Mungesa e prokurorëve po vazhdon të ndikojë në funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Këto ishin gjetjet e dy raporteve të IKD-së të cilat trajtojnë rastet në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda dhe të Departamentit të Përgjithshëm - Divizioni Penal. Në raporte theksohet se numri i madh i lëndëve, shtyrja e seancave dhe mungesa e përkthyesve mbeten ndër problemet kryesore me të cilat po përballen prokuroritë dhe gjykatat në vend
Dy raporte të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), “Krimet e përgjithshme 2025” dhe “Krimet e rënda 2025”, të publikuara nga kjo organizatë, kanë nxjerrë si problem mungesën e numrit të mjaftueshëm të prokurorëve në Kosovë që sipas tyre po ndikon në zvarritjen e rasteve në gjykata.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në IKD-së, tha se pas takimeve me kryetarë të gjykatave është vërejtur se shumë seanca shtyhen për shkak të mungesës së prokurorëve për të marrë pjesë në to.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMiftaraj theksoi se konkursi për prokurorë, i cili ka mbetur pezull, duhet të marrë epilog sa më shpejt, ndërsa përmendi edhe mungesa të tjera të evidentuara në raport.
“Është një konkurs për 22 prokurorë të rinj që ka mbetur pezull dhe besoj që KPK-ja do të duhej të merrte një vendim sa më shpejt për ta zgjidhur këtë çështje. Pjesë tjetër e raportit është se në shumë raste kemi konstatuar se seancat mbahen me pak njerëz nëpër zyra. Një tjetër problem mbetet edhe numri i përkthyesve. Jo vetëm në këtë raport, por edhe në raportet e tjera kemi evidentuar mungesë të përkthyesve, kryesisht të gjuhës serbe”, ka thënë Miftaraj.
E, Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se prokuroritë themelore në vend kanë ngarkesë të lartë sa i përket numrit të lëndëve në raport me numrin e prokurorëve.
Shala tha se në nivel vendi ekziston bilanc negativ, pasi prokuroritë nuk kanë arritur të zgjidhin aq lëndë sa kanë pranuar, me përjashtim të Prokurorisë së Pejës.
“Prokuroria në Pejë ka arritur t’i zgjidhë 192 raste më shumë sesa ka pranuar. Gjetjet e IKD-së tregojnë se ngarkesa është relativisht e lartë, sepse mesatarisht në nivel vendi një prokuror ka 519 raste në punë. Mirëpo, në raport me ngarkesën dhe numrin e lëndëve ka dallime mes prokurorive. Gjakova dhe Mitrovica kanë numrin më të madh të lëndëve për prokuror, me 886 raste, krahasuar me mesataren prej 519, ndërsa numrin më të vogël e ka Prizreni me 330 raste për prokuror”, ka thënë Shala.
Sipas Shalës, rastet e krimeve të rënda kanë shënuar rritje të lehtë, ndërkohë që mbeten të dukshme mospërputhjet në trajtim dhe rezultate kur bëhet krahasimi në mes të prokurorive. Ai theksoi gjithashtu se përdorimi i masave si sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë mbetet i kufizuar, po ashtu edhe shqiptimi i dënimeve plotësuese dhe referimi ndaj praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ). Shala shtoi se edhe pse numri i lëndëve të pazgjidhura ka rënë, sfidat që lidhen me politikën ndëshkimore, barazinë në trajtim dhe rritjen e efikasitetit vazhdojnë të jenë të pranishme.
Ndërkaq, kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, duke folur për gjetjet e raportit të IKD-së, tha se kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve në Departamentin për Krime të Rënda, që kalon mbi 1 mijë ditë, mbetet shqetësuese.
“Çështjet e procedurës paraprake nuk varen nga roli aktiv i gjykatave apo nga roli aktiv i vetë prokurorive. Pastaj, statistika e rasteve të përfunduara zbehet si pasojë e rasteve që mbesin në procedurë paraprake”, ka thënë Arrni.
Arrni ngriti shqetësime edhe për mos shqiptimin e dënimeve plotësuese dhe mungesën e trajtimit të kërkesave pasurore-juridike, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë më e parashikueshme dhe rastet e ngjashme të trajtohen në mënyrë të barabartë. Sipas tij, dallimet në politikën ndëshkimore vazhdojnë të mbeten sfidë në praktikën gjyqësore.
Përveç kësaj, ai ka ngritur edhe shqetësime lidhur me praktikën e ngritjes së aktakuzave të drejtpërdrejta të shoqëruara me kërkesa për paraburgim. Sipas tij, raste të tilla lënë përshtypjen e një ngutjeje nga ana e Prokurorisë, pasi sipas tij, nëse ekziston nevoja për hetime, atëherë duhet të kërkohet paraburgimi gjatë fazës hetimore dhe jo pas ngritjes së aktakuzës.
Gjatë diskutimeve, Lumturije Vuçetaj, kryeprokurore e Prokurorisë Themelore në Pejë, ka theksuar se prokurorët përballen me një ngarkesë pune dukshëm më të lartë se norma orientuese e përcaktuar. Ajo vuri në dukje se, sipas të dhënave të raportit, Prokurori i Shtetit jo vetëm që e ka tejkaluar këtë normë, por në raste të caktuara ajo edhe është dyfishuar.
Vuçetaj ngriti shqetësime lidhur me mungesën e kapaciteteve njerëzore, duke nënvizuar se numri i pamjaftueshëm i prokurorëve, si dhe mungesa e bashkëpunëtorëve profesionalë dhe zyrtarëve ligjorë, ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e punës. Megjithatë, ajo theksoi se, përkundër këtyre sfidave, është arritur përparim në zbatimin e masave të sekuestrimit dhe konfiskimit nga ana e prokurorëve.
Ndërkaq, Ersan Qavolli, prokuror në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe anëtar i Komisionit për administrim dhe buxhet të prokurorive, tha se sistemi prokurorial vazhdon të përballet me numër të madh të lëndëve, ndërsa prej dy vjetësh nuk janë shtuar prokurorë të rinj. Ai bëri të ditur se është duke u përgatitur një raport për secilën prokurori dhe se pritet shpallja e konkursit për prokurorë të rinj.
Qavolli ka ngritur shqetësime edhe për vonesat në ekspertiza, veçanërisht në rastet e ADN-së dhe narkotikëve, duke theksuar se në disa raste afatet e paraburgimit tejkalohen për shkak të mungesës së rezultateve të ekspertizave. Ai kritikoi edhe kufizimet procedurale për numrin e mostrave të ADN-së që mund të dërgohen për ekzaminim, duke vlerësuar se ato mund të ndikojnë negativisht në hetime.
E, avokatja Albulena Ukimeri ka thënë se sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me ngarkesë të lartë të lëndëve duke shtuar se edhe kur arrihet ekuilibër ndërmjet rasteve të pranuara dhe atyre të zgjidhura, barra e përgjithshme e lëndëve nuk zvogëlohet. Ajo ka thënë se kohëzgjatja e trajtimit të rasteve mbetet një nga shqetësimet kryesore për qytetarët, duke ndikuar në besimin ndaj sistemit të drejtësisë. Ukimeri e ka ngritur si problem cilësinë e vendimmarrjes, duke theksuar se arsyetimet e aktgjykimeve shpesh mbeten formale, ndërsa jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, masa e sekuestrimit dhe konfiskimit, si dhe dënimet plotësuese aplikohen në masë të kufizuar. Sipas saj, sistemi ka nevojë për shpërndarje më të balancuar të lëndëve, njëtrajtshmëri në vendimmarrje dhe rritje të efikasitetit.