në kokë, në qafë, dhe më thyen dhëmbët”, rrëfen Gjakova, duke përshkruar 14-15 ditë torturash të paimagjinueshme.

Ai kujton se mes hetuesve ishte edhe Aleksandër Zakiqi, nënkolonel i UDB-së, dhe një shqiptar nga Vitia, kapiteni Xhavit Shabani, të cilët megjithë dhunën e ushtruar, nuk e panë të arsyeshme ta torturonin më tej, pasi siç thotë poeti, e provuan se me të nuk kishte “rezultate” nga dhuna.

Në një moment, Gjakova përshkruan se si e futën në një qeli të vogël, me derë hekuri hermetike dhe pa dritë, ku filloi të ndiente efektet e torturës deri në humbjen e ndjesisë së trupit dhe vetëdijes. Megjithatë, sipas tij, ata e lanë gjallë që të mos vdiste, duke përdorur metoda psikologjike dhe fizike për ta thyer.

Për më shumë se dhjetë ditë, pas periudhës së torturës intensive, Gjakova u trajtua në mënyrë më “të butë”, me fjalë nga hetuesit që i kërkonin të mos merrej me politikë dhe i paralajmëronin për fatin e tij nëse do kundërshtonte sistemin.

Ai përshkruan edhe një “ftesë për drekë” nga një shef i lartë i UDB-së në një nga lokalet më të njohura të Beogradit, si një mënyrë për të treguar fuqinë dhe kontrollin që kishin mbi të.

Në kulmin e kësaj periudhe të errët, familja e tij nuk dinte as ku ndodhej, ndërsa ndërhyrja e Fadil Hoxhës dhe nënës së tij, Emine Gjakova, luajtën rol jetik për të shpëtuar jetën e tij.

Lexo përditësimet tjera
Agim Gjakova

Agim Gjakova në PIKË me Veton Surroin