Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka komentuar bllokadat e vendosura nga protestuesit të dielën vonë në Beograd, duke thënë se luftën pas ndeshjes e kërkojnë gjithmonë ata që kanë humbur.
Duke folur nga Sevilla ku po merr pjesë në Konferencën e 4-të Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Financimin e Zhvillimit, Vuçiqi ka thënë se shteti e ka bërë punën e tij dhe do ta bëjë çdo ditë.
Ai ka përmendur edhe Kosovën.
"A është ky një program për të ardhmen, kontejnerë në rrugë dhe trazira? Një vazhdim i atij programi për Serbinë gjenocidale dhe Kosovën e pavarur. Njerëzit nuk duhet të shqetësohen, shteti ka forcë të mjaftueshme dhe do të sigurojë mbizotërimin e rendit dhe ligjit”, ka thënë Vuçiq.
"Shoh që njerëzit kanë frikë nga këto bllokada, por i bëjnë të gjitha nga pafuqia, e dinë se kanë humbur. Edhe në futboll, ai që humbet është gjithmonë i zemëruar, ata që humbën ndeshjen janë gjithmonë duke kërkuar një luftë", ka shtuar presidenti serb.
Ai ka thënë se policia e ka bërë punën e saj në mënyrë të shkëlqyer dhe profesionale, me përdorim minimal të forcës.
Vuçiç theksoi se policia është nën presion të madh dhe se është shumë e vështirë për ta, sepse duhet të kujdesen për ta dhe të përpiqen të mos i lëndojnë.
