Mbi 30 intervenime në të gjitha zonat e Prishtinës janë realizuar të shtunën në kryeqytet, si pasojë e vërshimeve nga të reshurat e shiut që nisën të premten e vazhduan edhe sot.
Në një njoftim të Komunës në Facebook është thënë se ekipet emergjente kanë reaguar menjëherë në rastet kur ka pasur nevojë.
“Mbi 30 intervenime në të gjitha zonat e Kryeqytetit, janë realizuar gjatë ditës së sotme nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, Drejtoria e Investimeve Kapitale, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Kompania Gjelbër, Policia e Kryeqytetit, si dhe njësitë e Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve (BPZ) të Kryeqytetit. Këto intervenime janë zhvilluar me angazhim maksimal të ekipeve në terren, reagim të menjëhershëm dhe koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional. Si Kryeqytet shprehim falënderim dhe mirënjohje të veçantë për të gjithë zyrtarët, policët, zjarrfikësit dhe punëtorët e angazhuar, për përkushtimin, vetmohimin dhe punën e palodhshme në shërbim të qytetarëve dhe Kryeqytetit”, thuhet në njoftim.