Zgjedhjet lokale

Abdixhiku thotë se Fushë-Kosova është histori suksesi e qeverisjes 25-vjeçare të LDK-së

Abdixhiku

Ndërtimi i sheshit “Nënë Tereza” është prioritet kryesor për kandidatin për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani. Ai premtoi gjithashtu ndërtimin e shtëpisë së pleqve, përfundimin e stadiumit të qytetit dhe ndërtimin e tre stadiumeve të tjera. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se LDK-ja e ka transformuar komunën me Burim Berishën dhe se transformimi pritet të vazhdojë me Besnik Osmanin

Sheshi “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë është prioriteti kryesor i kandidatit për kryetar, Besnik Osmani, i cili premtoi gjithashtu ndërtimin e një shtëpie për të moshuarit, përfundimin e stadiumit ekzistues dhe ngritjen e tre stadiumeve të reja.

Osmani i bëri këto zotime gjatë tubimit elektoral të LDK-së, të premten.

“Për të moshuarit kemi premtuar shtëpinë e pleqve, një institucion modern që do të kujdesemi për mirëqenien e tyre. Për rinin kemi premtuar qendrën inovative, një hapësire e dedikuar për inovacion, ndërmarrësi e teknologji. Një vend ku rinia jonë do ta shfrytëzojë gratis të gjitha shërbimet që ofrohen nga Komuna. Për sportistët ashtu siç kemi premtuar, kemi filluar ndërtimin e stadiumit që po investojmë me paranë e Komunës e do të bëjmë tri stadiume të tjera”, ka thënë Osmani.

Ai në tubim theksoi se është zotuar vetëm për atë që mund ta mbajë financiarisht. Sipas tij, në Fushë Kosovë do të investohen 55 milionë euro në projekte kapitale.

“Kemi premtuar saktë duke shkruar se cili është burimi financiar. Kemi premtuar duke shkruar saktë se ku është vendi ku do të ndërtohet. Kemi premtuar duke e shkruar saktë se kur është koha që do të zbatohet. Prandaj e keni të lehtë për të na mbajte në llogaridhënie”, u shpreh Osmani

Ai u zotua po ashtu edhe për disa projekte të tjera.

“Ashtu siç kemi premtuar, ashtu siç jemi zotuar do t’i mbajmë. Po në të dy krahët e Fushë Kosovës do të kemi dy rrugë të reja për t’u lidhur me kryeqytet. Ashtu siç jemi zotuar, do të kemi tri parkingje nëntokësore në kryeqytet. Ashtu siç kemi pretuar do të bëjmë tri shkolla në qytet, do të bëjmë tri çerdhe të reja në qytet dhe do të bëjmë katër çerdhe në katër fshatra.”

Në këtë tubim elektoral, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, derisa prezantoi kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës, Besnik Osmanin, ka thënë se Fushë Kosova është rrëfimi i LDK-së. Ai ka thënë se Fushë Kosova është transformuar si rezultat i udhëheqjes së gjatë të Burim Berishës dhe sipas tij transformimi pritet të vazhdojë me Besnik Osmanin

“Sonte qëndrojmë në një qytet që është histori suksesi, në një qytet që është shembull për gjithë Kosovën. Një qytet që na qëndron si model i zhvillimit, prosperitet dhe përparimit. Fushë Kosova është sot një tregim i madh për atë që Lidhja Demokratike e Kosovës di të bëjë kur ka besimin e qytetarëve të vet. Nga një periferi e vogël e kryeqytetit, e shpërfillur dhe e harruar dikur, sot Fushë Kosova është shndërruar në qytetin më dinamik, më energjik dhe më të rritur të vendit. Ky është rrëfimi juaj. Ky është rrëfimi i LDK-së. Ky është rrëfimi i 25 viteve punë, vizion e përkushtim”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së u bëri thirrje që qytetarët të vazhdojnë besimin te kjo parti për të çuar përpara, sipas tij,  punën e nisur në komunë.

“Për 25 vite, Burim Berisha nuk ishte thjeshtë kryetar. Ai ishte arkitekti i Fushë Kosovës moderne. Ai ishte njeriu që e nxori qytetin nga hija e kryeqytetit dhe ia dha identitetin e vet. Ai ishte ai që ndërtoi rrugë, shkolla, lagje të reja. Ai ishte ai që solli investime, që krijoi kushte për banim, për zhvillim, për tregti, për jetë. Ai ishte ai që i dha kuptim fjalës “qytet” këtu ku jemi sot”, u shpreh Abdixhiku.

Në Gjilan, kandidati për kryetar Arbër Ismajli ka vizituar disa nga bizneset e qytetit.

Ka përgëzuar pronarët e tyre për mundësinë e hapjes së dyerve për punësimin e të rinjëve dhe të rejave.

“Për mua, këto janë momentet kur e sheh qartë se sa shumë mund të fitojë Gjilani kur bashkohen vizioni, guximi dhe puna e ndershme. Do të punojmë që të ketë mbështetje e lehtësira për sektorin privat, sepse aty është çelësi i zhvillimit dhe mirëqenies për qytetin tonë”, ka shkruar mes tjerash Ismajli.

Ai ka premtuar mbështetjen e tyre nëpërmjet projektit “Gjilani i ri”.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 14-të e fushatës

Agjenda e aktiviteteve të Partisë Demokratike të Kosovës:10:40 – Në Prizren përurohen projekte infrastrukturore, bëhet zhvendosja...