Truri i njeriut nuk ka për detyrë vetëm të ruajë kujtimet që krijohen gjatë jetës, ai duhet gjithashtu të përgatitet për kujtimet e reja që do të krijohen. Sipas një studimit të ri të kryer në Japoni, kjo përgatitje ndodh gjatë gjumit, ka shkruar Science Alert.
Dihet prej kohësh që gjumi është i rëndësishëm për kujtesën dhe të nxënit, por mekanizmat e saktë nuk janë kuptuar plotësisht. Deri tani, gjumi është parë si proces që lidhet me të kaluarën, përpunimi dhe ruajtja e kujtimeve që kemi përjetuar gjatë ditës. Mirëpo, ky studim i fundit tregon se gjumi luan rol edhe për të ardhmen.
Çfarë ndodh në tru gjatë gjumit?
Kujtesa është proces kompleks dhe thelbësor për identitetin e njeriut. Edhe pse shpesh duket si “magji”, në realitet, kujtimet formohen përmes qelizave të specializuara të quajtura “qeliza engram”, të cilat regjistrojnë përvojat e njerëzve në mënyrë që të mund t’i rikujtojnë më vonë.
Studiuesit në Universitetin e Toyamës në Japoni përdorën një sistem imazherie për të gjurmuar aktivitetin e këtyre qelizave tek minjtë, para, gjatë dhe pas përvojave të rëndësishme. Ata zbuluan diçka mahnitëse: gjatë gjumit pas një përvoje të re, truri jo vetëm që “rindez” kujtimet ekzistuese për t’i forcuar, por gjithashtu fillon të përgatisë rrjetet për kujtimet që do të formohen në të ardhmen.
“Qelizat ‘engram' ende te pa pjekura, filluan të bashkëveprojnë me qelizat ekzistuese gjatë gjumit. Ky ndërveprim ndihmon në ndërtimin e rrjeteve të reja të kujtesës”, ka thënë profesor Kaoru Inokuchi, bashkautor i studimit.
Gjumi si “stërvitje” për trurin
Në fakt, studiuesit panë se këto qeliza të ardhshme, që ende nuk ishin lidhur me ndonjë kujtim specifik, filluan të sinkronizohen gjithnjë e më shumë gjatë gjumit pas mësimit. Dhe kur minjtë përjetuan një ngjarje të re, këto të njëjtat qeliza u aktivizuan për ta regjistruar atë.
Për të kuptuar më mirë këtë proces, shkencëtarët krijuan edhe një model kompjuterik që simulon aktivitetin e trurit në pjesën e hipokampusit, zona kryesore për formimin e kujtimeve. Ata zbuluan se dy procese të njohura që ndodhin gjatë gjumit, të quajtura depresion sinaptik dhe shkallëzim sinaptik, ndihmojnë trurin të organizojë këto qeliza të ardhshme të kujtesës. Kur këta mekanizma ndaloheshin në modelin kompjuterik, përgatitja për kujtime të reja dështonte.
“Ky bashkëveprim mes kujtimeve të vjetra dhe qelizave që do të ruajnë kujtimet e reja tregon një koordinim të veçantë gjatë gjumit. Mund të ketë edhe një lloj ‘transferimi të të dhënave’ mes rrjeteve të trurit”, ka shpjeguar profesor Inokuchi.
Çfarë do të thotë kjo për njerëzit?
Ky zbulim nënkupton se cilësia e gjumit pas mësimit mund të ndikojë jo vetëm në sa mirë i ruajmë ato që kemi mësuar, por edhe sa të përgatitur jemi për të mësuar gjëra të reja në ditët në vijim.
“Ne besojmë se manipulimi i aktivitetit të trurit gjatë gjumit, apo ndryshimi i mënyrës si flemë, mund të na ndihmojë të përmirësojmë kujtesën. Kjo mund të hapë rrugë për metoda të reja në arsim dhe në trajtimin e çrregullimeve të kujtesës”, ka thënë Inokuchi.
Më e rëndësishmja, sipas studiuesve, është që njerëzit të fillojnë ta marrin gjumin më seriozisht.
“Duam që njerëzit të kuptojnë se gjumi nuk është thjesht pushim. Ai luan rol vendimtar në mënyrën si truri përpunon informacionin. Nëse e kuptojmë këtë, mund ta përdorim gjumin si mjet për të përmirësuar cilësinë e jetës sonë”, ka thënë ndër të tjera Inokuchi.