Zgjedhjet lokale

Ismaili premton kthimin e shkallëve të lagjes “Arbëria” në pikë turistike

Uran Ismaili

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar planin e tij për lagjen “Arbëria” dhe ka dhënë gjashtë zotime që përfshijnë ndërtimin e çerdhes e shkollës së re, krijimin e hapësirave sportive e publike, si dhe kthimin e shkallëve të “Arbërisë” në një pikë turistike. Në Fushë-Kosovë kandidati i kësaj partie, Rrahim Tërnava, ka premtuar trefishim të buxhetit për bujqësi

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka shpalosur të enjten planin e tij për lagjen “Arbëria”.

Ai ka dhënë gjashtë premtime për banorët e kësaj lagjeje, të fokusuara në arsim, hapësira publike e lidhje të lagjes me qendrën e qytetit.

“Këto janë zotimet e mia për ‘Arbërinë’: Ndërtimi i çerdhes dhe shkollës së re; Lidhja e shkallëve emblematike të ‘Arbërisë’ deri te parku dhe kthimi i tyre në pikë turistike; Integrimi i stacionit të trenit dhe vijës hekurudhore me korridore të sigurta për këmbësorët; Linja të reja të trafikut urban që mbulojnë tërë lagjen; Dy terrene sportive për lagjen me fusha futbolli dhe basketi; Park i ri për lagjen me kënde të lojërave për fëmijë. Arbëria është lagje me karakter dhe identitet, jo lagje për premtime të mëdha që s’realizohen kurrë”, ka thënë Ismaili.

Në Malishevë, gjatë një tubimi, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se qytetarët i besojnë kandidatit të kësaj partie, Gëzim Krasniqit.

“Kujt mundet t’i besoj më shumë Malisheva e qytetari i saj sesa mjekut të dëshmuar për ta trajtuar Malishevën që po lëngon, një mjeku të vërtetë, një njeriu që ka shëruar me duar, me dije dhe me shpirt, doktor Gëzim Krasniqi”, ka thënë ai.

Në Prizren, Shaqir Totaj ka përuruar renovimin e Ambulancës për Mjekësi Familjare në fshatin Skorobisht.

“Përuruam sot transformimin e plotë të AMF-së në fshatin Skorobisht, pas renovimit të tërësishëm dhe modernizimit të objektit. Përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore e ngrit cilësinë e jetës në komunitet, derisa investimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim avancimin e shërbimeve mjekësore dhe mirëqenies së qytetarëve tanë”, ka deklaruar Totaj.

E kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava, ka premtuar shumëfishim të buxhetit për bujqësinë. 

“Trefishimi i buxhetit komunal për bujqësinë gjatë mandatit, rregullimi i të gjitha rrugëve fushore për qasje të lehtë në parcela, mbështetja për mekanizmin bujqësor dhe pajisje moderne. Çdo vit fidanë dhe inpute falas për fermerët e sektorit të perimeve, shërbime veterinare falas për të gjitha ekonomitë familjare”, ka premtuar Tërnava.

Petrit Hajdari, që garon për kryetar të Drenasit, është zotuar për ndërtimin e një muzeu.

“Muzeu i Luftës që do ta ndërtojmë në Drenas nuk është thjesht kujtim, është amanet. Për ata që nuk u dorëzuan, për ata që na lanë trashëgimi guximin dhe përgjegjësinë. Kam nderin ta ndaj këtë projekt me ju”, ka thënë ai.

Edon Cana, që kandidon për kryetar të Rahovecit, ka kritikuar pushtetin aktual për, siç ka thënë, moskujdesin ndaj pjesës së vjetër të qytetit, për të cilën ka thënë se ka potencial të madh turistik.

“Në qendrën ikonike që është lënë pas dore si mos më keq, në një vend me potencial të hatashëm për t’u shndërruar në një zonë që e plotëson komplet hallkën e zhvillimit të turizmit në Rahovec. Kjo qendër kulturore dhe historike e Rahovecit, që flet shumë për traditat dhe vlerat tona me teqetë, me xhaminë, me sahatkullën, e do një trajtim të veçantë”, ka theksuar Cana.

Ndërkohë në Vushtrri kryetari Ferit Idrizi ka deklaruar se do të vazhdojë përkrahjen për gratë ndërmarrëse.

“Vizituam gratë që po zhvillojnë bizneset e tyre në Vushtrri dhe biseduam për sfidat e përditshme që i kanë në këtë rrugëtim. Në mandatin e dytë do të vazhdojmë të mbështesim fuqizimin e tyre përmes trajnimeve, rikualifikimit falas, kurseve të teknologjisë dhe gjuhëve, granteve të veçanta, si dhe programeve për ndërmarrësi e vetëpunësim. Kështu do të krijojmë edhe më shumë mundësi dhe zhvillim për çdo familje në qytetin tonë”, ka thënë Idrizi.

Gjatë ditës aktivitetin elektoral e kanë vazhduar edhe kandidatë të tjerë të PDK-së. Shukri Buja ka vizituar Janjevën, e banorëve të këtij fshati u ka premtuar zgjidhje të problemit me ujin. Ai ka thënë se ky do të jetë prioriteti i tij i parë po qe se bëhet kryetar.

Lexo përditësimet tjera
KQZ-Zgjedhjet

Dita e 20-të e fushatës