Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Vetëm 5 minuta më shumë lëvizje në ditë mund të ndikojnë në jetëgjatësi

Ecja

Ecja

Shpesh këshillat për aktivitet fizik fokusohen te 10 mijë hapa në ditë apo 150 minuta ushtrime në javë. Por për shumë njerëz, sidomos ata që lëvizin pak, këto objektiva duken të paarritshme.

Një studim i ri i publikuar në revistën prestigjioze The Lancet tregon se edhe ndryshimet e vogla mund të kenë efekt të madh, ka shkruar CNN.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Studimi ka analizuar të dhëna nga mbi 40 mijë persona në SHBA, Norvegji dhe Suedi, si dhe rreth 95 mijë persona në Britani.

Studiuesit u fokusuan në aktivitetin fizik me intensitet mesatar deri të lartë, pra lëvizje që rrisin rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjen, si dhe në kohën e kaluar ulur.

Sipas ekspertes së CNN-it për shëndetin, doktoreshës Leana Wen, studimi kishte një qasje ndryshe.

“Ajo që e bën këtë studim të veçantë është se nuk pyet nëse njerëzit i arrijnë objektivat ideale, por çfarë ndodh nëse ata lëvizin vetëm pak më shumë çdo ditë”, ka thënë ajo.

Rezultatet janë domethënëse:

-Nëse personat më pak aktivë shtojnë vetëm 5 minuta aktivitet në ditë, mund të parandalohet rreth 6 për qind e vdekjeve të parakohshme.
-Nëse kjo rritje prej 5 minutash zbatohet në pothuajse gjithë popullsinë (përveç atyre më aktivëve), numri i vdekjeve të parakohshme mund të ulet deri në 10 për qind.

Edhe reduktimi i kohës së qëndrimit ulur ka ndikim.

Reduktimi i qëndrimit ulur me 30 minuta në ditë mund të parandalojë rreth 3 për qind të vdekjeve të parakohshme te personat më pak aktivë, dhe deri në 7 për qind nëse zbatohet më gjerësisht.

Këto gjetje përforcojnë rekomandimet ekzistuese, si ato të Centers for Disease Control and Prevention, që këshillojnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet mesatar në javë. Por studimi thekson se përfitimet nuk janë “gjithçka ose asgjë”.

“Përfitimet fillojnë edhe në nivele shumë të ulëta aktiviteti, sidomos për ata që qëndrojnë ulur gati gjatë tërë kohës. Edhe rritjet e vogla nën pragun e rekomanduar mund të përmirësojnë shëndetin”, ka shpjeguar Wen.

A ndryshojnë këto rezultate udhëzimet zyrtare? Jo. Por, sipas Wen, ato ndryshojnë mënyrën si duhet t’i shohim këto udhëzime.

“Në vend që t’i shohim si një standard të ngurtë që duhet patjetër ta arrijmë, mund t’i shohim si një qëllim aspirues. Çdo hap në drejtim të lëvizjes ka rëndësi”, ka thënë ajo.

Më së shumti përfitojnë ata që lëvizin më pak: të moshuarit, personat me sëmundje kronike, ata që punojnë ulur për orë të tëra apo që ndihen të frikësuar nga kultura e fitnesit.

Mesazhi kryesor është i thjeshtë dhe inkurajues: nuk duhet të nisni me palestra apo stërvitje intensive. Filloni me pak, një ecje të shpejtë, shkallët në vend të ashensorit, disa punë shtëpie në këmbë.

“Qëllimi nuk është perfeksioni, por vazhdimësia. Ndryshimet e vogla, të përsëritura çdo ditë, mund të bëjnë një ndryshim të madh”, ka thënë Wen.