Basketboll

Ylli prezanton ish-trajnerin e Bashkimit e Rahovecit

Fotis Takianos

Golden Eagle Ylli të shtunën ka prezantuar Fotis Takianosin si trajnerin e ri të skuadrës për sezonin 2025/26.

Greku 56-vjeçar nuk është emër i panjohur në basketbollin kosovar. Ai drejtoi Bashkimin për dy muaj gjatë sezonit 2017/2018, teksa trajner ishte edhe te Rahoveci gjatë sezonit 2021/22. Pikërisht gjatë atij edicioni, Takianos u zgjodh trajneri i vitit në Greqi pasi mori drejtimin e Larisas pas largimit nga "Vreshtarët". Në sezonin e fundit, Takianosi udhëhoqi BK Astanan drejt titullit kampion në Kazakistan.

“Në 50-vjetorin e themelimit të klubit tonë, Golden Eagle Ylli, po jetojmë një ndër momentet më të ndritura në historinë tonë. Puna, përkushtimi dhe mbështetja e komunitetit na kanë sjellë në një pikë krenarie dhe reflektimi – por edhe vizioni për të ardhmen. Sot, me kënaqësi të madhe, prezantojmë trajnerin e ri të ekipit tonë, një emër tashmë të njohur për basketbollin në Kosovë: Fotis Takianos”, ka njoftuar klubi suharekas në Facebook.

Është raportuar gjithashtu që Ylli ka rikthyer në skuadër Erjon Kastratin, i cili ishte pjesë e Trepçës. Kastrati ishte vendimtar në sukseset historike të Yllit, kur fitoi dy tituj radhazi.