Sport

Differdange e pranon edhe barazimin ndaj Dritës

Differdange

Te kampioni i Luksemburgut, Differdange, pranojnë se kampionia e Kosovës në futboll, Drita, është favorite. Por trajneri i skuadrës nga Luksemburgu, Pedro Silva, ka thënë se nuk kanë ardhur me flamur të bardhë. Ai ka theksuar se synojnë të dalin me pikët e plota të martën mbrëma nga stadiumi “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Ndeshja nis në orën 20:00, ndërsa i takon raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Dueli Drita – Differdange do të transmetohet në KTV.

“Po, mendoj se Drita është favorite, mirëpo ne nuk kemi ardhur këtu për pushime dhe as bagazhet nuk i kemi marrë me vete. E kemi analizuar kundërshtarin në tërësi. Nuk kemi bërë analiza individuale, por e kemi analizuar si ekip”, ka thënë Silva në konferencën për media, të hënën.

Atij nuk i bëjnë përshtypje rezultatet e skuadrave të tjera të Luksemburgut përballë klubeve të Kosovës në të kaluarën.

“Jo, për ne nuk është relevante, sidomos duke e marrë parasysh se kanë qenë dy skuadra të tjera. Nuk ka qenë ekipi im. Për ne çfarë është relevante, është e ardhmja dhe ajo se çfarë na pret nesër. Një fushë e fortë, një ekip i fortë. E dimë se çfarë na pret, do të japim maksimumin tonë për të arritur që ta mposhtim kundërshtarin”, është shprehur ai.

Differdange ndaj Dritës do të paraqitet me ekip të kompletuar.

“I tërë ekipi që kemi dashur të jetë në ndeshjen e nesërme është i gatshëm. Përpos një lojtari që është i suspenduar, të tjerët janë të gatshëm për t’u shfaqur në ndeshje".

Differdange 03 është klub i formuar 22 vjet më parë, ndërsa ka stadium prej 3.800 ulëseve. Titullin e kampionit të Luksemburgut e ka fituar në dy vjetët e fundit. Klubi ka histori të gjatë e po ashtu suksese të shumta në Luksemburg, por me emra të tjerë.

Në gara evropiane paraqitet rregullisht, por pa arritur ndonjë sukses. Vjet Differdange 03 u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga skuadra e Ishujve Faroe, KI.

Vazhdoi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa u eliminua nga Ordabasy i Kazakistanit.

Edhe futbollisti Kevin D’Anzico thotë se Drita është favorite. Ai thekson se edhe barazimi do të jetë i pranueshëm për ekipin.

“Jemi përgatitur që një kohë të gjatë, jo vetëm tri javët e fundit. Mendoj se i kemi arritur ato që janë të nevojshme për t’i treguar në ndeshjen e nesërme. E dimë që do të jetë ndeshje e vështirë. E dimë që Drita, siç e tha edhe trajneri, është favorite. Por ne do të mundohemi të tregojmë më të mirën nesër mbrëma në fushë. Mendoj se edhe me një barazim për gjithë këtë rrugëtim që e kemi bërë do të ishte i mirë”, ka thënë D’Anzico.

Pas konferencës për media, kampioni i Luksemburgut zhvilloi stërvitjen e fundit në “Fadil Vokrri” para ndeshjes kundër Dritës. Ndeshjen kthyese ndaj ekipit gjilanas e luan pas një jave në shtëpi.